Këto ditë u përkujtua, me lot e dhimbje, 14 vjetori i ekzekutimit të paramenduar politik, i dy oficerëve të Kosharës, Isuf Haklaj dhe Sabahate Tolaj. Familjet, bashkëluftëtarët, qytetarët që nuk pajtohen me krimin, nga Peja, Gjakova, Deçani, Klina, Istogu dhe gjetkë, bënë homazhe tek pllaka përkujtimore, në hyrje të objektit të Policisë në Pejë, një lokacion shumë domëthënës; ke vend-prehja e Sabahatës në Pobërxhë dhe në kompleksin memorial në Koshare, ku prehen edhe eshtrat e Isuf Haklaj.
Realisht, varrimi i Sabahatës duhej të ishte Kosharja, por, prindërit e moshuar, babë Dema dhe nënë Shaha, donin ta kishin pranë, edhe të vdekur, vajzën e tyre, krejt të veçantë, Sabahatën. Andaj, u bë kjo ndarje, ky përjashtim. Por, më vonë, eshtrat e Sabahatës do të bartën në Koshare, tek shokët e saj të luftës.
Njohja me shefen e Emërgjencës, Sabahate Tolaj
Kohë lufte. Ushtrimorja ushtarake e Brigadës “Mërgimi”, ishte kontraktuar nga nipërit e mi, Hasan dhe Ismet Rexhaj, në lokacionin e ish-pikës ndërlidhëse ushtarake për Veriun e Shqipërisë, në Drojë të Mamurrasit, rrethi i Kurbinit. Kolonel Tahir Zemaj, një ushtarak me shumë veçantira, i shquar në strategji ushtarake dhe trimëri qytetare, u përzgjodh komandant i kësaj ushtrimoreje, nga Ministri i Mbrojtjes, Kolonel Ahmet Krasniqi. Fitorja e Betejës të Loxhës, i kishte dhënë shumë shkëlqim e madhështi. Por modestia proverbiale e Kolonel Zemaj mbetej dominante në sjelljen e tij me vartësit, kolegët dhe miqtë numerikë që kishte ai.
Brigada “Mërgimi” ishte bërë e njohur për përgaditjen e ushtarëve dhe përcjelljen e tyre në frontin e luftës. Pranë kësaj qendre ushtrimore, fillimisht, ishte vendosur teknikja specialiste e aviacionit, tani, në cilësinë e shefes të Emërgjencës të Luftës, Sabahate Tolaj. Ajo erdhi me një fuoristradë, xhip, në Fabrikën e Miellit “Etniku”, e cilat ishte bërë pikë-pritjeje dhe shpërndarëse e refugjatëve, ikanakëve të luftës nga Kosova. Kjo firmë pushoi aktivitetin e saj bisnesor dhe me 18 punëtorët që kishte, 4 (katër) kamionat e tonazhit të madh, mori përsipër edhe furnizimin e ushtrisë, në Malësinë e Gjakovës dhe të Prizrenit, me bazën materiale dhe armatimin, nën drejtimin e vëllezërve Hasan dhe Ismet Rexhaj, nga Cërca e Istogut. I pari, Hasan Rexhaj, absolvent në Universitetin e Tiranës, luftëtar i orëve të para në Koshare, tani, nuk është në jetë.
Sabahate Tolaj shoqërohej nga Rrustem Demaj, nga Vrella e Istogut, ish-burgaxhi politik, i dënuar si kuadër i Ministrisë të Mbrojtjes, të drejtuar nga ministri i parë, gjeneral Hajzër Hajzeraj. Oficer Rrustemi e prezantoi Sabahatën, në cilësinë e shefes të Emërgjencës. Sabahatja shquhej për bukurinë, zgjuarësinë dhe trimërinë, cilësi këto të harmonizuara për lakmi. Oficerja e UÇK-së të FARK-ut, shquhej si organizatore, duke mbuluar me furnizime zonat kufitare, me bazën kryesore Kosharën, legjitimuese e luftës të Kosovës.
Bashkëpunimi me shefen e Emërgjencës të Luftës, oficeren e aviacionit, Sabahate Tolaj, ishte një privilegj për mua dhe nipat e mi. Njohëse e shkëlqyer e misionit që përfaqësonte, e sjellshme, e përkorë me vartësit, por, kërkuese e rreptë në zbatimin, kryerjen e detyrave.
