Ankara, 1 qershor 2024
Kryeministri i Republikës Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrja, Emilija Rexhepi, bashkë me ambasadorin e Kosovës në Turqi, Agon Vrenezi, vizituan sot në Qendrën e Kulturës “Sami Frashëri” në Ankara të Turqisë.
Aty u mirëpritën nga Koordinatori i kësaj Qendre, Serdal Vardar, Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë, Blerta Kadzedaj, zëvendësambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hanif Dauti dhe kadetë të Forcës së Sigurisë së Kosovës që po studiojnë dhe përgatiten në Turqi, studentë shqiptarë të universiteteve në Ankara, së bashku me nxënës të gjuhës shqipe dhe pjesëtarë të mërgatës.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, ai i falënderoi të gjithë për mikpritjen e ngrohtë që i është bërë, dhe shprehu mirënjohjen e tij të thellë për angazhimin, kontributin dhe rolin në çdo fushë të shoqërisë turke, por gjithashtu edhe për mbarë kombin shqiptar.
Vizita e tij në Ankara dhe në Qendrën Kulturore që mban emrin e Rilindasit tonë, Sami Frashëri, përkon me 125-vjetorin e veprës së tij kryesore “Shqipëria ç’ka qenë, ç‘është e çdo të bëhet”, për të cilën kryeministri Kurti u shpreh padyshim se është një lloj manifesti se si duhet të duket kombi ynë, e njëkohësisht edhe çfarë rruge duhet të ndjekë ai.
“Është një gjë shumë e rrallë që një tekst i cili ka një shekull e i çerek shekulli të jetë aq aktual, kushdo që e lexon kurdo. Andaj veprat e Sami Frashërit janë vepra që rilexohen dhe të gjithë të rinjtë e të rejat duhet ta bëjnë këtë, sepse ai na e mëson gjuhën përmes kombit, edhe kombin përmes gjuhës”, tha kryeministri.
Teksa i falënderoi për pritjen dhe shoqërimin brenda Qendrës Kulturore, të pasur me fotografi të figurave e momenteve historike e libra të ndryshëm, ai i ftoi studentët, nxënësit dhe mërgatën që të vijnë në Kosovë e në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut, në Luginë të Preshevës e në Mal të Zi, sa herë të kenë mundësi, dhe i inkurajoi ata që të mësojnë sa më mirë e sa më shumë gjuhën shqipe, e cila është një gjuhë e bukur e me sintaksë të fortë.
”Jemi komb i flamurit, por para së gjithash e mbi të gjitha jemi komb i gjuhës, i gjuhës shqipe të cilën duhet ta kultivojmë me dashuri dhe me përgjegjësi ta bartim brez pas brezi”, u shpreh kryeministri.
Në përfundim të vizitës së Qendrës Kulturore, në Librin e Përshtypjeve kryeministri Kurti shkroi:
“Në ditëlindjen e Sami Frashërit, në vitin kur shënojmë 125-vjetorin e veprës së tij madhore “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe çdo të bëhet” dhe 10-vjetorin e kësaj Qendre Kulturore këtu në Ankara që mban emrin e tij, nder i madh e kënaqësi e veçantë të jem këtu, e të bashkëbisedoj me miq shqiptarë që e duan dhe punojnë për kombin tonë kaq shumë”.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Kam nderin dhe kënaqësinë që ndodhem sot në mesin tuaj, bashkë me zëvendëskryeministren e Republikës së Kosovës, Emilija Rexhepi dhe falënderoj nga zemra për këtë mikpritje të ngrohtë të gjithë juve, duke filluar nga ambasadori Agon, ambasadorja Blerta, zëvendës ambasadori Hanif, koordinatori Serdal.
Dhe më lejoni t’ju shpreh mirënjohjen time të thellë për angazhimin, kontributin dhe rolin që bëni edhe në profesionalizmin tuaj në çdo fushë, por gjithashtu edhe për kombin shqiptar mbarë, kudo që ai është, qoftë në Shqipëri, Kosovë apo në viset e tjera atje në Ballkan, apo edhe këtu në Turqi.
