Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i bëri thirrje kryeministrit të Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe thellimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.
Ai mori pjesë të enjten në një tryezë diskutimesh në Athinë, të organizuar nga qeveria e Greqisë dhe prestigjiozja britanike “The Economist”, me temën nga “Nga distancimi social te solidariteti social”.
Në një njoftim të zyrës së kryeministrit Kurti thuhet se ai u prit në takim nga kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis dhe me këtë rast tha se “Kosova dëshiron të ndërtojë mbi lidhjet ekzistuese historike midis dy popujve dhe të ngrejë marrëdhëniet me Greqinë, si element i rëndësishëm për qëndrueshmërinë afatgjate rajonale”.
Komunikata citon kryeministrin Kurti të ketë thënë se Greqia dhe Kosova duhet të forcojnë marrëdhëniet e tyre të pavarura për shkak të historisë së gjatë të përbashkët, qëllimit të përbashkët të paqes dhe sigurisë në Ballkan dhe të ardhmes së gjatë të përbashkët.
Duke e falënderuar kryeministrin grek për siç thuhet “mbështetjen dhe qëndrimin konstruktiv ndaj vendit tonë, që Greqia e ka dëshmuar sidomos në këta muajt e fundit, me mbështetjen e dhënë në favor të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe angazhimin për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”, kryeministri Kurti i kërkoi Greqisë “t’i bashkohet bllokut të vendeve që e kanë njohur Kosovën”.
Greqia është një nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por ka pranuar pasaportat e saj dhe ka lejuar hapjen e një zyre ekonomike e tregtare të Kosovës në Athinë.
Sipas komunikatës së qeverisë së Kosovës, kryeministri Mitsotakis rikonfirmoi përkushtimin e Greqisë “në promovimin dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në mes dy vendeve në kuadër të promovimit të perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor”.
Në fillim të muajit qershor, ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, qëndroi në Prishtinë, ku tha se Greqia është e interesuar të rrisë bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar me Kosovën, dhe se vendi tij do të ndjek një qasje konstruktive kundrejt statusit të saj politik. Ai tha me atë rast se dy vendet kanë bashkëpunim të mirë nëpërmjet zyrave për çështje ekonomike.
Qeveria greke është pajtuar të avancojë statusin e zyrës ekonomike e tregtare të Kosovës në “zyrë të interesit” të Kosovës”, që do të sigurojë trajtimin e çështjeve jo vetëm ekonomike, por edhe në fusha tjera si ato politike.
Paralajmërimi për avancimin e zyrës kishte nxitur reagime të autoriteteve serbe që shfaqën shqetësimin për mundësinë që Greqia të lëvizë drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Serbia vazhdon të kundërshtojë shtetësinë e Kosovës por është përfshirë në një procese negociatash për normalizim marrëdhëniesh që është kusht për përparimin e të dyja vendeve drejt integrimeve evropiane.