Raprezaljet e nazistëve gjermanë në qytetin dhe rrethinat e Vlorës, në vjeshtë-dimrin e vitit 1943, tashmë janë harruar prej kohësh. Por brenda muajit tetor dhe ditëve të para të nëntorit të 72 viteve më parë, kjo zonë ka pësuar goditjet më të rënda në historinë e luftës së dytë. Të atilla që nuk u mjaftuan vetëm me simpatizantët e komunistëve ose të dyshuarit si të tillë, por duke shkaktuar viktima në popullsinë civile pa asnjë dallim. Fjala është për valën e paprecedentë të arrestimeve gjermane me ndihmën e bashkëpunëtorëv të tyre vendas, Vizhdan e Pertef Risilia, (i pari prefekt ose gaulajter i Vlorës), që nisën me ngjarjet e 10 tetorit 1943 dhe do të pasoheshin me kulmin e reprezaljeve, ato të periudhës dhjetë ditore 15 tetor-6 nëntor 1943. Në këtë periudhë të dytë, rreth 600 vlonjatë i hipin në kamiona të mbuluar dhe që nga ato momente, shumica e tyre nuk u pa më. Këta banorë u zhdukën në kampet e vdekjes në Gjermani, dhe vetëm disa prej atyre arritën të shpëtonin gjallë e të ktheheshin pas luftës. Njoftimin e parë “mediatik” për këtë ngjarje të errët të periudhës 25 tetor- 6 nëntor 1943, do ta jepte menjëherë pas luftës shkrimtari Petro Marko, që do të botonte në gazetën “Bashkimi” të datës 7 gusht 1945, artikullin me titull “Vlora në kuje”. Ja çfarë thotë pena e shquar e bregdetit për këtë rast:
“Me të hyrë në Vlorë, njeriu ndjen diçka që i kujton të kaluarën. Po vajtimi i grave dhe ligjërimi i pa prerë i plakave të sjell në kohët e sotme. Sa nuk u kthyen nga kampet e vdekjes? GJASHTËQIND vlonjatë u dorëzuan nga tradhëtarët në kasapët e Hitlerit e sa u kthyen? Njëzet, tridhjetë, dyzetë, sa?… Atë që pësoi Vlora, nuk e pësoi asnjë vend tjetër: GJASHTËQIND martirë dhanë jetën e tyre në kampet e vdekjes duke mallkuar ata vlonjatë tradhëtarë e të poshtër që kujtuan se me të tilla krime do të shuanin flakët e patriotizmës që ndizet për jetë në tokën e bekuar të Vlorës…”.
Dëshmitarë të atyre ditëve, të mbetur gjallë pas kaq kohësh, ose familjarë të të zhdukurve, janë munduan të hedhin dritë mbi atë histori të zhytur në pluhurin e harresës dhe që nuk mori kurrë vëmendjen e strukturave shtetërore.
Por fillesa e masakrave dhe dhunës mban datën 10 tetor, kur në qytetin e Vlorës është ndërmarrë një “operacion spastrimi kundër komunistëve”, i cili vjen me një raport të detajuar të vetë Vermahtit. Në bobinën T314-661 me mikrofilm 000947 të arkivës së dokumentave gjermane të luftës, ndodhet raportimi që ka bërë komandanti lokal gjerman për Vlorën, majori Jaquet (komandant i batalionit të I-rë të regjimentit 54 të gjuajtësve alpinë). Dokumenti mban datën 16 tetor dhe përshkruhet me lëndën: “Organizimi dhe zbatimi i operacionit të spastrimit kundër bandave komuniste në qytetin e Vlorës”, dhe i drejtohet shefit të shtabit të përgjithshëm të Korparmatës së 21-të malore, kolonelit Kaulbach. Nga vetë dokumenti, rezulton se menjëherë më pas Jaquet ka marrë një tjetër detyrë. Duke qenë se përshkrimi i situatës dhe veprimeve nga ana e majorit Jaquet është i detajuar, i gjallë edhe në përshkrimin e gjendjes së përgjithshme të qytetit dhe karakterizohet nga saktësia e njohur ushtarake gjermane, është e udhës që këtë raport ta japim të plotë, si më poshtë.
“Prej datës 13 shtator deri më 11 tetor 1943, isha komandant lokal i qytetit të Vlorës. Nga autoritetet lokale mora vesh se Partia Komuniste përfshinte rreth 60-70% të krejt popullsisë së këtij qyteti. Partia Komuniste, me anë të shpërndarjes gjerësisht të trakteve dhe ngjitjes së afisheve nëpër mure, u bëri thirrje tregtarëve për bojkotim etj, duke ndezur kësisoj një luftë të brendshme në këtë qytet, e cila do të kurorëzohej me një kryengritje kundër gjermanëve nga mesi i tetorit. Plaçkitjet dhe vjedhjet në depot e armëve, të municionit dhe veshmbathjes së ushtrisë italiane dhe në stacionet e spitaleve ushtarake kryheshin në mënyrë të planifikuar dhe në shkallë të gjerë. Duke ditur se çdo ditë po tërhiqeshin trupa gjermane nga kjo zonë, mendonin se deri nga mesi i tetorit do të arrihej një dobësim i trupave gjermane në Vlorë dhe rreth saj. Sjellja korrekte e gjermanëve në Vlorë u muar si dobësi.
