Voal – Avokati i Popullit kundërshton shtesën që kërkohet t’i bëhet Kodit Penal, konkretisht Neni 238/a: “Shpifja ndaj një funksionari të lartë shtetëror ose të zgjedhur”. Në një letër drejtuar Fatmir Xhafaj, kryetar i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, Avokati i Popullit sugjeron heqjen dorë nga kjo iniciativë ligjore, duke mos e përfshirë shpifjen si vepër penale.
Avokati i Popullit thekson se i konsideron si të pamatura dhe të pastudiuara mirë ndryshimet kaq të shpeshta të Kodit Penal. Për këtë arsye sugjeron që Kodi Penal të shihet njëherë e mirë në gjithë tërësinë e tij dhe të mos pësojë ndryshime të cilat i përgjigjen çdo lloj situate të re që krijohet në vend.
Në këtë dokument Avokati i Popullit ka shprehur opinionin dhe argumentet mbi këtë çështje si më poshtë:
Fillimisht, Institucioni i Avokatit të Popullit, i konsideron si të pamaturuara dhe të pastudiuara mirë ndryshimet kaq të shpeshta të Kodit Penal. Për këtë arsye sugjerojmë që Kodi Penal të shihet njëherë e mirë në gjithë tërësinë e tij dhe të mos pësojë ndryshime të cilat I përgjigjen çdo lloj situate të re që krijohet në vend.
Lidhur me shtesën që kërkohet ti bëhet Kodit Penal, konkretisht Neni 238/a “Shpifja ndaj një funksionari të lartë shtetëror ose të zgjedhur”, jemi absolutisht kundër.
“Kjo dispozitë që kërkohet të shtohet tani në vitin 2015, është shfuqizuar në vitin 2012. Avokati i Popullit, më herët ka shprehur opinionin e tij dhe ka përkrahur dekriminalizimin e veprës penale të Shpifjes që ishte në fuqi në atë kohë.
Dhe me rekomandimet dhe sugjerimet e një sërë Institucionesh ndërkombëtare të shquara në këtë fushë, u arrit dekriminalizimi i “shpifjes” si vepër penale. Në vitin 2012 dekriminalizimi u konsiderua si një fitore e të drejtave të njeriut në Shqipëri, e në veçanti I lirisë së shprehjes.
Rekomandimet kryesore të përfaqësisë së OSBE-së në atë kohë, kanë qënë të fokusuara ngushtësisht në shfuqizimin e plotë të dispozitave penale për shpifjen dhe në zëvendësimin e tyre me dispozitat e duhura civile.
Avokati i Popullit si në kohën kur diskutohej dekriminalizimi dhe sot që kërkohet të kriminalizohet “shpifja”, argumenton si më poshtë se pse nuk duhet që shpifja të jetë vepër penale:
- Liria e shprehjes është një e drejtë kushtetuese, një e drejtë konventore si dhe një e drejtë që gjen vend në pothuajse të gjitha aktet ndërkombëtare që i referohen përcaktimit të të drejtave të njeriut.
- Liria e shprehjes nuk mundet kurrsesi të garantohet në rast se do të përfshihet si vepër penale shpifja ndaj një funksionari të lartë të shtetëror. Në rezolutën 1577 (2007) të Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Europës, theksohet ndër të tjera se siç është përcaktuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Neni 10 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut garanton lirinë e shprehjes në lidhje jo vetëm me idenë e ” informacionit ” që janë pranuar në mënyrë të favorshme apo konsiderohen si të padëmshme apo si çështje indiferente, por edhe të atyre që fyejnë ose trondisin.
- Nga pothuajse të gjitha organizatat ndërkombëtarët dhe mekanizmat e tyre monitorues që kanë në fokus Lirinë e shprehjes është mbajtur qëndrim i qartë se nuk duhet të ketë mbrojtje të veçantë për zyrtarët publikë, gjyqtarët, zyrtarët e huaj apo stemat shtetërore.
- Përfshirja si vepër penale, do të keqpërdoret dhe në atë që mund të shihet si përpjekje nga autoritetet për të heshtur kritikat e medias. Kjo gjithashtu do të çojë në një vetëcensurë të mediave duke shkaktuar tkurrje progresive të debatit demokratik dhe të informimit të publikut, duke mos ndihmuar aspak në zhvillimin e vëndit dhe anëtarësimin e saj në familjen europiane. Ky është një shqetësim i shprehur edhe nga Asambleja e Përgjithshme e Këshillit të Europës për vende të cilat nuk kanë dekriminalizuar shpifjen si vepër penale.