Qendra Kulturore që mban emrin “Sami Frashëri”, e ka këtë emër meqenëse Sami Frashëri ka bërë aq shumë për kombin shqiptar, ndërkohë që është një urë e fuqishme e bashkëpunimit edhe e miqësisë ndërmjet popullit shqiptar dhe popullit turk.
Ne e dimë që jetën e veprën i ka në të dy këto vende. Varrin e ka në Stamboll, por përditë lexohet, mësohet, studiohet kudo që janë shqiptarët. Sivjet shënojmë edhe 125-vjetorin e veprës së tij kryesore “Shqipëria ç‘ka qenë, ç‘është e çdo të bëhet” e cila padyshim që është një lloj manifesti se si duhet të duket kombi ynë, e njëkohësisht edhe çfarë rruge duhet të ndjekë ai.
Është një gjë shumë e rrallë që një tekst i cili ka një shekull e i çerek shekulli të jetë aq aktual, kushdo që e lexon kurdo. Andaj veprat e Sami Frashërit janë vepra që rilexohen dhe të gjithë të rinjtë e të rejat duhet ta bëjnë këtë, sepse ai na e mëson gjuhën përmes kombit, edhe kombin përmes gjuhës.
Të gjithë juve oficerë, kadet, ushtarë, unë ju dëshiroj suksese e punë të mbarë dhe e falënderoj Republikën e Turqisë, për mbështetjen që po na e jep në bashkëpunimin për mbrojtje dhe siguri.
Unë dje kisha takim me Presidentin Erdogan, dhe gjithashtu me zëvendësin e tij dhe ministrin e Mbrojtjes, e më pas edhe me ministrin e Punëve të Jashtme, mikun tim Hakan Fidan. Marrëdhëniet tona të shkëlqyeshme do t’i zgjerojmë e do t’i thellojmë në aspektin ekonomik e tregtar, të mbrojtjes e të sigurisë, kulturor e ndërkombëtar, dhe për këtë padyshim që secili prej jush, secili prej nesh jep kontributin e çmuar.
Falënderoj edhe për këtë tur që ma mundësuan brenda qendrës kulturore ku e kemi bashkë historinë edhe kulturën, dhe nëpër ato fotografi që shihen nëpër mure dhe në librat që ndodhen në këtë bibliotekë, padyshim që e kujtojmë sepse e respektojmë të kaluarën dhe jemi përplot me vetëbesim dhe shpresë për të ardhmen.
Sa herë që keni mundësi ejani në Kosovë e në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut, në Luginë të Preshevës e në Mal të Zi, dhe gjithashtu mësojeni sa më mirë e më shumë gjuhën shqipe, e cila është një gjuhë e bukur e me sintaksë të fortë.
Jemi komb i flamurit, por para së gjithash e mbi të gjitha jemi komb i gjuhës, i gjuhës shqipe të cilën duhet ta kultivojmë me dashuri dhe me përgjegjësi ta bartim brez pas brezi.
Për këtë natyrisht që më së shumti u kemi borxh, dëshmorëve e martirëve të kombit, dhe në këto ditë të pranverës në Republikën e Kosovës ne vazhdimisht kujtojmë ata që dhanë jetën, që u sakrifikuan në mënyrë që ne të kemi shtet e të gëzojmë lirinë. E liria është kryefjala e Rilindësve tanë të cilët e deshën mbijetesën e popullit në trojet stërgjyshore dhe gjithashtu e deshën lirinë e tij pakusht.
Rilindasit nuk deshën pushtet, Rilindasit deshën liri. Jo pushtet për vete, por liri për popullin. Andaj, edhe kjo qendër kulturore e cila kaq shumë i respekton dhe i afirmon ata është vendi i duhur i këtij takimi tonë dhe jo vetëm.
Faleminderit edhe ju dëshiroj të arritura e rezultate gjithnjë më të mëdha në punët që bëni, në profesionet që keni ngado që shkoni.- Zyra e Kryeministrit