Lufta nuk ka të papritura dhe befasira. Sepse përgaditja për të përballuar humbjet e bashkëluftëtarëve, është e pritshme. Kjo, sa i përket kohës përgjatë betejave të luftës. Por, pas lufta, paqja, humbja e shokëve në liri, madje, nga vetë shqiptarët, ishte goditje e rëndë, për shefen e Emërgjencës, ende në detyrë. Rexhë Osaj, Bashkim Balaj, Sinan Musaj, Ramë Idrizaj (Peja), të ekzekutuar në mesnatën e 22 qershorit 1999, ishte shokuese për Sabahate Tolaj dhe të gjithë bashkëluftëtarët FARK-istë.
Oficerja e luftës së Kosharës, Sabahate Tolaj, ishte shkolluar edhe në fushën e drejtësisë. Dhe, ajo, së bashku me oficerin e Kosharës, Isuf Haklaj, shërbenin në Hetuesinë Speciale, në Pejë, duke trajtuar, hetuar rastet e vrasjeve të pas luftës, në zonën e Dukagjinit.
Më 18 prill 2003, së bashku me kuadrin e luftës, Milazim Maraj, ishim për homazhe të organizuara në Koshare. Si miq të vjetër, takova dhe ndejem me shefen time të respektuar, Sabahatën, e cila shoqërohej nga një djalë. “Është kushëriri im, Agron Tolaj, i liruar, së fundi, nga burgjet e Serbisë”,- ma prezantoi kushëririn e saj Sabahatja. Duke biseduar për rastet në hetim e sipër, ajo më rrefeu diçka, sa dyshuese, aq edhe shokuese, për shefat e saj të UNMIK-ut: “Krejt në fund, duke e përmbyllur një dosje hetimi, shefat që na përcjellin, në vijimësi, na thonë: “Ju lumtë për punën e bërë! Tani filloni një rast tjetër krimi!” Dhe, dosja deponohet në kasafortat e UNMIK-ut, për të mos e hapur asnjërën prej tyre, të paktën, deri më tani!
Prej Kosharës zbritëm në Junik. Drekuam, modestisht, në një restorant të fshatit, së bashku me Sabahatën dhe, pothuajse, të gjithë oficerët e karrierës të luftës në Koshare. Të nesërmen, më 19 prill, organizohej Akademia Përkujtimore, për komandantin dhe komisarin Sali Çekaj. Një parti, që shefi i saj kishte lëshuar fletë-arrestin e parë për një ushtarak, kuptohet, ekzekutimin e tij, tani, pas vrasjes, kishte kërkuar ta kishte primatin, parësinë organizative të kësaj Akademie! Sabahatja, e cila, nganjëherë “lozte me nënë”, shfryu zëshëm, duke u zotuar se kjo nuk do të ndodhë. Dhe, oficerët e Forcave të Armatosura të Republikës të Kosovës (FARK), e mbështetën, pa rezerva, kolegen e tyre oficere, gjithë sharm e karizëm, Sabahate Tolaj. Kjo ishte edhe ndeja ime e fundit, me shefen time luftarake dhe dinjitoze.
Pak muaj më vonë, pikërisht, më 24 nëntor 2003, në një pritë, mirë të organizuar, nga një treshe kriminelësh, kur ekipi hetues, prej tre vetash në veturë, udhëtonte për në punë, u goditën me breshëri automatikësh, në fshatin Raushiq të Pejës, duke lënë të vrarë dy punonjësit e Hetuesisë Speciale, Sabahate Tolaj e Isuf Haklaj, dhe duke e plagosur kolegun e tretë, Hysen Lataj, që ndodhej në të njëtën makinë, i cili, fatlumërisht, mbijetoi atentatin.
Kryeministri kërkoi zbulimin e vrasjeve politike
Qasja e drejtëpërdrejtë e kryeministrit Ramush Haradinaj, për hetimin dhe zbulimin e vrasjeve politike, u mirëprit nga qytetarët e Kosovës, përkatësisht, nga ata që e duan Kosovën, ndryshe, nga ajo që është sot, e kriminalizuar, që nga institucionet e larta shtetërore, e deri poshtë, në administratën lokale. Në këtë gjendje mjerane, të të gjithë sistemit shtetëror, me theks të veçantë, të drejtësisë, me degëzimet e saj, prokurorinë dhe gjykatat, deklarata e kyeministrit Haradinaj, për ndriçimin e vasjeve numerike politike, duket si shumë skëptike, dyshuese dhe për konsum politik, “sa ta hajë mileti, populli!”
