Jam i detyruar të bëj publike, një rast që nuk e nderon Korçën tonë. Para dy vitesh, Klubi i Shkrimtarëve “BOTA E RE” në Korçë, si edhe një grup intelektualësh, i kanë propozuar Bashkisë Korçë, që intelektualit të përmasave mbarëkombëtare, Kristaq Cepa, t’i jepet titulli “Qytetar Nderi” i qytetit të Korçës. Por siç e shihni, kjo kërkesë nuk po realizohet. Kristaq Cepa, intelektuali i përmasave kombëtare, studiuesi, shkrimtari e poeti satirik i viteve ’30-’40, drejtuesi për dy dekada i sektorit të arsimit e kulturës në Korçë, i dekoruar me titullin “Mësues i merituar”. Vlerat e këtij autori, rriten pa reshtur, po të shohim që dukuri të tilla, si korrupsioni politik e ekonomik, të cilat me penën e tij, ai i ka goditur pa mëshirë që në atë kohë, të pranishme janë në shoqërinë tonë, edhe në ditët e sotme….
Atdhetari i mirënjohur, Kristaq Andrea Cepa, u lind në Voskopojë më 21 mars të vitit 1908, në një familje të thjeshtë punëtore. Jetësuar së pari në këtë fshat- qytet me histori të hershme, Kristaqi do të merrte brenda vetëdijes së tij fragmente lavdie. Sigurisht, ato do t’i ngacmonin fantazinë dhe do t’i frymëzonin motive të fuqishme për veprime atdhetare.
I ati, Andrea, si dhe familja e tij provuan mbi shpatulla plagën e rëndë të kurbetit. Kuptohet, kjo nuk mund të mos i linin gjurmë të pashlyeshme në shpirt Kristaqit të vogël.
Mbasi mbaroi mësimet e para në vendlindje dhe Liceun Kombëtar në Korçë, Kristaq Cepa u emërua mësues dhe shërbeu deri edhe në fshatin Gollomboç të zonës së Prespës. Gjatë kësaj periudhë, që përkon me vitet 1934- 1937, ai është jo thjesht mësimdhënës, por edhe një veprimtar shoqëror, që gjurmon të vërteta jetësore për t’i bërë tema interesante në poezitë që do të botonte në këtë kohë në gazeta e revista të ndryshme. Sigurisht, gjatë kësaj kohe ai do të kontribuonte për ngritjen e pareshtur të nivelit arsimor e kulturor të banorëve të prapambetur të kësaj zone. Më pas, Kristaq Cepa do të emërohej mësues në qytetin e Korçës, ku shërbeu me përkushtim të lartë atdhetar.
Me pushtimin fashist të vendit, Kristaq Cepa do të përfshihej menjëherë në Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare. Edhe pse nuk munguan t’i bënin thirrje që t’u bashkohej të ashtuquajturve Baballarë të Kombit, intelektuali atdhetar Cepa jo vetëm që nuk iu përgjigj, por bëri të kundërtën: Shkoi dhe mbështeti fuqishëm ilegalët dhe militantët e lirisë. Tashmë atë do ta shikonin jo vetëm në lagjet e qytetit, por deri edhe në fshatrat më të thellë të rrethit. Por nuk do të vazhdonte shumë gjatë, sepse fashistët, përmes bashkëpunëtorëve të tyre, e arrestojnë. E arrestojnë dhe e internojnë në kampin fashist të Porto-Romanos në Durrës. Edhe në kushtet e vështira të izolimit në këtë kamp, ai nuk hoqi dorë nga veprimtaria e vet në dobi të luftës për çlirim. Së toku me antifashistë të tjerë, korçarë dhe jokorçarë, ai vazhdoi të demaskojë veprimtarinë fashiste të autoriteteve italiane. Siç pat treguar vite më parë ish-i internuari antifashist, i ndjeri Ylli Poloska, mësuesi Kristaq Cepa ishte një prej militantëve të guximshëm brenda kampit fashist. U frymëzonte durim e guxim të internuarve dhe u mbillte shpresë e besim të gjithëve, duke ua bërë të qartë, se do të vinte një ditë që do të mund të shpëtonin nga ai ferr fashist.
Mbas daljes nga kushtet e internimit, që përkoi me kapitullimin e fashizmit italian, Kristaq Cepa kthehet në familje, por nuk mbyllet në shtëpi. Përkundrazi, i mbushur me dashuri të zjarrtë për atdheun dhe me urrejtje të thellë për pushtuesit e huaj, nis e vazhdon në mënyrë të pandërprerë veprimtarinë e tij antifashiste. Nisur nga përgatitja e tij si intelektual, si dhe nga aftësitë e tij si veprimtar i shquar shoqëror, nga marsi i vitit 1944 e deri në çlirimin e plotë të vendit pat kryer me përkushtim të lartë detyrën e kryetarit të Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të lagjes ku banonte.
Që në vitet tridhjetë Kristaq Cepa u afirmua si një poet i talentuar, me shpirt të ndjeshëm atdhetar dhe me guxim civil qytetar. Atyre viteve atë do ta gjenin bashkëpunëtor të ngushtë të disa prej organeve të shtypit të kohës, si të revistave përparimtare “Flaka”, “Rilindja” dhe sidomos “Bota e re”. Lexuesi do ta gjente këtë shkrimtar në faqet e shtypit të kohës me pseudonime të ndryshme, si “KAPA”, ” MIKI MAUS”, “RAS” etj.
