Letra bixhozi! – Jeni kujtesat në gishtërinjtë e mi!
***
Kjo kukumjaçkë, duke fluturuar, lë pas, atë, që, vjeshtëzon gjithçka!
***
Kush e ka shpikur stilin dhe të ecurën time, për hyrjen në Tempull, me pelerinë dafine?
***
Tërë njerëzit janë dete që ecin dhe lëvizin në hapësira, dete me zemrat amfora, të anijeve të mbytura!
***
Ç‘fytyrë të re unë kam nën shtresën e afreskut të lashtë?
***
Me hirin tim të shenjtë, unë kam krijuar mëllenjën dhe zjarrin, detin, tempullin dhe gruan!
***
Një ditë, ah, një ditë, të gjithë, do të dalim nga thellësirat në breg.
***
Ah, Ardhmëria pikon si djersë, nga shtatë gishtat e përralltë të ylberit!
***
Midhjet në heshtje, krijojnë perlën e tyre, kështu tek njerëzit, seleksionohet Poeti, i një race, me midhjet, pa emër!
***
Pse lëvizja e Spermës time më çon tek e Ardhmja? – Përjetësia s’ka nevojë të merret me qira!
***
Si në një gardërobë viganësh unë shoh shtrëngatat, e rreshtuara, që rrinë, në pritje të ethshme, për t’u shfaqur plot madhështi dhe epikë të kohërave!
***
Ç‘është ky Kerubin, këmbëthyer, ne një rokënrol?
***
Zoti, Zoti, më thërret! – Por unë s’i përgjigjem dot!
***
Ç‘fuqi misterioze ka lëshuar sytha brenda meje? – Dhe pse fjala „Ibbur” do të thotë „mbarsje shpirti”? – Ç‘dritë më sjell një „Laterna Magica”?
***
Ç‘është lënda nga ngjizen martirët? – Ç‘do personazh është një Terra Incognita!
***
O, luftë e palavdishme me insektet dhe Djallin e milingonave! – Kush i shkatërroi burimet e Helikonës?
***
Ç‘është thënia e Dantes „riso del’Universo” („e qeshura e Universit”?)
***
Pse njerëzit s’më lenë t’i përkas vetvetes?
***
Lavdia ka mijëra gojë!

***
Vdekja i nënshtrohet tërësisht dorës së artistit, Vdekja është argjili që artist e modelon i frymëzuar! – Dhe Hiçi i Madh është dera e mbyllur, që s’hapet dot! – Vdekja s’e arrin dot të pavdekshmin!
***
Ja, rruga bosh si gotë qelqi! – Pse nuk e mbush me verën e shirave Vjeshta Khajam?
***
Sa herë më pushton një fantazi matematikore, befas më sulen, më dashurojnë tërë përrallat!
***
Ah, Hamleti! – Hamleti, edhe mund të bëjë vetëvrasje, por deti, deti, si mund të vetëvritet vallë?
***
Jam mur! Jam mur, i plagosur me afreska!
***
Vetmia i rrit në çast shermashekët e Ankthit!
***
Një Eol mizor e mbledh në thesin e tij tërë frymëmarrjen time të shekujve!
***
Ç’janë këto martesa statujash me drurët? – Dhe gërshetohen tek unë shpresat me hormonet e mitit!
***
Dhe Koha rëndon tek mua me miliarda botët e Universit njëherësh!
***
Qepallat e nuseve të porsamartuara ngrihen si velat e detlundruesve të mëdhenj!
***
Dhe trekëmbëshat e varjes së Revolucionit Francez më falin mua në largësi kravatat e tyre, për Festat Galante në Dekadencën e Madhe!
***
Vjen palloi i Eukaristisë drejt vetmive të mia, të heshtura, si një lirë Apoloni, me pupla ylberi! – Dhe unë këndoj:
“Sa ira!
Sa ira!
Sa ira!”
***
Dhe gjej: “Ditarët e Nostradamit Fluturues” për të lexuar aty dialogët që m’i kanë përgjuar në shekuj!
***
Realiteti shmanget, ikën, s’është një film tredimensional, ndërsa Imagjinata e shpik befas një Kriptogram, me miliona semaforë, në mjegull.
