Lupç i Poshtëm, Podujevë, 1 shkurt 2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri sot homazhe në nderim të jetës dhe veprës së dëshmores së kombit, Elfete Humollit, me rastin e shënimit të 34-vjetorit të rënies së saj.
Vetëm dy javë nga ditëlindja e saj Elfete Humolli, ende pa i mbushur 17 vjet, ra dëshmore e lirisë, e vrarë nga forcat armike serbe, në drejtim të demonstruesve që ishin bashkë me Elfeten duke demonstruar për lirinë e Kosovës, për çlirimin e vendit.
I ndodhur pranë Lapidarit të të dy dëshmorëve të kombit, Elfetes dhe vëllait të saj, Mentorit, në Kompleksin Memorial në Lupç të Poshtëm, kryeministri Kurti në përkujtim të të gjithë heronjve e dëshmorëve të kombit tha se “Elfetja, Mentori dhe të gjithë dëshmorët e kombit, na e dëshmojnë orët e historisë sonë, na e dëshmojnë se sa shtrenjtë është paguar liria e popullit dhe çlirimi i Kosovës”.
Ai veçoi se sot në këto homazhe janë bashkë me nxënësit që kanë moshën e Elfetes kur ajo kishte rënë në demonstratë. Nxënës që sot mësojnë në Kosovën e lirë, në vendin tonë gjithnjë e më të përparuar dhe të cilët do t’i kontribuojnë shoqërisë, kombit dhe shtetit si dhe ekonomisë, kulturës dhe fushave të tjera të jetës.
“Pra, Kosova sot, i gëzohet rinisë dhe fëmijëve të saj, pikërisht për shkak se në themelet e kësaj Kosove ndodhet si gjaku i dëshmorëve, ashtu edhe djersa e punëtorëve nga e kaluara të cilët ne i çmojmë, shprehim mirënjohjen e thellë dhe me besnikërinë ndaj tyre ecim drejtë të ardhmes së ndritshme” u shpreh kryeministri Kurti.
Pas homazheve te varri i heroinës Humolli, kryeministri Kurti, nderoi edhe vëllain e saj dëshmor, Mentorin, i cili u vra me 21 maj të vitit 1999, dhe këtë vit do të shënohet 25-vjetori i rënies si luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë këtyre homazheve kryeministri Kurti, ishte bashkë me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, kolegë nga Qeveria, deputetë të Kuvendit, veprimtarë të çështjes kombëtare dhe familjen e gjerë Humolli.
Deklarata e plotë për media e Kryeministrit Kurti pas homazheve:
Bashkë me kolegë nga Qeveria, me deputetë të Kuvendit, me veprimtarë të çështjes kombëtare dhe me familjen e gjerë Humolli, jemi këtu sot tek Lapidari i cili i kushtohet dy dëshmorëve të kombit, Elfetes dhe Mentorit, të cilët dhanë jetën e tyre për lirinë tonë, e për çlirimin e vendit.
Sot shënojmë 34-vjetorin e demonstratës në të cilën nga forcat armike serbe u vra nxënësja Elfete Humolli, ende pa i mbushur 17 vjet. Ndërkaq vëllau i saj Mentori, vritet pas 9 vjetëve dhe me 21 maj sivjet do t’ia shënojmë 25-vjetorin e rënies heroike si luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Elfetja, Mentori dhe të gjithë dëshmorët e kombit, na e dëshmojnë orët e historisë sonë, na e dëshmojnë se sa shtrenjtë është paguar liria e popullit dhe çlirimi i Kosovës.
Mirëpo, këtu sot jemi bashkë me nxënësit që e kanë moshën e Elfetes kur ajo ra në demonstratë, e të cilët sot mësojnë në vendin tonë gjithnjë e më të përparuar dhe do t’i kontribuojnë edhe shoqërisë, edhe kombit, edhe shtetit me mësimet që bëjnë dhe me punët në vijim në profesionet e ndryshme që ju duhen atyre, e i duhen ekonomisë, kulturës dhe fushave të tjera të jetës.
Pra, Kosova sot, i gëzohet rinisë dhe fëmijëve të saj, pikërisht për shkak se në themelet e kësaj Kosove ndodhet si gjaku i dëshmorëve, ashtu edhe djersa e punëtorëve nga e kaluara të cilët ne i çmojmë, shprehim mirënjohjen e thellë dhe me besnikërinë ndaj tyre ecim drejtë të ardhmes së ndritshme.-Zyra e Kryeministrit