Në hierarkinë e ngjarjeve historike të vendit tim, ky takim, ky bashkëbisedim i jashtëzakonshëm dhe gjithëpërfshirës do të ruajë gjithmonë një pozicion nderi, sepse ky i kushtohet kryetemës, kryeaspiratës: paqes dhe lirisë së besimit – dy koncepte pa të cilat jeta jonë do të ishte e zhveshur nga humanizmi dhe thelbi i saj i rrezikuar nëse ato cenohen. Po kaq e rëndësishme më përvijohet kjo veprimtari globale, simbolika e së cilës bashkon historinë me të ardhmen, duke nxjerrë mësime nga e para për t’i shërbyer së dytës me shembuj, ballafaqime, përvoja e modele edhe për faktin se atë e organizon një komunitet i shquar si ai i Shën Exhidios, kontributi i të cilit në shërbim të paqes, besimit, lirisë, të drejtave të njeriut dhe demokracisë është mbresëlënës kudo dhe kurdo që ato kanë qenë të rrezikuara. Ne shqiptarët, kudo ku jetojmë, jemi dëshmitarë të këtij vullneti gjurmëlënës kur vështirësitë na rrethonin, ndaj në emër të popullit tim, të vendit tim, ju them ju, përfaqësuesve të Shën Exhidios, faleminderit nga zemra! Në Shqipëri jeni në shtëpinë tuaj.
Miq të nderuar
Dua të jem i sinqertë me ju! Ajo çka e bën më të veçantë e të paharrueshëm për mua këtë takim dhe këtë tubim të veçantë, jo vetëm rajonal, por ndërkombëtar për rolin e besimeve fetare në paqen botërore është fakti se ai organizohet pikërisht në kryeqytetin tonë. Kjo është një zgjedhje që na nderon. Ajo nuk është rastësore! Ndodh kështu, sepse vendi ynë, Shqipëria, është një shembull frymëzues, ndoshta edhe unik ashtu siç shprehej i madhi Indro Montaneli duke thënë se “Kjo është toka, ku Krishti dhe Muhameti ecin krah për krah”, vendi, ku njerëzit, pavarësisht se të ndryshëm në besim, dëshirojnë dhe duan paqen dhe lirinë. Kështu kanë udhëtuar shqiptarët në histori, krah për krah që kur harta e tyre fetare mori nuancë mozaiku duke e përjetuar diversitetin si diçka individuale, të brendshme e shpirtërore! Së bashku! Të vetëdijshëm për njësinë kombëtare, këmbëngulës për koherencën e saj! Të vetëdijshëm për gjuhën, kulturën, për traditat, kodet zakonore, duke ju falur Zotit gjithsecili në objektin e tij të kultit, pa cenuar lirinë, vullnetin, zgjedhjen, mistikën dhe ritet e njërit-tjetrit.
Krishtërimi dhe Islami, Katolicizmi dhe Ortodoksia, Sunitët dhe Shiitët janë realiteti ynë i bërë histori e si e tillë, vetëdija e gjithsecilit. Historia në këtë rast me plot gojë mund të thuhet se është mësuese e jetës. Ndër shekuj shqiptarët që u identifikuan me këto fe kanë dhënë një kontribut cilësor në historinë e civilizimit dhe të religjioneve, kontribut që përmbledh emra shenjtorësh e martirësh, papësh e patriarkësh, hoxhallarësh e shehlerësh, dijetarësh e shkencëtarësh, shkrimtarësh e historianësh.
Po kështu në proceset dialektike të kombit tonë askush nuk ka këqyrur fenë e luftëtarëve, prijësve, mendimtarëve, poetëve, rilindasve, burrave të shtetit si element ndarës, asnjë paragjykim nuk ka rënduar mbi besimin e tyre, përkundrazi ata janë të mbështjellë me krenari dhe nderim mbarëkombëtar, sepse na bënë të besojmë në kauzën e harmonisë tek bënin Shqipërinë për të gjithë ne, Shqipërinë e të sotmes dhe të nesërmes. Në këtë këndvështrim populli shqiptar e ka ndeshur herët modernitetin dhe etikën e tij.