***
Dhe kapelja ime në divorc me kokën, ka ikur, me vërtik, pabesisht, në fshehtësi, ka ikur, ka ikur!
***
Le ta bëjnë uturak, po të duan, nëse duan, fillestarët gjenialë në poezi!
***
Pse flladet, që lëvizin, s’i bëj dot „naturamorte”?
***
Dhe Prilli grindet me Tetorin si një dre mitik i Marsit me luanin e Hënës!
***
Dhe vjen Çasti, kur rrugët do të duken të qiellta, ajërzohen strallet, gurët, shpellat dhe pluhurat!
***
Ç‘janë këto ditënetë?
***
Ç‘janë këto pranverëdimra?
***
Qielli si Femër Misterioze, më shkel në trup, në mish, me taka rrufesh!
***
Dhe vjen zogu çoçër i Lasgushit dhe më grabit tërë Heshtjet e mia të Mëdha!
***
Ç‘është kështu? – Ç‘është? – Ç‘po ndodh? – Ndoshta tek kjo pllajë po lind një lumë dhe një kalë dhe tek lugina drejt detit Qyteti i Ëndërrave?
***
Do të rri, do të fshihem në Mosqenie!
***
Pastaj ëndërroj të jem Janusi i Ri, me katër fytyra stinësh, me katër horizonte njëherësh!
***
Jam arkeologu, që me skulpturat, që i zbulova, nën tokën e palëvizshme, eci me një hap, me to, si bashkudhëtarë të pandalur, për në Emaus!
***
Dhe nuk e di, sinqerisht, nuk e di, si t’i shpëtoj një qielli të errët postum, që më ndjek!
***
O, Qenie e gjallë, e lëvizshme! – Fiksohu në pikturë!
***
Luvri është një Golgota, ku varen e kryqëzohen mijra Krishtër të pikturës!
***
Ç‘planetë unë fsheh në gjashtë germat kabalistike të emrit tim?
***
Kompjutrat janë për parnasianët, mendjet simetrike, për të luajtur gjer në amëshim!
***
Shëtis i përhumbur në një Paris të shpikur si një kloshar i pafe! – Dhe shoh papritur një dem të madh, të fuqishëm, të purpurt, në bregdet, patjetër, që është vetë Pitagora!
***
Dhe ti, e dashur, je, në pasqyrën time, si i mbyturi me infarkt, në një pishinë, të një vile të braktisur, në periferinë e eukalipteve dhe plepave!
***
Çdo shpellë në Bjeshkët e Namuna është “Notre Dame” për shekujt e mi të krishterimit pagan!
***
Serembe rri, pa lëvizur si një figurë, në një reliev muzgu, në Parthenonin, e një Fidia të vdekur!
***
Pastaj Parisi më lëviz si një tatuazh japonez në gjoksin tim!
***
Pikëllimi ma stolis fytyrën me ngjyra indianesh.
***
Pasqyra është Magjistari Merlin! – Ideoi klonimin e sotëm! – Kineastët nuk ja njohin copyright-in e patjetërsueshëm këtij Merlini memec!
***
Jam si qeni i Odiseut, vetëm me nuhatjen, i njoh gjithë të vdekurit e mi, kur vijnë, të më vizitojnë, pa emra, pa identitet dhe pa fjalë!
***
Dhe i dëgjoj cicërimat e trumcakëve, që janë artikulime gnostike!
***
Janë mijra engjëj të Onufrit brenda këmishës time të vjetër!
***
Se unë e di sekretin, të bëj konserva Dielli, për natën dimërore të qytetërimit, që po vdes!
Durrës 7 shtator 2002
MESHA E NJERIUT
Nga veshët e nxjerr një Bet’hoven të Ri dhe nga veshi tjetër „Qytetin Fluturues të Profetëve”! – Dhe nëse, unë do t’ua kthej Kujtesën, vetë Bjeshkëve të Namuna, Gjergj Elez Alia do të na buzëqeshë në Mosqenie!
***
Ah, humbi formula e kthimit të gurvarrit në valë dhe Konstandini as s’është i gjallë dhe as vdes, kurse Doruntina… s’ka lindur ende!
