Komuniteti malazez dhe ai kroat janë në pritje të reformave kushtetuese në Kosovë, që të fitojnë statusin e pakicës kombëtare. Autoritetet e Kosovës, ndër vite u kanë premtuar Zagrebit dhe Podgoricës, se kroatët, përkatësisht malazezët që jetojnë në Kosovë, shumë shpejt do të marrin këtë status.
Por, përtej vullnetit politik, ishin problemet me sigurimin e ndryshimeve kushtetuese ato që e pamundësuan një avancim të tillë për këto komunitete.
Aktualisht, pakicat e njohura me Kushtetutë në Kosovë janë komuniteti serb, boshnjak, turk, rom, ashkali, egjiptian dhe ai goran.
Të gjitha këto komunitete, kanë të garantuar përfaqësimin e tyre në Kuvendin e Kosovës dhe institucionet tjera në të dyja nivelet.
Në rast të përfshirjes edhe të kroatëve dhe malazezëve në Kushtetutë, mozaiku i komuniteteve të Republikës së Kosovës do të shtohej, dhe rrjedhimisht do të nevojitej garantimi i përfaqësimit të tyre në institucione, gjithashtu.
Gjatë vizitës në Kosovës, kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, ka kërkuar që komuniteti malazias në Kosovë, të njihet me Kushtetutë, me çka do të njihej si pakicë kombëtare.
Për këtë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i kishte premtuar kryeministrit malazez rregullimin e statusit të komunitetit malazias në Kosovë.
Një gjë e tillë nga institucionet e Kosovës në vitin 2012 i ishte premtuar edhe komunitetit kroat.
Ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në vitin 2012 gjatë një vizite që u kishte bërë qytetarëve kroatë, në qytezën e Janjevës pati thënë se janë pajtuar me kryeministrin e Kosovës që komuniteti kroat të jetë komunitet kushtetues, i përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe që do të ketë një vend të rezervuar në Kuvend.
Por, cilat janë kushtet juridike që duhet të plotësohen për të fituar statusin e pakicës?
Në rubrikën “Fokus” të Radios Evropa e Lirë flasin ekspertë të kësaj fushe si dhe juristë.
Kujtim Kërveshi, jurist, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se infrastruktura juridike e Kosovës në kuptimin e respektimit të të drejtave dhe lirive të pakicave kombëtare ose komuniteteve, është bukur e gjerë, por njohja e statusit të komuniteteve të reja në Kosovë kërkon amendamentim, edhe kushtetues, edhe ligjor në Kosovë.
“Tani, krijimi i më shumë komuniteteve në Kosovë kërkon edhe krijimin e infrastrukturave ligjore, të cilat duhet t’i përkrahin këto të drejta – sepse përfaqësimi i tyre, i komuniteteve aktuale në Kosovë bëhet si pasojë e infrastrukturës ligjore që ekziston në Kosovë – duhet të bëhet me ndryshimin e ligjeve të tjera, të cilat duhet të garantojnë pjesëmarrjen e tyre, sidomos kur bëhet fjalë për pjesëmarrje në trupa, të cilët janë të themeluar për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre në Kosovë dhe të cilat janë të garantuar me legjislacionin në fuqi”, sqaron Kërveshi.
Ai shton se çdo ndryshim kërkon edhe pjesëmarrjen e pakicave të tjera, ashtu siç janë të përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në kuptim të votimit.
Njohja e komunitetit malazias si pakicë kombëtare në Kosovë, thekson Kërveshi, ka qenë e vendosur kryesisht në vullnet politik dhe sipas tij, nëse ekziston ky vullnet politik, atëherë duhet të përkthehet edhe në kuptim ligjor, që do të krijonte pastaj edhe detyrime për Republikën e Kosovës në raport me njohjen e statusit të tyre.
“Në kuptim të kritereve për të krijuar një komunitet, ky është krejtësisht një vullnet politik i politikëbërjes në Kosovë. Nëse të njëjtit kanë vullnetin politik që ta njohin me status një entitet të ri, i cili do të njihet si komunitet në Kosovë, e që, për shkak të gjuhës, origjinës, ose dallimeve tjera, dallon me komunitetet e tjera, që janë pjesëtarë të Republikës së Kosovës”.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës ka një formulim interesant, që njeh shqiptarët dhe komunitetet e tjera, dhe tani, në suaza të kësaj, pra të pjesëtarëve shumicë, pastaj të tjerët që vijnë me radhë, duhet të njihen edhe komunitetet e tjera, të cilat me vullnetin politik, ne duhet t’i njohim si pjesëtarë të Republikës së Kosovës, me një pako të veçantë, që njihet si komunitete”, thotë Kërveshi.
