Historia e lavdishme e shtypit pedagogjik shqiptar ka nisur që në periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Prandaj duhet theksuar se shtypi pedagogjik, publicistika pedagogjike shqiptare, kanë historinë e tyre shumëvjeçare. Ndër organet e para të mirëfillta arsimore, “Drita” ose “Dituria” e Stambollit, nën drejtimin e të mirënjohurit Pandeli Sotiri, që nga numri dy i saj, për dymbëdhjetë numra radhazi, me interesimin e drejtpërdrejtë të Sami Frashërit, ajo trajtonte probleme arsimore, në ndihmë të mësuesve për shkollat shqipe, në formë artikujsh për gjuhën shqipe, letërsinë shqipe, të dhëna historike për viset shqiptare, njohuri elementare gjeografike etj., si dhe përkthime nga letërsia botërore, për fragmente letrare me tingëllim aktual për Shqipërinë. Mësuesit e përdornin këtë organ edhe si tekst mësimor, sepse ishin vitet e fundit të shekullit XIX, kur ato mungonin.
Jeronim De Rada, me veprën “Flamuri i Arbrit” – (Flamuri i Arbrit), botuar në Kalabri, trajtonte probleme gjuhësore, letrare e historike për arbëreshët dhe vëllezërit këtej Adriatikut, në Shqipëri. Me pas, Mati Logoreci, me organin e tij “Dashamiri” dhe pak më vonë “Dashamiri i Ri”, botuar në Selanik etj., vazhdon të shkruajë me shqetësim për arsimin e gjuhën shqipe, përmes organeve të kohës, si “Shkolla e Re”, si dhe “Hylli i Dritës” etj.. Ato trajtonin probleme të arsimit, shkollës dhe edukimit, me vizion më të gjerë pedagogjik – mësimor.
Në vitet 1920-1924, kur Shqipëria kishte rreth 800 mësues, botoheshin organet “Arsimtari” dhe “Revista Pedagogjike”, me pas edhe gazeta “Mësuesi”, si organe të mirëfillta për mësuesit shqiptarë dhe njerëzit e interesuar për arsimin.
Pas Çlirimit të vendit, shtypit pedagogjik shqiptar iu shtua dhe Revista “Arsimi” e me pas “Arsimi dhe kultura” , botime mujore. Ato shkonin në çdo institucion arsimor edhe në skajet më të largëta të vendit, ku punonin mësuesit në arsimin, tashmë, të masivizuar. Më tej, në shtator 1961, doli gazeta “Mësuesi”, me kryeredaktor të parë, të paharruarin prof. Bedi Dedja – Akademik. Ajo u drejtua nga specialistë të arsimit, nën mbikëqyrjen e Ministrisë përkatëse.
Me anë të këtyre organeve, si dhe botimeve të mëvonshme të Institutit të Studimeve Pedagogjike, mësuesit përvetësonin përvoja të reja, ballafaqonin veten me ato problem, që trajtonte shtypi pedagogjik. Bashkëpuntorët ishin personalitete të arsimit e të shkollës shqipe, si dhe vetë arsimtarët, nga të katër anët e vendit. Ata shprehnin opinionet dhe mendimet e tyre, për të përmirësuar punën në arsim. Këto organe priteshim me shume kërshëri dhe interes të veçantë, sepse ishte një komunikim ndërmjet kolegësh, një shkëmbim njohjesh dhe përvojash, duke filluar nga informacionet e thjeshta e deri tek artikujt studimorë.
Këtu vlen të theksohet puna plot pasion dhe kulturë pedagogjike e disa drejtuesve dhe redaktorëve të Gazetës “Mësuesi”. Ndër ta, po përmendi këtu redaktorin për shumë vite dhe pastaj kryeredaktorin, prof. Ilir Kanini, i cili tërë kohën, përfshirë edhe vitin e vështirë 1997, kur mbizotëronte kaosi e rrëmuja, me kolegët e tij, e nxori gazetën “Mësuesi”, organ që vijoi më tutje, me shumë dinjitet, duke mbetur në kujtesën e mësuesve, si organ i dashur i tyre dhe jo vetëm kaq. Në këtë redaksi, përveç atij, me artikuj dhe përshkrime, intervista, ide, artikuj problemorë etj., kanë shkruar edhe pedagogë specialistë, të njohur të arsimit, si: Bedri Dedja, Hamit Beqja, Shefik Osmani,Musa Kraja,Kozma Grillo Bardhyl Xhama e plotë të tjerë studiues pasionant pas arsimit. Por ishin bashkëpunëtorë të pandarë të këtij organi arsimor edhe gazetarët dhe mësuesit e thjeshtë, si: Dhimitër Shtëmbari, Valier Peshkëpia, Murat Gecaj, Vlash Prendi, Kadri Tarelli, Viron Kona,Vedat Demiraj,Lec Zadeja, Idriz Kali, Gjovalin Alija, Sejdo Harka, Mihal Krimçe, Vjollca Spaho,Xhavahir Lleshi, Mevlud Buci ,Dhimiter Xhoga, Sabah Sinani, Qazim Dushku,Mark Vuji,Veli Brahimi,Latif Mujo,Ndue Dedaj, Ndue Dragusha, Veli Brahimi e plot të tjerë.
