Në të gjithë botën dhe në të gjitha kohërat krizat janë shkaktuar nga qeveritë. Në të gjitha rendet, demokratike apo diktatoriale, krizat janë shkaktuar nga qeveritë. Është rasti i parë, në të gjithë botën, që një opozitë, ajo e Kosovës, akuzohet nga qeveria për krizën e shkaktuar nga vetë qeveria.
Detyrën për të qeverisur një vend, cilido qoftë ai, e ka qeveria. Për këtë ajo ka kërkuar të vijë në pushtet, për këtë ajo rri në pushtet, për këtë ajo mëton të vazhdojë të mbetet në pushtet. Nuk mund të akuzohet opozita pse qeveria dështon në politikë, pse ajo dështon në ekonomi, pse ajo dështon në rend dhe siguri, pse ajo dështon në diplomaci, pse ajo dështon kudo. Dhe, të gjitha këto dështime, përmblidhen në një emër të vetëm: krizë.
Le të kujtojmë shembullin e Shqipërisë këto 25 vitet e fundit: Asnjëherë opozita nuk është fajësuar për krizat e panumërta në jetën institucionale të vendit. Nëse nuk kanë pasur pavarësi institucionet, kjo ka ndodhur për fajin e qeverisë. Nëse kjo dukuri ka prodhuar kriza të natyrave të ndryshme, asnjëherë nuk është fajësuar opozita.
Opozita mund të jetë kritikuar, por qeveria është fajësuar, për skemat piramidale. Opozita mund të jetë kritikuar, por qeveria është fajësuar për ngjarjet që pasuan shembjen e skemave piramidale. Madje opozita është shpërblyer me ardhje në pushtet, ndërsa qeveria është dënuar me largim nga pushteti.
Kanë ndodhur bojkotime të panumërta, greva, protesta, demonstrata, përshkallëzime nga më tronditëset, por qeveritë janë fajësuar pse nuk kanë gjetur gjuhën ato gjuhën e përbashkët me opozitën. Gjithmonë qeveritë janë ato që fajësohen pse nuk e gjejnë gjuhën e përbashkët me opozitën.
Gjithmonë qeveritë fajësohen, ndërsa opozitat vetëm kritikohen.
Ashtu si nuk ngarkohen me fajet e qeverive, opozitat nuk kanë pjesë në meritat e qeverive. Nëse reformat janë të suksesshme, meritat i kanë qeveritë. Kjo ua zgjat jetën në pushtet qeverive, i çon përpara vendet e tyre, i begaton popujt e tyre.
Nëse do të kishte pasur ndonjë meritë gjithë këto vite, me siguri asnjërën prej tyre qeveria e Kosovës nuk do t’ia linte opozitës. Madje qeveria e Kosovës i sajon vetes arritje dhe merita që nuk ekzistojnë. Ashtu si ia faturon opozitës fajet e veta dhe i trillon asaj faje që nuk ekzistojnë.
Akuza më e pabazë dhe më e papërgjegjshme që qeveria e Kosovës ia bën opozitës është se kjo, opozita, e paska shkaktuar krizën aktuale në Kosovë. Madje Thaçi, edhe pas zgjedhjes së palavdishme për president, ngulmon t’ia mbushë mendjen edhe vetes se kriza është thjesht një ngërç institucional që e ka sajuar artificialisht opozita.
Opozitat rëndom kritikohen për mungesë kontruktiviteti, për mungesë alternativash, për mungesë pjesëmarrjeje aktive në jetën e vendit. Por, kur politika e qeverisë bën maksimumin për të penguar rolin e opozitës, këto kritika janë absolutisht të padrejta dhe pa vend.
Ato mund të jenë pjesë e fajit vetëm në rastet kur shndërrohen në opozita klienteliste, një dukuri, për shembull, që e karakterizon jetën politike në Shqipëri gjatë gjithë këtyre viteve. Dukuri që në Kosovë i ka karakterizuar vazhdimisht marrëdhëniet PDK-LDK në vitet pas pavarësisë.
Marrëdhëniet klielteliste janë vetëndëshkimi më i madh i një force politike, në pushtet apo opozitë. Matësi i së vërtetës, votuesi i thjeshtë, është ai që e jep ndëshkimin në kutitë e votimit.
Komentet