Kina rrit angazhimin e saj në konfliktin e shkaktuar nga Moska, dëshiron të jetë protagoniste e negociatave të paqes dhe mohon furnizimin me armë për Kremlinin
VOAL- Shefi i diplomacisë së Partisë Komuniste të Kinës, Wang Yi, ka mbërritur në Moskë për bisedime mbi një plan të mundshëm paqeje për Ukrainën. Wang Yi shkoi në Rusi, sipas gazetës ruse Kommersant, me “qëllimin kryesor të udhëtimit për të rritur rëndësinë e rolit të Pekinit” në çështjen e Ukrainës.
Gazeta shton se bisedimet janë “projektuar për të përshpejtuar zgjidhjen e krizës, e cila sjell kosto në rritje për Pekinin në marrëdhëniet me Perëndimin”, ndërsa akuzat perëndimore se Kina mund t’i japë ndihmë ushtarake Rusisë mbeten në plan të dytë.
Kinezët kanë hedhur poshtë ato që i quajtën “të rreme” pretendimet e Shteteve të Bashkuara se Pekini po shqyrton armatosjen e Rusisë në luftën e saj kundër Ukrainës. “Ne nuk pranojmë që Shtetet e Bashkuara të drejtojnë gishtin në marrëdhëniet midis Kinës dhe Rusisë, e lëre më të ushtrojnë shtrëngim dhe presion”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Wang Wenbin, duke akuzuar Uashingtonin për “përhapjen e informacionit të rremë”.
Perëndimorët paralajmërojnë Pekinin për “vijën e kuqe”
Ambasadorja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara Linda Thomas-Greenfield kishte thënë tashmë të dielën se Kina do të kalonte një “vijë të kuqe” nëse vendos t’i ofrojë ndihmë ushtarake vdekjeprurëse Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë. Këtë e bëri jehonë të hënën edhe kreu i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, i cili konfirmoi se dorëzimi i armëve Rusisë nga kinezët do të ishte gjithashtu një “vijë e kuqe” për Brukselin.
Ky i fundit tha për shtypin se “Kam folur me Wang Yi; kam shprehur shqetësimin tonë të madh që Pekini po furnizon me armë Rusinë. Kam kërkuar që qeveria kineze të mos ndihmojë Rusinë dhe i thashë se do të ishte “vijë e kuqe”. “Për marrëdhëniet tona: Wang Yi më tha se Kina nuk do ta bëjë këtë, por ne duhet të jemi vigjilentë.” rsi-eb