Në letrën dërguar kryeprokurorit Lumnezi, kryeministri shkruan: “Kërkoj nga Ju, që në kuadër të mandatit tuaj, të angazhoni të gjithë mekanizmat për ndriçimin e plotë të vrasjeve politike gjatë dhe pas luftës, si dhe zbardhjen e secilit rast të pandriçuar të vrasjeve të profilit të lartë qoftë politik apo ushtarak. Kam gadishmërinë e plotë, t`ju ofroj gjithë përkrahjen e nevojshme financiare, kadrovike, dhe çdo përkrahje tjetër, që mekanizmat tuaj të sigurisë dhe ato hetuese e konsiderojnë të nevojshme”.
Kërkesë për hetimin dhe zbulimin e vrasjeve politike kanë bërë, para Haradinaj, edhe Hashim Thaçi e Kadri Veseli, të cilët, bashkë me Ramush Haradinaj, janë më të dyshuarit për gjëmën e madhe të Kosovës, vrasjet politike, para, gjatë dhe pas luftës.
Por, në përgjigje të tre zyrtarëve më të lartë të Kosovës, kuadri besnik i Presidentit Rugova, heroi i gjallë, Fetah Rudi, i atentatuari i mbijetuar, por, i invaliduar përjetësisht, rekomandon një reçetë efikase, për zbulimin e vrasjeve dhe të plagosjeve politike, gjatë dhe pas luftës në Kosovë: “Vetëm bëhuni burra, ti Kryeministër, Presidenti, Kryeparlamentari dhe komandantat, që i keni në Qeveri dhe në Parlament, dhe i tregoni të gjitha, se ju i dini”. Diç tjetër pse nuk e thonë kaq troç, si burri atdhetar e me kurajo qytetare i Malishevës, Fetah Rudi, por, i kësaj mendjeje është edhe opinioni shqiptar, që jo vetëm nuk pajtohet me krimin, por edhe kërkon dënimin e urdhërdhënësve dhe të ekzekutorëve të krimeve makabre e fatale për Kosovën tonë.
“Misioni i pamundur” i kryeministrit
Kështu titullohet një film, i cilësuar nga më problematikët, por edhe me shikueshmëri rekorde, me preferencë të veçantë nga opinioni botëror. Dhe, pse misioni i ri, kërkesa logjike e kryeministrit Haradinaj, shihet me dyshim, deri në mosbesim, për t`u realizuar? Ish agjentët e SHIK-ut, nga informacionet që kanë denoncuar, nga çerdhja kriminale e SHIK-ut, thonë e faktojnë se vetëm gjatë Qeverisë të Përkohshme, në përbërje të së cilës ishin PDK-ja dhe AAK-ja e sotme, janë vrarë 456 persona. Ndërsa, nga 12 qershori 1999 deri më 30 qershor 2000, janë regjistruar 600 vrasje të listuara, të gjitha të konsideruara vrasje politike: ushtarakë të FARK-ut, kuadro dhe veprimtarë të LDK-së të Ibrahim Rugovës.
Motivin e këtyre vrasjeve, bindshëm, e jep KFOR-i: “Qëllimi kryesor i SHIK-ut, të vriste intelektualë të afërt me LDK-në, të cilët paraqisnin problem, për ardhjen në pushtet të krahut të luftës”. Dhe, përsëri, KFOR-i, në një prononcim tjetër, nga vëzhgimet e tij në Kosovë, konfirmon: “Qëllimi kryesor i Organizatës ShIK, është vrasja e liderëve politikë të LDK-së. Celulat e vogla të SHIK, u japin caqe specifike, që duhet të vritën. Celulat veprojnë të pavarura”.
Këto të dhëna të qarta, të sakta, mirë të faktuara, përputhën edhe me dëshmitë e agjentëve të SHIK-ut, të cilët kanë qenë pjesë e këtyre celulave, vrasës të dëshmuar, duke besuar “arsyetimet” e shefave të tyre, se po vrisnin “në emër të popullit”! Dhe, krismat e tyre vrastare i mendonin si patriotizëm, si luftëtarë elitë të Kosovës.
Kur kuptuan hilenë e madhe të shefave të tyre, argatë të Serbisë, pranuan mashtrimin dhe fajësinë, duke dëshmuar pendesën e thellë dhe kërkim-faljen e çiltër, familjeve të viktimave të tyre. Kundër anëtarëve të tij të penduar, SHIK-u pagoi shuma të majme, për vrasjen e tyre, duke i gjuajtur, granatuar, në errëirën e natës, shtëpitë e tyre. Ata shpëtuan vetëm në saje të guximit të tyre qytetar: “Ose hunin, ose tirqit!”
