Të jetosh në Bergamo, në veri të Italisë, në këto kohë do të thotë të marrësh frymë në një qytet fantazmë: shkolla, universitete, biblioteka dhe palestra të mbyllura, të gjitha aktivitetetet didaktike, kulturore, sportive janë anuluar për shkak të përhapjes së virusit Covid-19. Qyteti është tkurrur, është zvogëluar dhe, ndonëse nuk mungojnë ditët me diell, rrugët janë të shkreta, baret e lokalet bosh, autobusët shkojnë e vijnë duke trasportuar pak njerëz. Një situatë surreale.
Frika dhe paniku janë aq afër! Më parë nuk e mendoje se do t’i përjetoje me një intensitet të tillë, aq sa të duket sikur i prek me dorë.
Shifrat më të fundit janë të frikshme: 3.916 të infektuar në Itali, ndër të cilët 2.008 vetëm në Lombardi, 197 të vdekur dhe një numër gjithnjë më i madh njerëzish që vazhdojnë të sëmuren. Harta e të infektuarve po zgjerohet gjithashtu në shumë shtete të tjera të botës dhe as nuk mund të parashikohet se kur ka ndërmend të ndalet epidemia.
Në këtë situatë heronjtë e vërtetë janë ata, mjekët, të heshturit, që po e përballojnë situatën e rëndë duke punuar me orare të stërzgjatura, natë e ditë, ndërsa një pjesë e tyre nuk ka mundur as vetë t’i shpëtojë infeksionit…Ata të cilët vazhdojnë të preokupohen se me këtë ritëm me të cilën po përparon virusi, do t’u shkasë situata nga duart dhe s’do të mund t’u vijnë më në ndihmë të sëmurëve…
Tani nuk mund të puthemi më, nuk mund të përqafohemi, nuk mund të rrimë pranë njëri – tjetrit, por në një distancë prej një metri dhe të respektojmë rregulla dhe kufizime që na imponohen nga situata e jashtëzakonshme. Liria jonë është kufizuar: nuk mund të shkojmë as në lokale ku ka njerëz, në kinema, në biblioteka. Nuk mundemi të udhëtojmë. Aeroportet, stacionet hekurudhore janë të shkreta dhe radha e gjatë e taksistëve pret turistët që nuk vijnë. Pjesa e sipërme e qytetit të Bergamo-s, Città Alta që në çdo stinë gëlon nga turistët tani është e zbrazur dhe e trishtë.
Çfarë nuk është i kufizuar në këto momente është pikërisht mendimi, mendimi ynë. Atë nuk duhet ta lidhim vetëm me këtë situatë, me virusin. Atë duhet ta lëmë të lirë, të mos i vëmë kufi. Ta çojmë në vendet më të bukura ku kemi qenë, në çastet më të lumtura që kemi kaluar me njerëzit e shtrenjtë. Ta marrim me vete gjatë një shëtitjeje në park, teksa lexojmë një libër të bukur, tek qëndisim, shkruajmë, vizatojmë dhe i biem kitarës. Atëherë mendimi ynë do të jetë i lirë, i lehtë, i kthjellët si ajri. Edhe tani që jeta duket sikur është paralizuar dhe ka mbetur pezull.
Komentet