***
Çdo shkrim, që posa nis, është si shartimi i pemëve! – Dhe si shtegu, ku ikin dhe zhduken zotat, që është përherë i hapur!
***
Gurët e shahut e lënë lojën e tyre përgjysmë, më shikojnë si gladiatorin, që rri në pritje të një tjetër gladiatori, që profecia e ka caktuar fitimtar!
***
Ah, një grua fluturake, që e njoha dikur, e kujtoj çuditërisht, sa herë hyjnë @C, për vithet e saj, prej lavamani të bardhë!
***
Popujt e zogjve dhe kombet e luanëve nuk kanë emra vetiak!
***
Vetë Mozarti për mua është kostumi i paparë muzikor në pritjen time për zotat lakuriq!
***
Kush më dëgjon kur unë thërras? – E Bukura është plotfuqishmëria e saj! – Dhe dëgjoj dënesat e mistershme të statujave antike në muze! – Dhe kjo erë është e mbarsur me vetë kozmosin! – Dhe engjëjt duan më tepër të vdekurit, se sa të gjallët! – Por engjëjt – na i dërgojnë bebëzat e tyre si kartëvizita! – Dhe megjithatë vetëm Heshtja më dëgjon, kur unë thërras!
***
Shpesh zhbëhem! Nga njeri bëhem kaktues, yll deti, flutur, shkronjë dhe bletë!
***
O, Vjeshtë e drobitur! – Me lecka gjethesh!
***
Kush emrin tim, në qiell e përndjek si pelikanët?
***
Tek këto piktura të Odilion Redonit janë vendshplodhjet e ëndërrave të mia, më në fund!
***
A mundet që lumbardha e De Radës të vizatojë një hipotenuzë si shenjë trafiku për engjëjt dhe zotat?
***
Ca kolona tempujsh të shembur, ulërijnë si racë luanësh! – Ah, gjyshërit e erërave s’na kanë më nipa!
***
Kerubinët bijen në gjunjë sa herë rrjedh gjaku i martirëve…
***
Dhe gurët kanë vegime!
***
Tërë jetën përgatiten poetët, për të shkuar tek e Padukshmja!
***
Dhe Princi Buda ecën para, duke lënë pas boshllëk të pafund!
***
Dhe një njeri i vockël, i padukshëm, mund të fluturojë në qiell, por herë pas here mund të lerë pas një flurudhë komete! – Mos e harroni! – Mos harroni! – Dhe një njeri i vockël, i padukshëm!
***
Toka! – E Vetmja! – Toka! – E plotfuqishmja! – Toka! – E pazëvendësueshmja për mort!
***
Varrtarëve s’u intereson asnjëherë qielli! Varrtarët s‘çajnë kokën për teologjitë – si fantashkencë e Parajsës! – Toka është Ferri! – Dhe Ferri është më interesant, më i vërtetë! – Se mund të shitet, për tërë hapësirat e nëntokës! – Ah, Hamlet!Hamlet!
***
Ç‘janë këto shkëmbej, që rrokullisen nga kreshtat e shtrëngatës?
***
Ç‘tërmete erërash elektrike trondisin kozmosin?
***
Ndiqe rrugën, Poet! – Ndiqe rrugën! – Ec pa frikë! – Mos ndal! – Në këtë rrugë ti ecën pas funeralit, që s’mbaron të Homerit! – Kaq mijëvjeçarë e ndjekin pas dhe statujat e poetëve dhe zotave – të gjithë sëbashku ikin, ikin, ikin, si elefantët, që kur e ndjejnë vdekjen, shkojnë në varrezën e tyre sekrete, të pazbuluar nga askush!
***
Pse vjen të na hipnotizojë me erotikë Mbretëresha e Sabës? – Pse na tundon? – Pse na grish?
***
Dielli i Madh e di: tek Binjakët e horoskopit sozia e tij jam vetë unë, por i virgjër! – Jam unë! – Jam unë!
***
Khajami i palindur ende prej shekuj qe nga mitra e shishes së verës magjepsëse!