Për çudë, SHIK-u denoncoi ke pushtuesi, i vuri në pritë ose i ekzekutoi fshehtas, anëarët idealistë të hershëm të LPK-së, të cilët u aktivizuan në luftë, pa lejën e “UÇK-së” të SHIK-ut, duke ua fshehur edhe kufomat, për vite me radhë! Sepse, kjo biçim “UÇK-je” hoqi dorë nga lufta kundër pushtuesit. Dhe, të gjitha bateritë i zbrazi kundër LDK-së të Ibrahim Rugovës dhe FARK-ut luftëbërës.
Këtë fakt e denoncon edhe Fehmi Lladrovci, tani, Hero i Kosovës, kur akuzon “shokët” e tij të LPK-së, pse zhurmojnë sallave luksoze të botës, duke shpërdoruar parat e mërgimtarëve, përkatësisht, të Fondit “Vendlindja therret”, hoteleve e vilave të “Bllokut”, duke mrizuar nën hijen e drurëve dekorativë – mimoza dhe bredhave hije-rëndë të Tiranës hyjnore. Akuza për tradhtinë e SHTAB-istëve dhe pyetja dëshpëruese deri në vajë, “pse nuk vini, të luftoni në Kosovë”, e luftëtarit vetanak, Lladrovci, i cili, kur u vra ishte vetëm me Xhevën e tij besnike dhe një vajzë, e bashkuar atyre, në ikje e sipër, flet më shumë se mijëra fjalë të sotme.
1) Pritjes dyshuese, për “mrekullirat” e kryeministrit Haradinaj, i shtohet edhe fakti se njëri nga tre atentatorët e Sabahate Tolaj, Isuf Haklaj dhe Hysen Lataj, krimineli Bedri Krasniqi, ishte një ish-truproje i kryetarit të partisë. Ai ishte, relativisht, i ri dhe nuk kishte asnjë lidhje, asnjë motiv bindës personal, për të ekzekutuar oficerët e Hetuesisë Speciale, me punë në Prokurorinë e Pejës. Ndonëse ai u zbulua nga gishtërinjtë e lënë sipër makinës, kur u afrua për të parë, nëse atentatimi ka qenë i suksesshëm, dy shokët e tij kriminelë, nuk u zbuluan kurrë!! Porositësit e atentatit, kanë penguar dje dhe, pengojnë edhe sot, pas 14 vitesh, zbulimin e identitetit të dy pjesëmarrësve tjerë në vrasje.
2) “Arratisja” e Bedri Krasniqit nga Burgu i Dubravës, u bë kur ministri i drejtësisë ishte nga AAK-ja, i cili e kishte vizituar burgun, duke e lavdëruar si “çlirimtar”, edhe pse vuante dënimin si vrasës i dyfishtë dhe plagosjen e një të treti! Dhe, kur kishte reaguar një polic i pranishëm, “pse merr në mbrojtje një vrasës, zoti ministër”, truproja i ministrit i është ofruar policit, me kërcënimin: “Kam dëgjuar që keni një djalë. Është mirë ta rrisni!”
3) Një fakt shtesë është përzieja e politikës në drejtësi. Atentatori i Sabahate Tolaj, Isuf Haklaj, Hysen Lataj, nuk mori dënim të përjetshëm, për vrasje të cilësuara, siç ishin Hetuesit e Prokurorisë Speciale. Ndëkohë, për një vrasje të paramenduar në Londër, dy shqiptarë ekzekutuan një shqiptarë të tretë, u dënuan të dy me burgim të përjetshëm.
4) Shoqërimi, fotografimi i kryeministrit Haradinaj, me persona me recedent kriminal, si dhe akomodimin e tyre në poste, ngjallë dyshimin e bazuar se më shumë se sa seriozitet, kemi tymnajë. Njëri syrësh është i dyshuar për pjesëmarrje në vrasjen e Tolaj dhe Haklaj.
