Jeton Selimi – Shpallet lista e trajnerit Kristian Panuçi për lojtarët e grumbulluar për miqësoren me Norvegjinë, që luhet më 26 mars. Bien në sy në këtë listë emrat e Kristal Abazajt të Luftëtarit dhe Enis Gavazajt të Skënderbeut, por edhe emra të tjerë si Herdi Prenga dhe Bujar Lika, i pari luan me Inter Zapresiç në Kroaci dhe i dyti me Grasshopersin në Zvicër. Të dy emrat e fundit luajnë në mbrojtje. Konfirmohet thirrja e Ylber Ramadanit, mesfushorit që luan në Danimarkë.
Janë lënë jashtë emra si Migjen Basha, Azdren Llullaku dhe Ergys Kaçe, për të cilët trajneri Panuçi do të japë shpjegime të hënën. Po ashtu, për shkak dëmtimi nuk janë thirrur Veseli dhe Abrashi. Memushaj është ndëshkuar me karton të kuq në miqësoren e fundit me Turqinë. Ja dhe njoftimi i FSHF-së në lidhje me listën e Panuçit: “Sikundër është bërë tashmë traditë, tekniku publikon listën me lojtarët disa ditë përpara, teksa më pas për të gjithë gazetarët do të ketë daljen e tij publike në një konferencë për shtyp, ditën e hënë në orën 11.00 në FSHF. Në listën e trajnerit për këtë ndeshje shikohen edhe grumbullimet e disa lojtarëve të rinj, që vijnë për herë të parë në këtë skuadrën kombëtare të futbollit, në një kohë që një pjesë tjetër mungojnë edhe për efekt dëmtimi. Grumbullimi i skuadrës përfaqësuese do të nisë të hënën në datë 19 mars, në resort ‘Tropikal’ në Durrës. Ditën e hënë do të bëhet publik edhe programi i plotë mediatik dhe stërvitor për ekipin kombëtar të futbollit për të gjithë javën e grumbullimit”.
Abazaj
Futbollisti i Luftëtarit, Kristal Abazaj, mori një ftesë nga trajneri i Kombëtares për të qenë pjesë e skuadrës për ndeshjen miqësore ndaj Norvegjisë. Forma e shkëlqyer e 21-vjeçarit në Kategorinë Superiore e ka bindur teknikun italian që t’i japë shansin Abazajt për të veshur fanellën e Kombëtares A. Mesa duket, goli i shënuar ndaj Kukësit ka qenë vendimtar dhe ka vendosur vulën për afrimin e Abazajt. Ditën e sotme, klubi i Luftëtarit ka bërë publike e ftesën të mbërritur në klubin gjirokastrit në lidhje me përzgjedhjen e Abazajt për të qenë pjesë e Kombëtares dhe ai të lihet i lirë nga data 19 deri 27 mars.
Lika
Mesfushori 25-vjeçar, Bujar Lika është surpriza më e madhe e trajnerit Kristian Panuçi, në listën e grumbulluar për sfidën miqësore ndaj Norvegjisë, që do të luhet në datën 26 mars në stadiumin “Elbasan Arena”. Po kush është Bujar Lika? Ai ka lindur në Zvicër dhe është pjesë e klubit zviceran Grasshopers, që prej 8 janarit të vitit 2018. Lika është 1.77 metra i gjatë dhe ai mund të luajë në dy role, si mesfushor qendre dhe mesfushor i krahut të djathtë. Përpara transferimit të Grasshopers, shqiptari ka qenë pjesë e Shafhausen, Uohlen dhe Luzern U-21. Në 5 ndeshje në Superligën zvicerane, ai ka shënuar 1 gol, atë nda Luzernit, në 11 shkurt të këtij viti. Lika shihet si një futbollist tepër premtues në repartin e mesfushës, ndaj edhe trajneri i Kombëtares shqiptare ka menduar t’i japë një shans për ta pasur pjesë të skuadrës.
Prenga
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Kristian Panuçi, ka ftuar disa emra të rinj në Kombëtare për miqësoren ndaj Norvegjisë. Njëri ndër ta është edhe mbrojtësi Herdi Prenga, i cili luan në Kroaci me ekipin e Inter Zapresiç. Mbrojtësi është një lojtar i rritur në akademinë e Dinamos së Zagrebit dhe ka luajtur me ekipet e moshave të Kroacisë deri te Shpresat e tyre, por si përfundim ai zgjodhi të përfaqësonte Shqipërinë. 23-vjeçari ka luajtur 8 ndeshje me Shpresat e Shqipërisë dhe ka shënuar një gol vendimtar, atë të fitores 2-1 ndaj Hungarisë U-21. Prenga është gati të bëjë hapin e madh në Kombëtaren A të Shqipërisë.
Komentet