Duke shfrytëzuar armën e tij më të preferuar, humorin, Kristaq Cepa fshikulloi padrejtësitë shoqërore të kohës, të cilat i shikon- te qeveritarët e lartë, te deputetët e deri te nëpunësit më të thjeshtë të shtetit. Atyre viteve të para vitit 1940, ai vuri në lojë gjithçka që e shikonte si shkak që rëndonte mbi kurrizin e popullit të thjeshtë. Ja pse lexuesi i thjeshtë e priste dhe e lexonte me shumë kënaqësi krijimtarinë letrare të këtij poeti.
Edhe pse të shkruara tetëdhjetë vjet të shkuara, mjaft nga krijimet e tij letrare tingëllojnë tepër aktuale edhe sot e kësaj dite. Ja se si shprehet në poezinë humoristike “Kandidat për deputet”.
I aktivizuar gjallërisht jo vetëm në veprimtarinë publicistike, por edhe në atë letrare, Kristaq Cepa do të rreshtohej bindshëm krah krijuesve më të mirë të kohës; Selim Shpuzës, Kristaq Tutulanait, Misto Treskës, Petro Markos, Qemal e Veli Stafës, Sterjo Spasses, Aleks Çaçit, Nonda Bulkës, Migjenit, Dhimitër S. Shuteriqit e mjaft të tjerëve.
Me fillimin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Kristaq Cepa u përfshi menjëherë në të. Dhe nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Ky bir i thjeshtë i popullit nuk mund t’i ndante fatet e jetës së tij dhe të familjes së vet me ato të njerëzve të thjeshtë të popullit. Dhe ishte krejt i shpjegueshëm internimi që iu bë. Fashistët synonin t’i mbyllnin gojën, t’i ndryshonin mendimin dhe t’i ndërprisnin veprimtarinë praktike si antifashist.
Mbas çlirimit të atdheut, si shumë të tjerë, Kristaq Cepa nisi me entuziazëm të shërbejë në dobi të popullit të thjeshtë. E nisi punën e tij me botimin e gazetës “Përpara”, organ shtypi i Frontit Demokratik të Qarkut të Korçës. Po të shfletosh gazetat e atyre viteve të para të pasçlirimit, emrin e Kristaq Cepës do ta shikosh në shkrime të fuqishme, humoristike dhe johumoristike, që synonin edukimin atdhetar të masave popullore dhe mobilizimin e tyre për kryerjen e detyrave që ishin shtruar për rindërtimin e Shqipërisë..
Prof. Dr. i ndjeri Adriatik Kallulli, një studiues i vëmendshëm i krijimtarisë letrare të Kristaq Cepës, në parathënien e vëllimit poetik “Duke rrjedhur koha…” të poetit me pseudonimin “KAPA”, mes të tjerave do të shkruante: “KAPA ( Kristaq Cepa – shënimi ynë) është një shembull i denjë i qytetarisë me principe thellësisht demokratike, që jo vetëm nuk i trembet shtetit dhe shtetarëve, por përkundrazi, i demaskon ata, u zbulon demagogjinë, hipokrizinë dhe makutërinë prej thithlope. Kjo veçori e shkrimeve të Kapës do t’i japë atij kurdoherë një vend nderi, si përfaqësues i interesave të popullit që heq e vuan dhe që varfërohet edhe prej parlamentarëve, që në fakt duhet t’ia lehtësonin sadopak plagët e shumta dhe fukarallëkun”.
Vite më pas, nisur nga aftësitë që kishte si intelektual i shquar në fushën e arsimit, Kristaq Cepa drejtoi për rreth dy dekada sektorin e Arsimit e të Kulturës. Ai bëri të gjitha përpjekjet që ta shpinte dritën e diturisë në çdo skaj të rrethit, siç bëri përpjekje që kulturën ta mbillte në çdo familje të Qarkut të Korçës. Bashkëkohësit e kujtojnë si njëri me fantazi krijuese, si intelektual që dinte të vinte në lëvizje forca të shumta krijuese në shërbim të një detyre, që kishte lidhje me emancipimin e përgjithshëm shpirtëror e kulturor të njerëzve.
Për rolin që pat luajtur gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe për kontributin e veçantë që pat dhënë gjatë periudhës së pasçlirimit, ish-Presidiumi i Kuvendit Popullor i pat dhënë Kristaq Cepës disa dekorata, ndërkohë që i pat dhënë edhe titullin ‘Mësues i Merituar’.
Kristaq Cepa ka mbi 25 vjet që është ndarë nga jeta, por ai ka lënë prapa një emër që të kujton një intelektual idealist. Një intelektual që i qëndronte larg konformizmit, që nuk pajtohej kurrsesi me padrejtësitë shoqërore të kohës.
Madhështia që i mbetet atij që ndahet nga jeta nuk matet vetëm nga kujtesa e familjarëve. Nuk matet as thjesht nga respekti i atyre që e kanë pas njohur. Ajo matet mirëfilli vetëm nga nderimi i veçantë që ushqejnë ata që i lexojnë veprën apo që i çmojnë veprimtarinë. Parë nga ky kënd, vepra intelektuale dhe letrare e Kristaq Cepës është nderuar dhe vazhdon të nderohet nga një rreth i gjerë njerëzish jo vetëm në Korçë, por në mbarë Shqipërinë dhe Kombin Shqiptar.
Por çuditërisht dhe ende pa dhënë ndonjë arsye të mirëqenë Bashkia e Korçës prej dy vitesh hesht dhe nuk i jep përgjigje propozimit të qindra intelektualëve korçarë që intelektualit të përmasave mbarëkombëtare, Kristaq Cepa, t’i jepet titulli “Qytetar Nderi” i qytetit të Korçës. Kjo heshtje nuk e nderon as Korçën tonë dhe as Bashkinë!
Komentet