5) “Unë nuk di që kanë bërë krime ushtarët pas luftës! Ndonjë gabim edhe mundet me ndodhë”, – thotë kryeministri Ramush Haradinaj! Vallë, a mund të besohet se kaq naiv dhe kaq i pa informuar qenka kryeministri i Kosovës?!! Një gënjeshtër, sa dizinformative, aq edhe e qëllimshme. Këtu, doza e dyshimit e kryeministrit Haradinaj, se nuk do ta mbaj premtimin publik, për ndriçimin e vrasjeve politike, kulmon. Sepse, siç ka deklaruar Kolonel Tahir Zemaj, Hero i Kosovës, se “asnjë krim politik, ekonomik dhe ordinier, nuk është bërë pa pjesëmarrjen e ushtarëve të TMK-së dhe të
Policisë të Kosovës”
Dhe, këtë e kanë dëshmuar të gjitha gjyqet e bëra, përgjatë 18 viteve të fundit. Dhe, TMK-ja e Policia e Kosovës, ishin pikërisht “ushtarët”, të cilët i rehabiliton, shfajëson kryeministri i Kosovës. Pas luftës, klani i Drenicës, i Dukagjinit, i Llapit, përkatësisht, shefat e SHIK-ut, në këto tri zona, më të kriminalizuara të Kosovës, nxituan për t`i strehuar në TMK-e dhe PK-së “ushtarët” kriminelë të tyre, në ekzekutimet e shqiptarëve të pafajshëm. Nuk e mohojmë praninë edhe të vajzave dhe të djemëve, në TMK-e dhe PK-së, të cilët kanë qenë dhe mbetën të pastër si loti, por, mjerisht, ishin minoritet në mesin e banditëve.
Megjithatë, faktet e numëruara, që, logjikisht, relativizojnë angazhimin, premtimin publik të kryeministrit Haradinaj, për zbulimin e vrasjeve politike në Kosovë, para, gjatë dhe pas luftës, të cilat janë aq numerike, sa e tejkalojnë numrin e dëshmorëve, të rënë në luftë. Vrasjet politike kanë ndodhur, realisht. Varret janë anekënd Kosovës, por, mbizotërojnë, në shumësi, në Dukagjin, Drenicë e Llap, ku kanë vepruar bandat e SHIK-ut, madje, në koordinim me njëra tjetrën, duke bashkëpunuar në kryerjen e krimeve reciproke, për të humbur gjurmët e krimeve. Kjo është konfirmuar në gjyqe dhe në denoncime tjera, nga disa ish SHIK-as, kriminelë të penduar.
Varret i viktimave politike, shtatoret, bustët, pllaka përkujtimore, janë të pranishme gjithandej Kosovës. “Vrasjet politike nuk i kanë bërë jashtëtokësorët”, – siç pati thënë presidenti Fatmir Sejdiu, gjë që i kushtoi me shkarkimin e tij, për të intriguar me “argumente” tjera “motivuese”.
Zyrtarët monitorohen nga populli, kujdes kryeministër!
Zotimi publik, premtimi i dhënë, monitorohet, sidomos, kur bëhet nga zyrtarët e lartë. Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, nga foltorja e Parlamentit tha se “unë jap dorëheqje nga kreu i Kuvendit, nëse është dënuar qoftë edhe një anëtar i SHIK-ut për vrasje”. Ne i sollëm fakte të bollshme të krimit të vrasjes, të bëra nga anëtarë, madje, me librezë të prezentuar të SHIK-ut, të bërë publike, nga vetë ata. Por, Kadri SHIK-u gënjeu, nuk u dorëhoq! Dhe, “kur mbreti pjerdhë, mileti dhjetë”, – thotë populli.
Hashim Thaçi, kryetar i PDK-së, si kryeministër, ministër i jashtëm, sot President i Kosovës, ka mashtruar dhe gënjyer popullin e Kosovës, në vijimësi. Ata që e votonin, e besonin. Kur tha, vetëm një të vërtetën, se “Gjykatën Speciale e solli dështimi i sistemit të drejtësisë dhe kërcënimi e vrasja e dëshmitarëve”, nuk donin ta besonin! Për këtë të dytën, pra kërcënimin dhe vrasjen e dëshmitarëve, Presidenti, faturimin ia bëri Dukagjinit, meqë prinë në shumësi krimesh të tilla.
Kjo akuzë e rëndë duhet ta motivojë edhe me shumë zotin Haradinaj, për të këmbëngulur, për ta hulumtuar e zbuluar të vërtetën, për vrasjet politike, deri në shterrim.
Zoti kryeministër, jeni në monitorimin gjithë-popullor, për fjalën e dhënë, për të hetuar e zbuluar krimin e madh ndërshqiptar, vrasjet e listuara politike. Edhe pse nuk e keni kushtëzuar me dorëheqje, si Kadri Veseli, megjithatë, është morale, ose mbaje fjalën, kryeministër, ose dorëhiqu. Dhe, çdo alternativë tjetër, përjashtohet. Urojmë të mos zhgënjehemi!
Komentet