***
Ja, filmi i gjetheve, njëra pas tjetrës, të xhiruar nga Çarli Çaplini i Vdekjes!
***
Në Tavernën e Kafkës trutë dehen, me kurvat e ëndërrave shkërdhehen, si në Babiloninë e Baltazarit!
***
Me mikrobet e Kashtës së Kumtrit e shpall Epideminë e Shenjtë të Humbjes!
***
Poeti është fëmijë, – përherë, – gati foshnjë, – por me zorrë Gargantuai në bark!
***
Ndaj unë, – me një gjest të thjeshtë – si nxjerrje e cingares – në gishtat e dorës – tërë Eldoradot – e mahnitshme, – kudo, – i nxjerr për ju! – Pafundësisht – për ju! – Për ju!
***
E di dhe Çastin e Tmerrit – kur Mona Liza – dhe Don Kishoti – klithin, – me shenjat – e lebrozës – së mallkuar, – në trup!
***
Dhe shegët, – në degët e shekujve, – si përjetësira të vogla, – lëkundet – dhe shmanget Eroset e flladeve! – Dhe dijeni! – Me siguri – s’do të ketë – Meshë të Njeriut, – pa përmendur – në kor – profecitë e mia!
***
Dhe zogjtë, – që s’vijnë – nga Parajsa, – kanë pluhur hyjnish, – të padobishëm, – si ari!
***
Ujërat lëvizin si shkallët e një metroje! – Ujëra! – Ku më shpini kështu? – Pse ky Arlekin i Kozmosit i bije fizarmonikës së Arushës së Madhe?
***
Ah, ekzistencat tona efemere! – Me grimca Amëshimi!
***
Dashuri! – Dashuri! – Dashuri! – Kur ti nuk je, mungon dhe deti! – Zhduket materia, me tri përmasat e saj!
***
Në këto kohë acari global s’dalim nga shtëpitë, si nën qepallat e mbyllura të Zotit, Zotit!
***
O, Bukuri e Braktisur! – Ti je si luani, që vdes dhe shuhet në vetmi!
***
I veshur me një këmishë xixëllonjash jam si Fari i prillit, në muzgjet e shekujve!
***
Në zemër e kam një luan biblik, gati për të ulërirë në Univers! – E Papritura na lyen me ngjyrën e saj të Agonisë! – Dhe vesa mbi lulet është djersa e një Hyjneshe të Panjohur! – Dhe idetë heretike janë si pikturimi i nudove nga një murg zograf fanatik!
***
Zgjatja e vizionit s’matet me kronometër!
***
Në pakuptimësi dhe e qeshura ngurtësohet si ngërç! – Dhe çezmat më ngjajnë si kobure kaubojsh!
***
Ju ngjyra dhe nuanca, fllade drite dhe aroma mrekullibërëse, ju emëroj, ju quaj „Pranvera”! – Po jashtëqitje qensh, të gurëzuara, janë performanca në Bienale!
***
Njerëz! – Jam dyfish borxhli për ju, në këtë jetë dhe në atë tjetrën!
***
Po vij tek Kopshti i Metaforave! – Dhe pasqyrat rebelohen me mosnjohje të fytyrave tona!
***
Shohin pamje të tjera sytë e mi sekretë!
***
Dhe sofra e koralta të mbyturit si pjata gostie i mbledh!
***
Dhe bëj figura terakotash nga hiri i mbretërive të humbura! – Dhe Sirena e Vogël e Andersenit më mëson më në fund alfabetin e peshqve në thellësira!
***
Dhe mbulohem nga një vjeshtë krishterimi me ujëra pagëzimi pagan!
***
Nga vijnë këto metafora metropolitane me Ulërimën – “Oëuell” të Ginsbergut në fyt?
***
Tani muzgu krijon një shkollë pikture: impresionizmin japonez!
***
Tani trupat tanë janë gjysmë muskuj dhe gjysma kibernetikë!
***
Ç’makinë do ta lëviz me energjinë e Un-it tim?
***
Dhe druri i dafinës së lashtë të sqimës nxjerr lulëkuqe lirike të Brishtësisë Që Kalon!
Durrës, 18 prill 2003
Komentet