Për të njohur me Kushtetutë statusin e një komuniteti, profesori i së Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu, thotë për Radion Evropa e Lirë se duhet të plotësohen kushtet etnike, kushtet historike të qëndrueshmërisë shekullore, kriteret kulturore e standarde të tjera.
Megjithatë, ai shton se në Kosovë komuniteti malazias dhe ai kroat nuk plotësojnë standardet që kërkohen për t’iu statusi me Kushtetutë.
“Komuniteti malazias dhe as ai kroat nuk i plotësojnë kushtet nga aspekti i përqindjes së dalluar që të jenë në Kushtetutë. Ajo që është bërë me Kushtetutën e Kosovës, me gjithë respektin ndaj çdo komuniteti dhe përcaktimeve të tyre edhe etnike edhe historike dhe të drejtave të tyre, në Kosovë minoritet pakicë janë njohur pranuar si të tilla, të cilat rrallë kund i gjeni, për të mos thënë askund”, thotë Baraliu.
Baraliu thekson se në kuadër të standardeve dhe kritereve që duhet të plotësohen, mund të njihet një komuniteti si pakicë kombëtare, por jo siç thotë ai, ‘sipas dëshirës se kujtdo qoftë’.
Me Kushtetutën e Kosovës në Kuvend janë të rezervuara 20 vende për pakicat, nga të cilat 10 janë për komunitetin serb e 10 për komunitetet e tjera.
Përfshirja e këtyre komuniteteve në Kushtetutë, a do të nënkuptonte riaranzhimin e ulëseve në Kuvend dhe ndryshimin e simboleve të Kosovës?
Kujtim Kërveshi sqaron se ndryshimet e tilla do të kërkonin një ndryshim të jashtëzakonshëm të infrastrukturës ligjore në Kosovë në raport me çdo të drejtë që një komunitet ka edhe në kuptim të shfrytëzimit të gjuhës edhe në kuptim të shfrytëzimit të simboleve dhe të gjitha të drejtave të tjera që iu takojnë me ligjet në Kosovë.
“Kjo nënkupton edhe të drejtat që ata duhet t’i gëzojnë në raport me përfaqësimin e tyre në Kuvendin e Kosovës dhe mekanizmat tjerë”, thotë Kërveshi.
Ndërkohë, Sllobodan Vujiçiq, kryetar i Shoqatës së Malazezve të Kosovës, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se para 10 vjetësh kanë dorëzuar kërkesat e para zyrtare që Kosova ta zgjidhë pozitën kushtetuese-ligjore të bashkësisë malaziase, si dhe përfaqësimin adekuat të tyre në Kuvendin e Kosovës.
Megjithatë, ai shton se për këto 10 vjet në përgjithësi, pozita e malaziasve është përmirësuar, por ende nuk jemi as për së afërmi të barazuar me bashkësitë tjera në Kosovë.
Ai thotë se komuniteti malazias në Kosovë do të duhej të njihej me status si pakicë kombëtare.
“Bashkësia malaziase është autoktone dhe është e pranishme në hapësirat e Kosovës qe 7 shekuj. Përveç një numri të monumenteve përkujtimore, faktet tona i vërteton edhe Muzeu etnologjik në Prishtinë. Nëpër shekuj, malaziasit ka lënë vulë të fuqishme në zhvillimin e shoqërisë së Kosovës, në përparimin e qytetërimit, edukimin e qytetarëve, në çlirimin e Kosovës dhe ndërtimin e institucioneve”, thotë Vujiçiq.
Në bazë të regjistrimit të popullsisë në vitin 1981, ka pasur 28 mijë e 27 malazias etnik në Kosovë. Por, sipas Vujiçiqit, pak kohë para luftës, gjatë dhe pas luftës, numri më i madh i malaziasve ka ikur në Malin e Zi, në Serbi dhe në ndonjë vend të tretë.
“Mbi malaziasit e mbetur, pas luftës dhe për shkak se nuk jemi bërë kategori kushtetuese, po bëhet asimilim i vazhdueshëm. Në qoftë se nuk fillohet sa më parë me zbatimin e Marrëveshjes për integrim dhe afirmim të bashkësisë malaziase, ne kërcënohemi nga zhdukja e tërësishme ose nga një lloj etnocidi”, thotë Vujiçiq.
Personat që iu përkasin komuniteteve në Republikën e Kosovës kanë të drejtë t’i gëzojnë individualisht apo së bashku me të tjerët, të drejtat dhe liritë themelore të njeriut që janë përcaktuar në obligimet ligjore ndërkombëtare të detyrueshme për Republikën e Kosovës. Këto të drejta dhe liri garantohen me Kushtetutë, me ligje, rregullore dhe politika tjera shtetërore.
Komentet