Një titull i ri honorifik ësh të prodhuar me rastin e 29 Nëntorit, festës së Çlirimit të vendit! Mbase një ditë mund të klasifikohet si urdhri “Krimineli Honoris Causa”. Origjinal, trazues, i turpshëm erdhi ai në këtë përvjetor për të shtuar ende më pikëllimin e një shoqërie depresive. Dhuratë e qeverisë për popullin e vet. Thuhet se doli fabrike vjet, por u zbulua tani, pasi u mbajt gjatë sekret.
Në këtë rast koncepti kohë nuk i vjen në ndihmë askujt. Projektuesit dhe realizuesit nuk janë më reflektues a më pak të fajshëm dhe ata që u dëshpëruan nga e “pandodhura” nuk ndihen më të qetë. Të paret nuk e bënë rastësisht dhe të dytët s’kanë pse befasohen. Në mes qëndron krimi dhe krenaria shqiptare sui generis që lind prej tij. Qenkëshin dekoruar si veteranë të kategorisë së parë pikërisht ata, të cilët diktatura i përdori për shërbimet e “kategorisë së parë” për mynxyrat, për punët më të ndyra.
Madje, ajo (diktatura) i përdori, i pagoi, i shpërbleu po nuk guxoi që t’i nderonte me medalje. U la njollat e gjakut mbi gjokset e llërët e tyre për të trembur një popull, i cili me frikën merrej vesh pa vështirësi, por jo dekorata. Perversitet i madh t’i përziesh ata me luftën. Lufta kundër okupatorit meriton respektin më të thellë, të rënët dhe idealistët më të madhin nderim, pa bishtnim e dilema.
Çfarëdo balte që hidhet mbi to, është flirt me robërinë, qoftë kur flitet për luftëra të vjetra, qoftë kur flasim për më të fundit. Ndërsa për të gjithë ata që i vunë asaj damkën e një robë- rie të re me gjakderdhjen civile, me zellin e pafre, si vegla të pista të tiranisë, duke masakruar jo vetëm kundërshtarët, por edhe komunistët, partizanët, personalitetet, komandantët, të cilët besonin se luftuan për lirinë universale në mungesë të një Norembergu, që nuk u bë kurrë, mbetej shpresa se përbuzja do t’i merrte në gjirin e saj. Për disa vjet kjo përshtypje e rremë u valëvit sa andej-këndej si zgalem i tredhur.
Me ardhjen në pushtet të maxhorancës “rilindase” u kuptua shpejt se një brengë e madhe i paskësh munduar ofiqarët e saj, të parin Edi Ramën e më pas djemkat e çupat që morën pushtetin në dorë. Nevoja për t’i dhënë legjitimitet trashëgimisë së tyre politike, historive personale, riktheu mes nesh mbiemrat e Bllokut famëkeq në qeveri, në diplomaci, në kthimin e pronave, në ushtri, në pika kyçe të ekonomisë kombëtare, ku tenderët dhe koncesionet plaçkisin me yrysh Shqipërinë.
Ky brez që na qeveris është rritur me dramën e poshtërimit të etërve. I kanë parë ata të strukur, të fyer, të frikur e të gërryer nga ankthi i gjumit të prishur kujtimesh të përgjakura. Duhet të jetë ndjesi e rëndë të mos guxosh të projektosh prindin si model moral në jetë, të justifikohesh për të apo të jetosh ditën me shpresën se dikush nuk ta nxë me gojë. Një sindromë kësodore me gjasë të krijon frustrim, të mbush me ndjenjë hakmarrjeje ndaj shoqërisë, ndjesi, e cila një ditë ia beh edhe nëpërmjet medaljeve “të nderit”.
Bijtë u bëjnë portretin etërve të bindur se pushteti krijon hierarki vlerash. Si dritëshkurtësi e madhe mendore dhe mjerim etik shfaqet ajo. Enver Hoxha i pat dhënë vetes të gjitha nishanet e kësaj toke, e futi vetën në tekste historie e letërsie, si Beng Bengu shqiptar, pushtoi këngët dhe malet me parulla, filmat dhe sheshet me statuja, por pesë më hiç.