Kur dje, me 800 mësues, kishim dy organe arsimore e pedagogjike, me gazetën e tyre “Mësuesi”, po sot, që kemi rreth 35 mijë mësues, pse është ndërprerë, së pari, gazeta “Mësuesi” dhe që nga janari 2016 edhe revista “Mësuesi”? Dhe është fjala jo për një organ shtypi dosido, por kaq të shtrenjtë dhe të dashur për mësuesit tanë, anë e kënd Shqipërisë.
Gazeta e revista “Mësuesi” ose “Revista pedagogjike”, ishin një manual teorik – praktik për punën mësimore dhe edukative në shkollë, ishin një vlerë e shtuar për punën plot pasion të mësuesve me përvojë, si dhe një udhërrëfyes i domosdoshëm për mësuesit e rinj. Artikujt e ndryshëm, materialet metodike, temat studimore dhe historike, që mbushnin faqet e këtyre botimeve arsimore-pedagogjike, ishin me nivel shkencor dhe ndihmonin në përmirësimin e punës mësimore dhe edukative, në të gjithë komponentët e mësimit dhe të edukimit. Aty botoheshin, herë pas here, udhëzimet dhe vendimet e dikasterit përkatës, me qëllim që drejtuesit e arsimit në rrethe dhe mësuesit të njiheshin me to. Kështu, atyre u jepej mundësia të interpretonin dhe zbatonin sa më mirë dhe në kohën optimale të rejat, që hynin në sistemin tonë arsimor, të njihnin dhe zbatonin me rreptësi reformat në arsim etj.
Me gjithë dëshirën e mirë, për të pasur një organ pedagogjik në ndihmë të mësuesve, sidomos atyre të rinj, për fat të keq, sot ky shtyp mungon!? Ky është një shans i humbur për mësuesit e të gjitha kategorive, për t’u njohur ata me të rejat, ngjarjet, jetën në shkolla; me përvojën e mësuesve më të mirë dhe mbartësit e mendimit pedagogjik shqiptar, me metodat e mësimdhënies etj.
Pa u zgjatur më tej, nuk e kuptojmë qëndrimin indiferent të autoriteteve përkatëse në Ministrinë e Arsimit e Sportit, ndaj këtij fakti, kur dihet se nuk mbetej asnjë kopje e gazetës pa shitur, sepse interesimi i mësuesve për gazetën e revistën “Mësuesi” ishte tepër i madh. Prandaj, mendojmë që duhen marrë masa urgjente, që këto bashkudhëtare të mendimit pedagogjik të dalin sa më parë. Madje, kështu mund të themi edhe për “Revistën pedagogjike”, e cila vitet e fundit ishte bërë pronë e Drejtorive Arsimore në rrethe, të cilat e katandisnin nëpër rafte pa e dërguar në dorë të mësuesit.
Sot, më tepër se kurrë, shkolla jonë ka nevojë për një botim të tillë arsimor e pedagogjik, për vetë problemet e panumërta, që po ndeshin në procesin mësimor-edukativ, sidomos mësuesit tanë të rinj. Vështirësitë, që ata po hasen në zbatimin e programeve të reja mësimore, në kuadër të zbatimit të Reformës në arsim, janë të dukshme. I bëjmë thirrje Ministrisë së Arsimit e Sportit, që të rinisë sa më parë botimi i gazetës ose revistës “Mësuesi”, pasi mungesa e saj, ka krijuar një boshllëk të madh te mësuesit, të cilët, në atë organ, krahas përvojave, shfaqnin lirshëm edhe mendimet e tyre me vlerë rreth reformave dhe hapave që ka bërë dhe bënë arsimi shqiptar.
Me te lumte more “CJAP”s’di se me shuem ete te jap. Te lumte pena komanduar nga ajo mendie atdhetare mesuesi.
Me ju .Guri Naimit D,