(botim post-mortem)
Me shigjeta të padukshme;
fjal intriguese,
gjarpij helmues,
ma ke godit zemrën,
ma ke plandos shpresën,
ma ke plague dashunin.
Por mendja largpamse
e ka zbulue harkun,
i ka përçmue skllavët,
i ka përbuzë papagajt;
me fjalën shpatë
u ka pre thimthat helmues.
Më të vogël se shalët hapin e shtrin,
në ballin e mjegullt
rrudhash valzue
ka ruejt krenarinë.
Pa i shtri dorën lmoshës,
pa e shqiptue fjalën lutje,
pa iu zgerdhi injorantit,
pa iu përkul tiranit,
pa i ba lajka karjeristit,
pa ia dridh çerpikun
tytës së drejtueme mbi ball.
Me trupin ndjersit
kanaleve rrasun deri në fyt
lopaten e kam ba eskavator.
Shkambijve, dhamball të tokës së lashtë,
mbi kurrizin vinç
ua kam prish gravitetin
t’ue i hudh nëpër humnera,
kam hap nji rrugë të re.
Kokën kam përgjak,
fajtorën prometjane,
ndërgjegjes, kambve me u dhanë liri
mbi kordon bajanetash,
mur i burgut të shpirtit,
nëpër tokën e njerzve
të marshojë bashk me njerëz.
Floku me asht përthi
pa më buzqesh rinia;
si lulet ndër livadhe
bryma që i përcllon.
pa i ledhatue rrezja
e diellit të ambël pranveror.
U shkrumue ndër mërgime,
u vyshk në izolime,
u ngri ndër qeli
heroikja ime rini.
Por e pavdekshme gjurmë
e rinisë time ka me mbet
haplir, ballkrenar,
syshqipojë, gjuhshpatë,
dorhekurt , krahnor shkamb.
E etun burimet
e dijes me i përbij,
shtigjeve të pashkeluna
majat don me i kap.
T’ue i than jo-servilizmit
ballin e çon nalt.
T’ue i than jo-padrejsisë
shpaten e ka mpreh.
T’ue i than jo-shtypjes
grushtin e ka ngreh.
T’ue i than jo-frigës
vdekja e rilind.
Nëpër gjurmët tona
breznit kanë me u nis,
si na nëpër të dikujt.
Nëpër majat që na msym
ata kanë me dal.
Shtigje të reja rishtas
kanë me msy.
Njerzimit hapin
drejt të panjohunes
kush ia ndal?!
Ti tiran,
ti egoist,
ti injorant,
ti i shejtnuem,
ti patriarkal,
ti tradhtar,
ti dogmatik,
ti intrigant,
ti hipokrit,
ti servil…
që nëpër shekuj
ujin ia keni turbullue
njeriut zot të vetvetes,
zot të jetës.
Karavanit të njerzimit
si nji gur në rrugë,
si nji cung i kalbun,
si nji therr në kamb,
si nji coftinë e qelbun,
si nji qen i hazdisun,
si nji mi dhambbrejtës,
si nji ngricë e lmueme,
si nji mjegull e dendun,
si nji erë me breshën,
si nji furullazë…
hapin ia keni pengue.
Por kurr me ia ndal.
A more vesh Xhorgje!
Ma par i djeg krijimet,
se sa nji germë prej tyne
tentoj me ndryshue.
As s‘kam me t‘u lut kurr,
jo, ty me m‘i botue.
Në çdo germë ka gjak,
në çdo fjalë nji ndjenjë,
në çdo rresht nji nerv
i vehtes sime
me frymzim asht saldue.
Mirditë-Rrëshen,1973