- Që më herët, Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Misioni i OSBE-së në një deklaratë të përbashkët u kanë kërkuar shteteve anëtare duke deklaruar se: “Shpifja penale nuk është një kufizim i justifikueshëm për lirinë e shprehjes dhe se ligjet penale për shpifjen duhet të shfuqizohen dhe të zëvendësohen, aty ku është e nevojshme, me ligje të përshtatshme civile për shpifjen.”
- Duke ju referuar rekomandimeve të Asamblesë së përgjithshme të Këshillit të Europës për vendet anëtare, sjellim në vëmendjen tuaj se ato nuk do të jenë të zbatuara në rast se Shpifja përfshihet përsëri si vepër penale. Asambleja e përgjithshme bën thirrje shteteve anëtare:
6.1 Të shfuqizojnë dënimet me burg për shpifje;
6.2 Të garantojnë se nuk ka keqpërdorime të ndjekjeve penale për shpifje dhe të ruajnë pavarësinë e institucioneve të akuzës;
6.3 Të përcaktojnë konceptin e shpifjes më saktësisht në legjislacionin e tyre, në mënyrë që të shmanget një aplikim arbitrar i ligjit, si dhe për të siguruar që ligji civil të garantojë mbrojtjen efektive të dinjitetit të personave të prekur nga shpifja;
6.4 Të heqin nga legjislacioni i tyre veprën për shpifje ndaj figurave publike, në përputhje me jurisprudencën e Gjykatës;
6.5 Të sigurojë që sipas legjislacionit të tyre, persona të ndjekur për shpifje të kenë mjete të përshtatshme për të mbrojtur veten e tyre;
6.6 Të përcaktojnë dënime të arsyeshme dhe proporcionale për dëmet dhe interesat e cënuar në rastet e shpifjes në mënyrë që të mos vënë në rrezik qëndrueshmërinë e një organi mediatik;
6.7 Të sigurojë garancitë e duhura ligjore kundër vendimeve për dëmet dhe interesat që janë në disproporcion me dëmin aktual;
6.8 Të sjellin ligjet e tyre në përputhje me praktikën gjyqësore të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, në lidhje me mbrojtjen e burimeve të gazetarëve.
- Gjykata Europiane e të drejtave të Njeriut, me jurisprudencën e saj I ka dhënë zbatim nenit 10 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut për lirinë e shprehjes. Në çështjen “Handyside vs Mbretëria e Bashkuar” (1976) argumentoi se “Liria e shprehje është e zbatueshme jo vetëm për “informacionin” ose “idenë”, të cilat janë perceptuar në mënyrë të favorshme ose janë konsideruar si të padëmshme apo si çështje indiferente, por edhe për ato që janë fyese, që trondisin apo shqetësojnë Shtetin ose çdo sektor të shoqërisë”(parag. 49 i vendimit). Qëndrime të tilla të GJEDNJ-së kanë vazhduar të zhvillohen dhe më vonë në vite, në çështjen “Kasabova vs Bullgarisë” (2011), Gjykata vuri në dukje se parimi i proporcionalitetit nuk ishte mbajtur parasysh nga gjykatat e vendit kur kishin dhënë dënimin me gjobë, pasi gjobat dhe shpenzimet e tjera mbi gazetaren ishin të barabarta me gati shtatëdhjetë fishin e pagës minimale mujore në Bullgari dhe më shumë se tridhjetë e pesë fishin e pagës mujore të vetë gazetares.
- Ashtu si Kombet e Bashkuara, OSBE dhe Këshilli i Europës i kanë studiuar dëmet që sjell kriminalizimi i shpifjes në fjalën e lirë, e për këtë arsye kanë ndërmarrë fushata të vazhdueshme për dekriminalizimin e kësaj vepre penale.
Përfaqësuesja e OSBE-së për lirinë e medias, në vizitën e saj në Shqipëri, në vitin 2013 deklaroi se Shqipëria kishte bërë hapa përpara për dekriminalizimin e shpifjes por tashmë pritej që Shqipëria të merrte masa për ta dekriminalizuar atë plotësisht.
Në mënyrë evidente përfshirja si vepër penale e shpifjes ndaj një funksionari të lartë shtetëror ose të zgjedhur do të shënonte hapa mbrapa dhe nuk do të ishte në të mirë të demokracisë së vendit dhe në procesin e anëtarësimit në BE.
Për sa më sipër, Avokati i Popullit sugjeron heqjen dorë nga kjo iniciativë ligjore, duke mos e përfshirë shpifjen si vepër penale.
Me qëllim garantimin e lirisë së shprehjes ashtu si kanë deklaruar më herët dhe Organizmat ndërkombëtare, Institucioni i Avokatit të Popullit gjithashtu sugjeron dekriminalizimin e veprës penale “Fyerja e gjyqtarit”, parashikuar nga neni 318 i Kodit Penal.
Komentet