Historia ka ligjësitë e veta, sado të mundohet lidershipi qeverisës të funksionojë si pastrim kimik për pallton e tij në muzeun antiatomik. Njërin prej të dekoruarve mediat e përmendin si hetuesin e At Zef Pllumit, çka dëshmon emancipimin, respektin e gazetarëve dhe të lexuesve për fratin rezistent, teksa të gjithë ne duhet të shtyhemi pak në imagjinatë për të bërë listën e gjithë atyre që kaluan në dorën e këtij hetuesi nga Jugu në Veri. Nga njëra anë rri medalja e Edi Ramës, në tjetrën rrëfimi i At Zef Pllumit, si dy realitete kombëtare. Kush ka më tepër gjasa t’i mbijetojë të vërtetës?!
Edhe pse e di përgjigjen, Rama ka preferuar t’i japë medaljet e veta, duke rrugëtuar për kah origjina, duke përgënjeshtruar retorikën e vet ornamentuar gënjeshtrash. Opinioni publik i kujton atij Pllumin si katarsis, ndonëse nuk bëhet fjalë vetëm për të, po për një popull të tërë, ndërsa ai na kujton hetuesin e tij si virtyt, të cilit kombi iu detyroka. Secila palë ofron idhujt dhe modelet e veta.
Frati i kujtimeve kishte vokacion lirinë dhe ushtrimin e saj, ndërsa Rama xhelatin e tij, si konsideratë e pasme mbi At Zef Pllumin që e citon nganjëherë. Ndershmëria ia kërkon që, tash e tutje t’i referohet hetuesit ndër fjalime. Mes të medaljuarve është edhe Ragip Beqja, numri dy i Sigurimit të Shtetit, autori i veprës me dy vëllime “Veprimtaria antikombëtare e klerit katolik” dhe “Veprimtaria reaksionare e klerit katolik”.
Dy libra të alibisë dhe të masakrave të diktaturës të cilët, me gjasë, në prag të reformës në Drejtësi, Ministria që mban këtë emër mund t’i botojë si doracakë a manualë udhërrëfimi, në daçin me parathënien e vjetër a me ndonjë të re nga vetë Kryeministri katolik, si frymëzim për drejtësinë popullore të reformuar.
Fatmirësisht i kemi librat e Pllumit, Sami Repishtit, Arshi Pipës, Dom Simon Jubanit, Pjetër Arbnorit, Agim Mustës, Spartak Ngjelës, Fatos Lubonjës, Maks Velos, Bashkim Shehut, Engjëll Çobes, Uran Butkës etj., përndryshe kulti i harresës dhe përligjja e krimit do të sponsorizohej nga ribotimi i librave si ai i Beqes, me “të drejtë”, pas nji medaljeje kaq hijerëndë. Secili prej beneficiarve në listën e shpallur ka kontribute shembullore në mekanizmin e dhunës, të luftës së klasave, në ndarjen Veri-Jug, në pushkatime, dënime, internime, tortura, gjyqe si terrorizëm i qartë ndaj shqiptarëve.
Edi Rama, ky shpikës i jashtëzakonshëm, sapo i ka dhuruar bashkëkohësisë modelin e vlerësimit honoris causa për krimet e diktaturës dhe instrumentet e saj të mplakur, në pamundësi për t’i bërë deputetë. Kryeministri po teston shoqërinë deri ku mban ajo, me një akt të paprecedentë në Europën e postfashizmit dhe komunizmit. Mes kundërshtarëve të diktaturës dhe veglave të saj, ai e ka bërë zgjedhjen e tij shpirtërore, e cila duhet marrë seriozisht. Mark Marku, në një shkrim të djeshëm për këtë fenomen, të titulluar “Edi Rama o tungjatjeta”, shkruante se At Zef Pllumi do të shqyente sytë nga habia.
Unë i them jo, frati nuk do të habitej aspak sepse ai, Mark Marku, në një ese magjistrale të vitit 2007, kur Pllumi i dorëzohej Mbretërisë së Atit e pat zbuluar enigmën, duke konstatuar se ai “e dinte se diku do ta tradhtonin, se dikur do ta rrenin, se diku do t’i prishin punë, se në ndonjë rast do të mundoheshin të përfitonin prej tij dhe se po të ndodheshin në të njëjtat kushte që ishin ndodhur xhelatët e tij, do të bënin të njëjtën gjë që kishin bërë ata: domethënë ta spiunonin, ta fusnin në burg, t’ia digjnin librat dhe kishën, ta torturonin atë dhe besimtarët e tij.
Por ai, megjithatë, i donte. Jo vetëm se ishte prift. Jo vetëm se kështu i thoshte doktrina apo vokacioni fetar. I donte sepse ishte superior ndaj të gjithëve”.
Komentet