Mbasi raportova përpara divizionit 100 të gjuajtësve alpinë, gjeneralit Utz, u ngarkova me zbatimin e një aksioni spastrimi në Vlorë, për të arrestuar udhëheqësit e Partisë Komuniste dhe për t’i dalë përpara sulmit të planifikuar kundër Vermahtit gjerman.
Organizimi dhe zbatimi i bastisjeve:
a)Një kompani e gjuajtësve alpinë u caktua për bllokimin e krejt qytetit në të gjithë rrugët, udhët dhe grykat që dalin nga Vlora.
b)Një togë me çiklistë të regjimentit dhe 4 tanke u caktuan për shërbimin e patrullimit gjatë aksionit në gjithë qytetin, për të penguar daljen e civilëve në rrugë.
c)Për bastisjen e mirëfilltë u caktuan 8 grupe (nga një grup për çdo lagje).
Përbërja e grupeve: Nga 20-25 ushtarë, 1 anëtar i feldxhandarmërisë, 1 xhandar civil, 1 kujdestar civil nga çdo lagje.
Armatimi dhe pajisja e grupeve: Revolver, automatik, 1 mitraloz dhe bomba dore, si dhe revolver për raketë ndriçuese, llampa dore dhe shufra. Çdo grup kishte mundësi lëvizjeje, që garantohej nga dy kamiona për secilin grup. Udhëheqësi i grupit, me veturë. Për qëllime lajmërimi ishin caktuar motoçikleta dhe biçikleta.
Ndarja e kohës:
Tetë nëpunës të xhandarmërisë shqiptare u dërguan në selinë e komandaturës, nën pretekstin e një patrullimi të përbashkët gjatë natës. Detyra e këtyre anëtarëve të xhandarmërisë shqiptare ishte t’i tregonin grupit gjerman shtëpinë e të ashtuquajturit kryeplak (kujdestarit të lagjes).
Në ditën e operacionit të bastisjes, qyteti ishte bllokuar nga brenda dhe jashtë, duke filluar nga ora 4 e mëngjezit. Në orën 4 u zhvillua bisedimi i fundit në komandaturën lokale. Çdo grup kishte një listë të udhëheqësve të Partisë Komuniste, që duheshin arrestuar. Në orën 4.30, grupet gjermane u nisën menjëherë në të njëjtën kohë në lagjet e veçanta të caktuara dhe filluan me arrestimet e udhëheqësve komunistë sipas listës. Pjesa më e madhe e tyre u nxuar nga krevatet.
Një pjesë e komunistëve që u arrestuan, të cilët ishin futur në krevat me revolver të ngarkuar, me pushkë të ngarkuar dhe me bomba dore, bëri rezistencë, por kjo rezistencë e tyre u thye me shpejtësi dhe në mënyrë energjike. Shtëpitë e personave që do të arrestoheshin, në mënyrë të planifikuar u rrethuan, kështu që ishte e pamundur të iknin. Udhëheqësit e grupeve hynë në shtëpitë bashkë me 3-4 ushtarë nga më të fortit, arrestuan komunistin dhe bënë një kontroll të hollësishëm të shtëpisë nga bodrumi deri në çati, për të kërkuar municion, armë dhe plaçkë tjetër të zënë italianëve.
Në këtë mënyrë u zu një depo e madhe armësh dhe municioni me armë dore të rënda e të lehta, rreth 3 tonë municion dhe sasi të mëdha veshmbathje dhe pajisesh italiane si dhe materiale mjekësore.
Aksioni përfundoi rreth orës 8.00. U arrestuan gjithsej 393 vetë.
Mbas një kontrolli të hollësishëm të të gjithë të arrestuarve me ndihmën e përkthyesve, në bazë të të dhënave të autoriteteve u mbajtën 106 komunistë, tek të cilët u gjendën armë dhe municion. Komunistët që u mbajtën, u futën në burgun civil të qytetit dhe të nesërmen u dërguan në Semlin, afër Beogradit. Duket se shefi komunist i zonës Rrahman Dibra, e ka lënë qytetin.
Gjatë një kontrolli të të sëmurëve në spitalin civil u zbuluan 6 partizanë të plagosur. Në zyrën e spitalit civil të fshehura mbrapa akteve, u gjendën revolverë, municion gjerman dhe italian si dhe bomba dore. Me këtë ndërhyrje të befasishme u arrit në fakt, që të zbulohen dhe arrestohen të gjithë udhëheqësit kryesorë të pranishëm në qytet. Në këtë mënyrë u krye plotësisht detyra dhe u ndalua kryengritja e planifikuar e Partisë Komuniste. Në një letër të Partisë Komuniste dërguar një njeriu të besueshëm, Partia Komuniste pranonte vetë se gjatë kësaj bastisjeje kishte humbur shumë nga udhëheqësit e partisë, të cilët tani ishin në burg dhe duheshin liruar me doemos.
