Unioni Ndërkombëtar Demokrat në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv miratoi më 6 dhjetor me unanimitet një rezolutë për Shqipërinë propozuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë dhe Partia Republikane.
Në rezolutë shprehet shqetësim i madh në lidhje ‘me përqendrimin e pushtetit në duart e një personi dhe shndërrimin e zgjedhjeve në fasadë, persekutimin politik ndaj të gjithë liderëve të opozitës, që sipas saj përballen me persekutim politik, burgosje dhe kërcënime si Sali Berisha, Ilir Meta, Fatmir Mediu, Ervin Salianji dhe Fredi Beleri, duke e krahasuar me regjimet autoritare në Bjellorusi dhe Tunizi; korrupsionin e shfrenuar dhe lidhjet mes krimit të organizuar dhe drejtuesve të Partisë Socialiste, për të manipuluar zgjedhjet dhe ndikimin ne emërimet në postet kyçe; dështimin e qeverisjes së Ramës për të trajtuar rekomandimet e OSBE/ODIHR në lidhje me abuzimet elektorale’.
Shqetësimi i IDU bëhet akoma më i madh duke pasur parasysh afrimin e zgjedhjeve të vitit 2025 ndërkohë që represioni politik po përshkallëzohet, që dëshmon që gjyqësori është kthyer në një mjet për të shtypur opozitën dhe për të manipuluar zgjedhjet.
Kryetar i PR Fatmir Mediu faleminderoi EPP dhe CDI për miratimin e dy rezolutave për Shqipërinë.
“Sot, ne kërkojmë mbështetjen tuaj për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Qeveria socialiste po përdor sistemin gjyqësor si një armë kundër liderëve politikë të opozitës përmes arrestimeve, gjyqeve, dhe ndodhemi në këtë situatë vetëm katër muaj përpara zgjedhjeve.
Një e treta e popullsisë, të rinjtë dhe profesionistët, kanë lënë vendin, duke krijuar një problem të madh për të ardhmen tonë; krimi i organizuar ka lidhje të forta me qeverinë, duke vendosur se kush do të jenë deputetët në listën e Partisë Socialiste. Kryeministri po bën gjithçka për të manipuluar zgjedhjet e ardhshme, me qëllim të sigurimit të 2/3 së mandateve parlamentare, për të ndryshuar Kushtetutën dhe për të krijuar një sistem presidencial nën kontrollin e tij.
Rezoluta e miratuar nga IDU është një sinjal i fortë që kërkon vetëm standarde për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Një qeveri kujdestare është e nevojshme për të mbajtur larg duart e krimit të organizuar, korrupsionit dhe qeverisë nga zgjedhjet”.
Në prezantimin e Rezolutës Vokshi, përfaqësuese e PD, theksoi:“Përtej propagandës së madhe, të paguar me para korrupsioni dhe krimi të organizuar, ekziston një realitet shumë i errët dhe i trishtë. Shqipëria ndodhet nën një regjim autoritar, ku Kryeministri kontrollon të gjitha pushtetet (politike, institucionale, ekonomike, mediatike dhe drejtësisë).
Sistemi i drejtësisë, pas reformës «së famshme» në drejtësi, e cila u ndikua shumë dhe u financua nga Fondacioni i Shoqërisë së Hapur dhe George Soros, në vend që të bëjë drejtësi, po përdoret si një armë në duart e mazhorancës duke e shndërruar Shqipërinë ne një vende me të burgosur politikë: Sali Berisha, Ilir Meta, Fatmir Mediu, Ervin Salianji, Fredi Bejleri.
Zgjedhje të lira dhe të ndershme – tha znj Vokshi- nuk janë organizuar në Shqipëri që nga viti 2013. Vota është e shantazhuar, e kërcënuar dhe e dhunuar. Zëri i Amerikës, media zyrtare e qeverisë në SHBA, ka publikuar një studim me një informacion tronditës: Një nga katër votues, e ka ndryshuar votën për shkak të presionit të administratës publike të këqpërdorur nga mazhoranca socialiste.
Bandat kriminale në Shqipëri, të lidhura me Kryeministrin dhe mazhorancën socialiste u përdorën nga maxhoranca për zgjedhje, dhe tani drejtojnë trafikun e drogës nga Amerika Latine në portet e Europës e janë shndërruar në rrezik jo vetëm për Shqipërinë, por për Evropën, Amerikën Latine.
Kërkojmë mbështetje për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Modeli maqedonas, i një qeverie kujdestare, është një mundësi e mirë për ne për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Rezoluta e IDU kërkon:
Të ndalet persekutimi politik ndaj liderëve të opozitës, dhe sigurimi i një mjedisi të lirë e të ndershëm për të gjithë aktorët politikë në mënyrë që të bëjnë fushatë pa asnjë persekutim politik.
Garantimin e shtetit të së drejtës dhe integritetit institucional si themele të një shoqërie demokratike.
Sistem gjyqësor të paanshëm dhe të lirë nga ndërhyrjet politike.
Intensifikimin e luftës kundër krimit të organizuar, trafikimit të drogës dhe pastrimit të parave, duke siguruar që veprimet të mbeten të paanshme duke mos targetuar opozitën.
Zgjedhje të lira dhe të ndershme që garantojnë pavarësinë e administratës publike nga partia në pushtet.
Krijimin e një qeverie kujdestare, sipas modelit të Maqedonisë së Veriut, për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
IDU do të monitorojë nga afër zhvillimet dhe do të mbështesë aspiratat demokratike dhe europiane të Shqipërisë. sn