Prishtinë – Presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti, pas ceremonisë së ngritjes zyrtare të flamurit të Kosovës, me rastin e shënimit të 16-vjetorit të shtetësisë, kanë uruar të gjithë qytetarët e Republikës për Ditën e Pavarësisë, derisa kanë përkujtuar të gjithë ata që punuan dhe u flijuan për këtë ditë.
Presidentja e vendit ka thënë se sot shënohet e arritura më e madhe historike e popullit tonë, teksa ka këmbëngulur se Kosova asnjëherë nuk do të bëjë hapa prapa.
“Shënojmë ditën kur shteti ynë u shpall i pavarur, sovran i lirë e demokratik. Në këto 16 vite të shtetit tonë, Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm përpara dhe e vendosur për të treguar para botës që jo vetëm e ka merituar lirinë dhe pavarësinë e saj por është edhe kontribuuese e paqes, stabilitetit dhe sigurisë edhe përtej kufijve të saj. Dua të uroj të gjithë qytetarët e Kosovës, sepse gjithsecili prej tyre ka dhënë një kontribut të çmuar që sot ne ta gëzojmë shtetin tonë, por në veçanti dua të kujtoj ata që dhanë më të shtrenjtën e tyre, që ne sot të jetojmë të lirë, të gjithë dëshmorët e kombit dhe martirët e republikës sonë”, ka theksuar presidentja Osmani.
Ajo tutje ka theksuar se “sot e kujtojmë vizionin e arkitektit të pavarësisë, presidentit Ibrahim Rugova dhe sakrificën e pashembullt, trimërinë dhe guximin e Familjes Jashari dhe të gjithë ushtarëve UÇK-së në krye me kryekomandantin legjendar, Adem Jashari”.
“Lavdi të gjithë atyre që dhanë jetën për Kosovën, për shtetin që sot e gëzojmë e festojmë, dhe i cili do të vazhdojë të ecë përpara pa bërë asnjëherë hapa prapa”, ka shtuar Osmani.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se sot së bashku me presidenten e vendit, kryeministrin, kabinetin qeveritar, ushtrinë e ngritën flamurin e Republikës për nder të Ditës së Pavarësisë.
“Kjo është dita më e rëndësishme e shtetit tonë, 16 vite më parë lindi Republika e Kosovës. Sot është jo vetëm ditë e festimit, por edhe e reflektimit, e falënderimeve dhe mirënjohjeve. Falënderimi i parë shkon për ata dëshmorë dhe martirë që e dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e shtetit tonë dhe për të gjithë ata veprimtarë e aktivistë politikë të cilët nuk kursyen asgjë që shteti jonë të krijohet. E padyshim edhe miqtë tanë ndërkombëtarë të cilët na ndihmuan që të lind Republika e Kosovës. Prandaj gëzuar të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës kjo ditë e rëndësishme”, ka thënë Konjufca.
Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti rikujtoi se para një muaj u përkujtua 25 vjetori i masakrës së Reçakut, derisa pas tri javësh tha se do të përkujtojmë 26 vjetorin e Epopesë së UÇK-së, e pas katër muajsh do të shënohet 25 vjetori i çlirimit.
“Pra, rezistenca e çlirimi i paraprinë pavarësisë, të cilën e gëzojmë sot dhe e forcojmë nëpërmjet institucioneve të shtetit, zhvillimit ekomomik, progresit demokratik e shoqëror. Ky 16 vjetor e zë Kosovën me pasaportë të fuqishme si asnjëherë më parë, duke mundësuar që qytetarët e saj të lëvizin të lirshëm në 35 vende. Gjithashtu edhe në aspektin ekonomik, demokratik por edhe në aspektin e sigurisë dhe të integritetit mund të themi, e duhet të themi se republika jonë e përbashkët asnjëherë nuk ka qenë kaq e fortë, e sigurt e lirë dhe demokratike”, ka theksuar i pari i ekzekutivit.
Tutje Kurti iu shprehu lavdi e mirënjohje të gjithë heronjve, dëshmorëve, martirëve dhe të gjithë atyre që punuan e u flijuan për Republikën e Kosovës.
“Duke i përkujtuar ata, ne ja përkujtojmë vetes edhe çfarë çmimi të lartë kemi paguar për të arritur këtu, por edhe njëkohësisht edhe rrugën që do ta vazhdojmë sigurisht drejt integrimeve evropiane e euroatlantike, për çka një falënderim i veçantë shkon partnerëve dhe aleatëve tanë ndërkombëtar që na mbështetën e na ndihmuan. Të arriturat i mbrojmë, sfidat i tejkalojmë e sukseset i shtojmë bashkë. Gëzuar”, ka theksuar Kurti para medieve pas ceremonisë së ngritjes së flamurit të shtetit.