Prishtinë, 19 janar 2024
Me t’u kthyer nga Zvicra, ku kishte qëndruar gjatë kësaj jave për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe i shoqëruar nga drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Elvir Azizi vizituan Klinikën e Stomatologjisë.
Aty, përveç bashkëbisedimit me stomatologët, u njoftua nga afër edhe me tri shërbimet e reja në Qendrën Klinike Universitare të Stomatologjisë, të cilat janë fiksimi i protezave, oksiduli i azotit dhe implantologjia e që kanë filluar në më pak se një vit. Ai vlerësoi lartë shërbimin cilësor e pritjet e shkurta të pacientëve, derisa stomatologët i falënderoi për punën e angazhimin e tyre.
Ai gjithashtu vizitoi Emergjencën dhe Klinikën e Kirurgjisë dhe Ortopedisë, për t’u njoftuar edhe një herë me gjendjen e 13 pacientëve të lënduar nga shpërthimi i bombolës së gazit në Kçiq të Mitrovicës, të cilët i kishte vizituar edhe fundjavën e kaluar, në ditën e aksidentit.
“Mjekët, infermierët po bëjnë krejt çfarë munden edhe dinë. Profesionalizimi edhe përkushtimi i tyre është i lartë dhe gjithashtu pamë, si në Qendrën Klinike Universitare të Stomatologjisë edhe këtu, rregull e disiplinë, por në të njëjtën kohë edhe pacientë të cilët na treguan drejtpërsëdrejti që janë të kënaqur me shërbimet që marrin dhe me trajtimin që gëzojnë”, tha kryeministri.
Prononcimi i plotë i kryeministrit Kurti:
Së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe me drejtorin e ShSKUK-së, Elvir Azizin, sot ishim në Qendrën Klinike Universitare të Stomatologjisë ku i pamë për së afërmi tri shërbime të reja të cilat kanë filluar në më pak se sa një vit dhe në veçanti ishim dëshmitarë të implantologjisë, me ç’rast bashkëbiseduam me stomatologët aty dhe i falënderuam për punën dhe angazhimin që po bëjnë, përfshirë aty jo vetëm shërbimin cilësor, por edhe pritjet shumë të shkurta të pacientëve.
Ndërkaq, vazhduam edhe këtu tek Emergjenca e më pastaj edhe tek Kirurgjia Plastike që të shohim se çfarë ka ndodhur më pastaj me ata 13 pacientët që u lënduan disa lehtë e disa edhe shumë rëndë me shpërthimin e bombolës së gazit e që vijnë nga fshati Kçiq i Mitrovicës. Na njoftuan se njëra nga pacientet tashmë ndodhet në Suedi, që ka pasur djegie të shkallës së tretë në afër 70% të trupit. Por, i kemi edhe dy pacientë të tjerë që janë në Gjermani, pesë janë këtu dhe dy po përgatiten që të dërgohen jashtë vendit nëpërmjet Ministrisë së Shëndetësisë.
Mjekët, infermierët po bëjnë krejt çfarë munden edhe dinë. Profesionalizimi edhe përkushtimi i tyre është i lartë dhe gjithashtu pamë, si në Qendrën Klinike Universitare të Stomatologjisë edhe këtu, rregull e disiplinë, por në të njëjtën kohë edhe pacientë të cilët na treguan drejtpërsëdrejti që janë të kënaqur me shërbimet që marrin dhe me trajtimin që gëzojnë.- Zyra e Kryeministrit