Nuk ka bashkëkombas timin, pavarësisht sesi i lutet Zotit që nuk e ndien si të vetin, si të shenjtë, si të përjetshëm, Gjergj Kastriotin Skënderbeun, Nënë Terezën, Ismail Kadarenë. Po ashtu qindra personalitete të tjera të kombit që e rrëfyen botën shqiptare shumëdimensionale, si vatër të identitetit evropian, si mungadë të përshpirtjes deri në sublimitet dhe si tempull të fjalës së epërme. Brenda këtij peizazhi deri diku të çuditshëm dhe ekzotik për ata që nuk na njohin, por krejt të natyrshëm për ne që jemi pjesë e tij, padyshim klerikët, institucionet fetare kanë pasur dhe kanë një rol kyç në konsolidimin e besimit, në mos keqpërdorimin e tij, në ringjalljen e tij, pas ndalimit të gjatë në diktaturë, në qetësinë shpirtërore të besimtarëve gjatë traumave të tranzicionit, në paqen sociale, në imazhin e skalitur të harmonisë ndërfetare në vend. Ndaj familja e popujve tek zgjeron hapësirat e lirisë e ka të domosdoshme të forcojë shqisat dhe vigjilencën, bashkëpunimin dhe komunikimin, instinktet e vetëmbrojtjes, sepse askush nuk është imun përballë terrorit dhe terrorizmit, manipulimit dhe instrumentalizimit fetar.
Nuk është e tillë as Shqipëria, nuk është as Ballkani, nuk është as Evropa e më gjerë, ndaj duhet një bashkërendim vullnetesh dhe energjish për të siguruar paqen dhe demokracinë, të drejtat e njeriut, liritë dhe lirinë e besimit, këto nevoja dhe horizonte aq të nevojshme të popujve. Kleri i çdo religjioni mund të jetë një digë e pakapërcyeshme nga ekstremizmi dhe keqinterpretimi i fesë. Ky është një detyrim i shenjtë, është detyrim njerëzor, qytetar dhe demokratik. Shoqëritë në përgjithësi shohin tek kleri një garanci të madhe në këtë drejtim. Ata nuk mund të jenë të vetmit, dhe as nuk duhen lënë të vetmuar, por të mbështeten fort nga institucionet, nga bashkësitë, shoqëria, bota laike, pse jo edhe nga ata që gëzojnë lirinë për të mos besuar, sepse frytet e paqes dhe të lirisë i gëzojmë të gjithë. Paqja dhe liria janë garanci për çdo besim. Imponimi, dhuna dhe feja nuk mund të bashkëlidhen me njëra-tjetrën. Vetëm një imponim është i domosdoshëm e i tolerueshëm: ai që detyron çdokënd të respektojë paqen dhe lirinë.
Të dashur miq
Organizimi i këtij dialogu në Tiranë dhe mesazhet që dalin prej tij janë një pasuri e madhe për ne, por edhe për gjithë botën. Do ta konsideroja këtë prurje një fjalor enciklopedik në shërbim të paqes, bashkëjetesës dhe harmonisë, një shpresë e madhe që vjen nga forca e besimit pikërisht nga një vend, nga vendi im, Shqipëria, që paqen e saj e ka ndërtuar edhe nga vëllazëria e feve siç u shpreh Ati i Shenjtë, Papa Françesku gjatë vizitës së tij të paharrueshme një vit më parë. U jemi mirënjohës për këtë kontribut të çmuar e historik. Punë dhe të mbarë dhe njëkohësisht Zoti ju bekoftë të gjithë, shqiptarë, miq dhe të gjithë njerëzimin kudo ku ndodhen! Ju faleminderit!
* Fjala e Presidentit të Republikës në takimin ndërkombëtar “Paqja është gjithnjë e mundur”.
Komentet