Një gjykatë në Moskë dënoi të mërkurën ish-gazetaren e televizionit shtetëror rus, Marina Ovsyannikova, me 8 vjet e gjysmë burg në mungesë, për shkak të protestës së saj kundër luftës së Rusisë në Ukrainë. Ky zhvillim shihet si goditja me e fundit ndaj zërave kundër agresionit rus, që janë intensifikuar që nga fillimi i sulmit 20 muaj më parë.
Marina Ovsyannikova u akuzua për përhapje të informacionit të rremë mbi ushtrinë ruse, konsideruar tashmë një vepër penale, me miratimin e një ligji, menjëherë pasi Kremlini dërgoi trupa në Ukrainë.
Në korrik të vitit 2022 gazetarja u shfaq me një pankartë e poster në kryeqytetin rus ku shkruhej: ‘Presidenti rus Vladimir Putin është një vrasës’, ‘Ushtarët e tij janë fashistë’, ‘352 fëmijë janë vrarë në Ukrainë’. ‘edhe sa fëmijë të tjerë duhet të vdesin që ju të ndalni (luftën)?”.
Pas këtij momenti Marina Ovsyannikova, e cila deri në mars të vitit 2022 punonte si gazetare në kanalin shtetëror rus ‘Channel One’, u ndalua dhe ndaj saj u vendos masa e arrestit shtëpiak, por ajo arriti të arratisej në Francë me vajzën e saj.
Autoritetet ruse e futën atë në listen e personave të kërkuar, e ndoqën penalisht dhe e gjykuan në mungesë.
Në mars të vitit 2022, gazetarja bëri lajm në mediat ndërkombëtare me shfaqjen e saj gjatë emisionit të lajmeve në ‘Channel One’, me një poster duke qëndruar pas kurrizit të spikeres. Në poster shkruhej; “Ndalni luftën, mos i besoni propagandës, ata po ju gënjejnë”.
Pas këtij zhvillimi ajo vendosi të lërë punën ndërsa autoritetet e akuzuan për përçmim të ushtrisë ruse duke e gjobitur me 270 dollarë.
Kremlini ka ndërmarrë masa legjislative duke i konsideruar kritikat ndaj luftës vepra penale. Në 20 muajt e fundit me mijëra rusë janë gjobitur e qindra të tjerë janë përballur me akuza penale pasi kanë folur publikisht ose protestuar kundër luftës.
Kritikët kryesorë të Kremlinit janë dënuar me burgim afatgjatë, organizatat e të drejtave të njeriut janë mbyllur, faqet e pavarura të lajmeve janë bllokuar si dhe gazetarët e pavarur janë larguar nga vendi, nga frika e ndjekjes penale.