Në fakt, Rrahman Dibra është Rrahman Parllaku, gjenerali i njohur që më pas do të dënohej nga regjimi komunist. I pyetur për këtë periudhë, ja si e mban mend ai operacionin në fjalë: “Më datën 10 tetor 1943 bëhet shtetrrethimi i Vlorës dhe kontrolli i rreptë në të gjitha familjet e dyshuara për pjesëmarrje në luftën nacionalçlirimtare. Gjermanët janë shoqëruar dhe orientuar nga eksponentë të Ballit Kombëtar për arsye se xhandarmëria e kishte humbur besimin e gjermanëve, dhe kjo në veçanti pasi komandantit të xhandarmërisë së Vlorës major Engjëll Vaso, i kishin gjetur një letër për Rrahman Dibrën (Parllakun). Në këtë aksion Engjëll Vason e internuan në kampet gjermane. Kontrolli i rreptë u bë në bazat e dyshimit sepse me Ballin, deri në ato momente ne ishin në bashkëpunim të hapur dhe e njihnim mirë njëri-tjetrin. Unë kujtoj arrestimin e rreth 400 vetëve, por edhe një ngjarje të asaj kohe, kur 17 veta nga 106 personat janë pushkatuar në Resnjë të Ohrit, gjatë rrugës për në internim. Kjo sepse njëri nga të arrestuarit, Miço Jemini nga Tërbaçi, u hodh nga kamioni për të shpëtuar por e kapën. Për të bërë shembull, gjermanët morën nga një person për çdo kamion, 17 në total, dhe i pushkatuan në vend. Nga grupi prej 106 vetësh, mbaj mend se janë kthyer vetëm katër vetë, të tjerët mbetën aty”.
Fakti që gjermanët nuk kishin besim tek xhandarmëria shqiptare, kuptohet që në fillim të raportit të majorit Jaquet, kur ai thotë se për të tërhequr tetë nëpunësit shqiptarë në këtë operacion u përdor preteksti i një patrullimi të përbashkët rutinë. Por e reja e këtij dokumenti është se ai tregon që ato javë e muaj të parë të pushtimit gjerman ishin vërtet tragjikë, dhe raprezaljet masive të 25 tetor-6 nëntorit 1943, u kishin paraprirë operacione të tjera spastrimi si ky i 10 tetorit, nga i cili shpëtoi për fatin e tij, edhe atentatori i famshëm i njësiteve guerrile të Vlorës Rrahman Parllaku, sot 97 vjeçar.
Interesant është edhe fakti tjetër: Pikërisht më datë 25 tetor, kur gjermanët dhe Vizhdan Risilia po nisnin operacionin e madh të “të gjashtëqindve”, zv.ministri i Jashtëm i qeverisë shqiptare nën gjermanët, Vehbi Frashëri, i dërgon një letër përfaqësuesit fuqiplotë gjerman për Europën Juglindore, Herman Nojbaher, ku kërkon në kuadër të formatit të pavarësisë së Shqipërisë me gjermanët që janë vetëm mysafirë të përkohshëm në territor, të sillen në Shqipëri të arrestuarit nga autoritetet ushtarake në Vlorë, Kaninë etj. “Komiteti Ekzekutiv të përkohshëm i rezulton se të arrestuarit në fjalë janë dërguar përtej vijës kufitare të Shqipërisë, dhe me ç’duket, ata sot ndodhen në Manastir. Kundrejt këtij fakti, detyrohem në emër të Komitetit, të tërheq vërejtjen e shkëlqesisë s’uej mbi cënimin që i asht ba prestigjit dhe autoritetit të këtij komiteti, i cili më shumë vështirësi po mundohet t’u japë me kuptue elementave kundërshtarë se Shqipëria asht e pamvarur dhe se autoritetet ushtarake gjermane nuk përfshihen në punët e saja të brendshme”…, shkruan Frashëri.
Vehbi Frashëri ka qenë një diplomat jo vetëm gjermanofil, por edhe i respektuar nga këta të fundit. Kërkesa të kësaj natyre ai ka bërë disa herë ato muaj, por sesa e ka dëgjuar Nojbaheri, tashmë është e qartë.
Operacioni i spastrimit të 10 tetorit 1943 kishte pasoja të rënda. Ai grup i madh njerëzish që, të përfshirë ose jo në lëvizjen antifashiste, u degdisën nëpër kampet e përqëndrimit nga nuk u kthyen më, do të meritonin një përkujtesë, një monument a obelisk.
Numrin e ardhshëm do të lexoni:
– Si nisi operacioni i spastrimit të Vlorës
-Roli i vëllezërve Risilia në reprezalje
-Rrëfimet e dëshmitarëve të kohës
Komentet