Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, mori të martën detyrën nga ish kryeministri Avdullah Hoti në një ceremoni pranim dorëzimi, një ditë pasi që parlamenti me 67 vota miratoi qeverinë e drejtuar nga lëvizja Vetëvendosje e cila doli fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Zoti Kurti mblodhi menjëherë qeverinë e re me 3 zëvendëskryeministra e 15 ministra e cila do të përballet me e cila do të përballet me problemet e rimëkëmbjes ekonomike, luftën kundër pandemisë së COVID-10, luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar.
Ndonëse nuk e ka cilësuar si një nga përparësitë kryesore, një nga sfidat që e presin qeverinë e zotit Kurti është rifillimi i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, e cila vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës.
Të hënën ai tha se bisedimet duhet të përqendrohen në zgjidhjen e problmeeve ekzistuese dhe jo krijimin e problemeve të reja.
Formimi i qeverisë së tij u përgëzua nga diplomatët perëndimor.
Ambasadori amerikan, Philip Kosnett, duke uruar zotin Kurti, shprehu gatishmërinë që të punojë “së bashku për të ndërtuar një të ardhme të paqes, drejtësisë dhe prosperitetit për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe çka është më emergjente për mposhtjen e pandemisë së COVID-19″.
Zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian në urimet e tyre, vunë theksin te rëndësia e vazhdimit të bisedimeve Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve.
“Presim që të punojmë së bashku për të siguruar një përmbyllje të suksesshme të bisedimeve Beograd-Prishtinë. Kjo është thelbësore për rrugën evropiane. BE-ja mbështet plotësisht agjendën e reformave dhe trajtimin e COVID-19”, shkroi ë rrjetet sociale shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell.
Zoti Kurti, 46 vjeçar, qe zgjedhur kryeministër në qeverinë e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës në shkurt të vitit 2020, pas zgjedhjeve të tetorit të vitit 2019.
Qeveria e tij u bë qeveria më jetëshkurtër në Kosovën e pasluftës. Përballja me pandeminë e COVID-19, dallimet rreth qasjes së institucioneve ndaj saj dhe posaçërisht mospajtimet rreth qasjes ndaj bisedimeve me Serbinë, u shndërruan në shkas lufte politike dhe më 25 mars ajo u rrëzua më një mocion mosbesimi të ngritur nga Lidhja Demokratike.
Tani mbetet ende e paqartë është se çfarë do të ndodhë më postin e presidentit zgjedhja e të cilit duhet të përmbyllet në fillim të muajit të ardhshëm.
Sipas Kushtetutës, zgjedhja e presidentit kërkon në dy raundet e para të votimit dy të tretat e votave, ndërsa në raundin e tretë, mund të zgjidhet me shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në votim duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.
Partia Demokratike me 19 deputetë dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 8 syresh, kanë hedhur poshtë mundësinë që të votojnë kandidaten e lëvizjes Vetëvendosje për këtë post, Vjosa Osmani, ndërsa Lidhja Demokratike që ka 15 vende, ka paralajmëruar bisedime me zonjën Osmani para se të marrë një vendim.
Dështimi për të zgjedhur presidentin, mund të çojë vendin sërish në zgjedhje të parakohshme.
Diplomatët perëndimorë, u kanë bërë thirrje partive politike që të shmangin një mundësi të tillë, meqë Kosova ka nevojë për institucione të reja në një periudhë sfidash shëndetësore, ekonomike e politike.
Të martën ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës krahas urimeve për qeverinë e re u bënë thirrje partive politike “të luajnë rol të përgjegjshëm në njohjen e rezultateve të zgjedhjeve të 14 shkurtit si mandat i dhënë nga populli për qeveri efektive. Në këtë kohë të pandemisë dhe sfidave ekonomike, Kosova ka nevojë për udhëheqësi të vendosur dhe institucione qeverisëse funksionale që sigurojnë stabilitet, përfshirë edhe presidencën.
Adresimi i këtyre sfidave do të kërkojë që prijësit e partive politike dhe deputetët e zgjedhur tani t’i vënë nevojat e qytetarëve të Kosovës mbi çështjet partiake politike dhe që opozita dhe qeveria të punojnë për prioritetet e përbashkëta, e detyra e parë është zgjedhja e presidentit të ri”, thuhet në një komunikatë të përbashkët të ambasadorëve të pesë vendeve kryesore perëndimore.
Komentet