* Autobusi me besimtarë ortodoksë dhe priftërinj
* Ekskursioni i organizuar nga Kisha e Shën Theodhorit në Vlorë
* Policia: Ngjarja aksidentale
* Dëshmia e priftit: Ishim 35 persona, ja si shpërthyen flakët
* Të gjithë turistët nga 40 deri në 60 vjeç
KRUJE- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e sotme në qytetin e Krujës, kur një autobus, brenda të cilit kishte 35 besimtarë dhe priftërinj të Kishës Ungjillore të Vlorës, ka shpërthyer në flakë në ecje duke u shkrumbuar plotësisht.
Burimet policore bëjnë me dije se 2 persona kanë vdekur, ndërsa 12 të tjerë janë plagosur. Njëra prej viktimave është grua e moshës rreth 60-vjeç, ndërsa bëhet me dije se ka mbetur e shkrumbuar brenda autobusit pa mundur të dalë.
Mësohet se autobusi ishte nisur nga Vlora për ekskursion në Krujë, ndërsa të gjithë turistët janë të moshësa nga 40 deri në 60 vjeç,pjesa më e madhe gra. Autobusi ka marrë flakë gjatë ecjes dhe kjo ka penguar që personat të mund të dalin prej tij. Personat më me shumë dëmtime, raportohet të kenë qenë në pjesën e fundit të autobusit, aty nga kanë shpërthyer edhe flakët.
10 gra janë dërguar nga spitali i Krujës në repartin e djegie plastikës në QSUT e Tiranës, ndërsa 2 prej tyre janë transportuar me makina personale.
LISTA ME EMRAT E UDHËTARËVE TË AUTOBUSIT
RAMA E BEQAJ NË QSUT
Ora 13:16- Kryeministri i vendit Edi Rama dhe Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj kanë shkuar të shohin nga afër të plagosurit në QSUT.
4 TË LËNDUAR NË QSUT ME DJEGIE TË KONSIDERUESHME
Ora 13:01- Gazetari i News 24, Erion Skëndaj raporton nga QSUT-ja se 4 gra të mbërritura deri tani kanë djegie të konsiderueshme. Ai shton se mjekët nuk japin shumë detaje, pasi janë duke dhënë ndihmën e nevojshme.
MBËRRIN NË QSUT HELIKOPTERI I DYTË ME TË PLAGOSURIT
Ora 12:45- Ka mbërritur helikopteri me persona të tjerë të plagosur nga shpërthimi i autobusit në Krujë. Nga pamjet e transmetuara live nga News24, duken qartë udhëtarët me plagë të rënda në trup për shkak të djegies.
DREJTORI I SPITALIT TË KRUJËS: MUND TË KETË HUMBUR JETËN EDHE NJË PERSON I DYTË
Ora 12:35- Drejtori i spitalit të Krujës, Arben Kurti deklaron se mund të ketë 2 viktima nga djegia e autobusit në qendër të qytetit. Ai tha se përveç gruas që u shkrumbua në autobus, dyshohet edhe për një tjetër viktimë. “Ishin 10 të lënduar lehtë dhe 3 në gjendje të rëndë. Të gjithë u dërguan për në Tiranë. Dyshohet edhe për një tjetër të vdekur, kam një informacion paraprak”,- tha ai.DËSHMIA: AUTOBUSI U NDEZ MENJËHERË, DOLËM NGA DRITARJA DHE DERA
Ora 12:30- Një prej personave që ndodheshin në autobus, prifti Kostandini ka rrëfyer për News24 dinamikën e ngjarjeve dhe minutat e tmerrit se si i shpëtuan flakëve udhëtarët.
“Ishim në udhëtim për në Krujë. Autobusi u ndez menjëherë. Shoferi hapi kroskotin. Dikush na ndihmoi theu xhamin me një varre. Disa dolë nnga dritarja dhe disa nga dera. Ishim 31 veta. Ishim nisur për në Shkodër dhe do shkonim në Ulqin dhe do ktheheshim nesër. Filloi të futej tym brenda, shoferi ndaloi dhe sa ndaloi filloi flaka dhe ne u hodhëm poshtë”, tha një prej dëshmitarëve.
MBËRRIJNË 4 TË PLAGOSUR NË TIRANË
Ora 12:18- Katër persona kanë mbërritur në repartin e djegie-plastikës në QSUT. Ata janë sjellë me helikopterë. 12 është numri i të plagosurve, 10 prej tyre janë në gjendje të rëndë.
PERSONI I KARBONIZUAR BRENDA NË AUTOBUS
Ora 12:20- Trupi i karbonizuar i një prej personave ndodhet ende në autobusin e shkrumbuar. Gazetari Prend Shota tha se në Krujë ndodhet një numër i madh autoritetesh dhe i forcave të rendit.
KREU I BASHKISË KRUJË: JA SI NDODHI NGJARJA
Ora 12:15- Kreu i Bashkisë së Krujës, Artur Bushi ka treguar gjithë çfarë ka ndodhur në një lidhje telefonike për News24.
Ai tha se autobusi është përfshirë menjëherë nga flakët dhe se kanë qenë qytetarët ata që kanë njoftuar shoferin dhe duke i thënë të ndalonte menjëherë. Sapo shoferi ka zbritur duke hapur derën, flakët janë përhapur më shumë.
“Një autobus me turistë nga Vlora është futur në qendër të Krujës dhe përballë qendrës shëndetësore ka shpërthyer flaka. Qytetarët e kanë parë dhe e kanë lajmëruar. Të gjithë personat në autobus janë përpjekur menjëherë të dalin. Me sa kam informacion është 1 viktimë, në dispozicion janë policia, ambulanca, zjarrfikësja. Janë evakuuar menjëherë personat e tjerë në autobus. Shkaqet e zjarrit nuk dihen.
Shoferi dhe personat nuk i kanë parë flakët. Të gjithë kanë dalë menjëherë me përjashtim të një gruaje. Flakët kanë shpërthyer menjëherë dhe ndoshta ajo nuk ka dalë dot nga autobusi. Nuk dihet nëse janë të huaj”, tha Bushi.
10 TË PLAGOSUR TRANSPORTOHEN DREJT TIRANËS
Ora 12:10- Pas shpërthimit për shkaqe ende të panjohura të autobusit në Krujë, mësohet se 10 besimtarë u transportuan drejt Tiranës. Mësohet e ata po kurohen pranë repartit të djegjeve në QSUT.
Komentet