Në mëngjesin e kësaj të diele nuk u zgjuam si zakonisht me lajmet për fushatën presidenciale në SHBA, por për një vrasje masive që ka ndodhur në të gdhirë në Orlendo, Florida. Mësojmë që janë vrarë 50 veta dhe 53 janë plagosur e dërguar në spital. Në shenjestër këtë radhe u vu një klub nate homoseksualësh. Krimi masiv i realizuar vetëm nga një person ështe i ‘motivuar’ trefish: krimi i urrejtjes ndaj homoseksualëve, i urrejtjes ndaj shtetit që i mbron ata me ligj, dhe i Amerikës në tërësi si objekt qitje nga radikalizmi mysliman. Omar Maten, 29 vjeç, e kreu aktin kriminal si ushtar i devotshmëm i ISIS dhe në emër të tij.

Në një rast të tillë, mendja të shkon Amerikën e viteve ’80 të shekullit të kaluar kur homoseksualët rrethoheshin nga përbuzja e përgjithëshme e shoqërisë amerikane, pavarësisht se kush ishin, pavarësisht nga reputacioni e kontributi që kishin dhënë në këtë vend. Sëmundjes së Sidës që gjykohej se merrej vetëm nëpërmjet mardhënieve seksuale midis njerëzve të së njejtit seks, nuk i thuhej as emri (AIDS) por thirrej “Murtaja seksuale” dhe viktimat e saj shikoheshin me urrejtje .Njerëzit religjozë e gjykonin si një dënim i dhënë nga Zoti për aktin e tyre.
Aktori i njohur Riçard Camberlejn i këshillonte kolegët e tij gej, të ruanin sekretin, pasi kjo do të qe shkatrrimtare për karierën e tyre. Ai vetë e zbuloi sekretin e tij 25 vjet më pas, në 2003. Sidoqoftë Rock Hudson, (Rak Hadsën) të cilit miqtë e afërt, (si Liz Tejlor, Doris Dej,etj) ia dinin sekretin, në 1985 doli publikisht duke njoftuar që ishte i sëmurë nga AIDS. Atë kohë njihej vetëm një klinikë në Paris që merrej me trajtimin e sëmundjes. Rock Hudson u nis për t’u kuruar në Paris,por Klinika e refuzoi trajtimin e tij mjeksor sepse ai “nuk kishte shtetësi franceze”. Ndërkohë iu sugjerua se nëqoftëse Shtëpia e Bardhë do të ndërhynte për të, atëherë rasti i tij mund të merrej në konsideratë për kurim. Në korrik 1985 Rock Hudson nëpërmjet përfaqsuesit të vet, Dale Olson, i bëri kërkesë nëpërmjet një telegrami Shtëpisë së Bardhë, por nga Zonja e Parë e SHBA Nensi Regan përgjigja erdhi kategorike :JO!’ Me refuzimin e familjes Regan, humbi çdo shpresë për të. Në vitet 80-të mjeksia amerikane pati arritur suksese në kurimin e parandalimin e sëmundjeve të zemrës, kancerit të gjirit tek gratë, etj, por sukseset e shkencës mjeksore në Amerikë stopuan në rastin e epidemisë së SIDËS. Ndaj numrit në rritje të viktimave presidenti Reagan atë kohë dukej konfuz i dhe i pavendosur për të dhënë një rrugëzgjidhje.

Shumica e njerëzve e kishin marrë virusin e sëmundjes nga marrëdhëniet seksuale me të infektuarit, disa në spitale nga transfuzionet e gjakut , të tjerë në kontinentin afrikan, e shumë të tjerë, ata që merrnin drogë, nga shiringat që jepnin e merrnin me njëri tjetrin. Ndërsa njerëzit prisnin ç’do të thoshte presidenti në përgjigje të përhapjes së epidemisë që kishte rrëmbyer e rrëmbente mijra jetë amerikanësh, ai ‘abdikoi’ në këtë çeshtje nga pozitae tij si president , duke e kaluar fillimisht në heshtje , “indiferencë”, pastaj në ekstremin tjetër. Presdienti i respektuar, ikona e Partise republikane, tha se duhej të kalonin në testim të gjithë emigrantët që kishin kërkuar azil politik në Amerikë e nëse dilnin me HIV pozitiv duheshin kthyer në vendet nga kishin ardhur! Kjo deklaratë e Reganit u prit me indinjatë në veçanti nga komuniteti gej , emigrantët dhe një pjesë e mirë e opinionit publik.
Rock Hudson vdiq 3 muaj pasi kishte bërë kërkesën për ndihmë, më 2 tetor 1985 në moshën 59 vjeç. Rock Hudson ishte pari individ i famshëm i SH.B.A.-së që vdiq nga komplikimet nga SIDA. Vdekja e tij rriti ndërgjegjësimin publik ndaj epidemisë në një mënyrë të dukshme. Elisabet Tejlor krijoi fondacionin me emrin e saj për të ndihmuar në zbulimin e kurimin e semundjes.Vetëm pak kohë më pas vdekjes së Rock Hudson, kongresi amerikan aprovoi vënien mënjanë të 221 milionë dollarë për të zhvilluar një kurë kundër AIDS.

Gjithësesi, ndërkohë që shumica e amerikanëve besonin se sëmundja zinte vetëm homoseksualët ndodhi e papritura. Një djalë 13 vjeçar Rajën Uajt, (Ryan White), që kishte vuajtur nga hemofilia që nga lindja, u infektua me sidë, nëpërmjet një medikamenti mjeksor që kishte tërhequr në farmaci. Nga doktorët iu tha që kishte deri 6 muaj jetë. Në vitin1988, Rajën Uajt dëshmoi para komisionit presidencial. Ai tregoi për diskriminimin që i ishte bërë nga shkolla, shoqëria e të njohurit për shkak të paragjykimit që njerëzit kishin ndaj sëmundjes. Rajën Uajt dhe nëna e tij u bënë objekt tallje e poshtërimesh. Sa herë hynin në restorante, njerëzit ngriheshin nga karriket e dilnin jashtë. Në rrugë i thërrisnin: “Homo”! Rajën Uajt mori nofkën “Djali me SIDË” por bashkë me përbuzjen edhe përkrahjen e keqardhjen e mijëra njerëzve përreth botës. Trajtimi çnjerëzor u bë objekt bisedash e intervistash televizive.. Djali ishte në merak se do i duhej të përsëriste klasën e shtatë, duke lënë të nënkuptojë se nuk ishte i zoti. Nëna e tij, Xhejn White, luftoi për të drejtën e djalit për të ndjekur shkollën, duke fituar vëmendjen ndërkombëtare si një zë i arsyes . Ryan White vdiq më 8 prill 1990, në moshën 18 vjeç, vetëm pak muaj përpara se Kongresi të miratonte ligjin që mban emrin e tij – (The Ryan White CARE).

Në SHBA tashmë homoseksualët kanë fituar të gjitha të drejtat e tyre, madje edhe për t’u kurorëzuar në martesë ligjore. Për më tepër, Amerika është vendi që u njeh të huajve azilin mbi këtë bazë , nëse ata në vendin e tyre janë të pambrojtur nga shteti.
Komentet