Një vështrim rreth veprës “Shmili-një rrugëtim në shekuj”, të studiuesit elbasanas, Agim Qoku
Me krijuesin me origjinë nga Çermenika, z. Agim Qoku kam njohje që në rini, kur së bashku shkruanim në organet e shtypit. Agimi është mësues, ndërkohë që për aftësitë e tija drejtuese ka qenë zgjedhur prej shumë vitesh drejtues në disa shkolla të rrethit e që këtë detyrë e vazhdon me sukses edhe në ditët e sotme. Emri i tij është bërë tashmë i njohur në rrethin Elbasanit dhe më gjerë si drejtues me vizion të spikatur, si specialist me përvojë në fushën e mësimdhënies, por edhe si një publicist që dallon dukshëm me artikujt e tij të ideuar bukur, e sidomos kur trajton tema me interes për arsimin dhe pedagogjinë në radhë të parë, por edhe për fusha të tjera të publicistikës, të letërsisë, të historisë dhe të kritikës, ndërkohë që shquhet edhe si një studiues i kualifikuar dhe kontribues.
Njohja ime me këtë krijues dhe publicist të talentuar erdhi e u forcua vecanërisht kur, bashkë edhe me shumë e shumë kolegë të tjerë, bashkëpunonim dhe jepnim ndihmesën tonë për botimin e gazetës “Mësuesi”, organ i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (Sportit). Mund të them se gjithnjë Agimi ka qenë dhe mbetet një shembull i njeriut të formuar me personalitet dhe kulturë të lartë pedagogjike, publicistike e kulturore.
Cilësitë e vyera të Agimit dhe personaliteti i tij si drejtues arsimi dhe krijues në shumë fusha, më nxitën të hedh në letër edhe disa konsideratat të merituara për këtë koleg të nderuar, por edhe të shkruaj për librin e tij të kohëve të fundit me theks studimor “Shmili – një rrugëtim në shekuj”, sintezë e një pune kërkimore disa vjeçare në fushën e studimeve monografike dhe historike, një libër që autori ia kushton vendlindjes së tij Shmilit, fshat dhe katund i njohur, jo vetëm në zonën e Çermenikës dhe të Elbasanit, por në të gjithë Shqipërinë.
Ngjarjet historike që autori përshkruan në këtë vepër janë aq interesante dhe të thjeshta, saqë edhe lexuesi më i zakonshëm përjeton me emocion historinë e lindjes dhe zhvillimit të krahinës gjatë periudhave të ndryshme të historisë. E në këtë fushë, Agimi shfaqet me prirje historian i spikatur, i kujdesshëm dhe i saktë, si në përshkrimet e gjalla dhe bindëse, ashtu dhe në thellësinë e argumentimit të tyre, bukurin e vlerave që përbëjnë këtë krahinë dhe si dhe vet Shmilin e njohur, Katund i parë i kësaj treve, e që ruan në gjirin e tij vlera të shumanshme: historike, arkeologjike, sociale dhe kulturore dhe, si rrjedhojë, bënë krenar cdo banorë të saj, por dhe rrezaton në historinë e trevës së Elbasanit si një margaritar i rrallë.
Libri “Shmili – një rrugëtim në shekuj”, përcjellë te lexuesi episode të bukura, tërheqëse dhe mbreslënëse të cilat, krahas informacionit të zgjedhur që ofrojnë, të bëjnë ta duash dhe të ndihesh edhe më shumë për këtë trevë të lashtë dhe të vyer shqiptare, madje edhe të kërkosh të dishë për herë e më shumë. Janë vlera të vërteta që i ka një libër i mirë, që lexuesi e ka tashmë në duar dhe që e bëjnë të ndihet krenar me vendin dhe atdheun, i cili, sic dëshmon edhe ky libër, por edhe e gjithë historia dhe kultura e popullit tonë, në cdo pëllëmbë të kësaj toke të begatë, spikat dukshëm një kulturë e pasur dhe e rrallë, e cila vjen nga ilrët e përcillet pastaj në shekuj e breza njerëzish që kanë qenë pjesë e vyer e kombit shqiptar e që kanë pasur gjithnjë lajtmotiv të tyre: lirinë dhe pavarësinë.
Është interesant fakti se z.Agim Qoku, në këtë libër shquhet për një punë kërkimore e shkecore, vecanërisht kur ai kërkon rrënjët e historisë së formimit të krahinës së Shmilit dhe të Çermenikës, e cila daton (argumenton autori) që në kohën e pellazgëve, e ku ajo del me emrin Lugaxhi, nisur nga forma e relievit që ka edhe sot, ndërsa emri Shmil, mendohet të ketë lindur rreth shek. III pas Krishtit dhe vjen nga emri Shen Mëhill, që sot identifikohet me trevën e Çermenikës së Zezë.
Sic vë në dukje, në hyrje të librit, recensuesi i tij, shkrimtari i njohur Viron Kona: “Shmili – një rrugëtim në shekuj”, është një punim që të vë në mendime, por dhe të entuziazmon kur mendon se gjithë këto prurje historike, arkeologjike, etnografike të traditës etj., janë të mbledhura në një trevë, në një fshat e krahinë, ku densiteti i ngjarjeve historike, cilësitë, veçoritë dhe tiparet e banorëve janë sa origjinale, aq edhe të pasura me vlera të shumta. Duke lexuar, mendja më thoshte se i tërë trualli shqiptar është i tillë, si një minierë e pazbuluar, që përmban aq shumë “minerale” të çmuara materiale dhe shpirtërore, mjafton të kërkosh e të gërmosh dhe do të shohësh se ky vend është një truall i rrallë dhe i bekuar”.
Shmili ndodhet në një vend strategjik dhe me një pasuri gjeografike dhe klimatike të begatë, mendohet se vendbanimet e kësaj krahine shtrihen në një periudhë kohore gati 2500 vjeçare, ku jetonte fisi i njohur ilir i Kandavëve, të cilët kishin hyj një perendeshë ekuivalente me Dianën romake që quhej Zana. Ndër të vecantat e krahinës, është edhe fakti se aty mendohet të jetë vendorigjina e lindjes së Ditës së Verës, festë e njohur pagane e cila ka përhapje në të gjithë Shqipërinë. Lidhur me ktë ngjarje lexuesi merr në libër një informacion pikant dhe tërheqës, po aq edhe bindës që nxit krenarinë dhe zbukuron jetën si dhe për festa të tjera origjinale ilire-arbërore-shqiptare. Ndërkohë që do të theksonim këtu edhe Ditën e Rrushit, e cila na tregon se festat lidheshin dhe me dukuri e fenomene që kishin të bënin në mënyrë të drejtëpërdrejtë me jetën e njerëzve, si në kohët e lashtë e deri në ditët tona. Kështu, autori Agim Qoku na shpjegon se festimi i Ditës së Rrushit në Shmil e Çermenikë lidhej me faktin se populli i kësaj krahine ka siguruar gjithnjë rreth 60% të të ardhurave nga prodhimi i rrushit dhe produkteve të tij.
Libri ka bukuri velerash, emra personalitetesh historikë, toponime të shumta, episode, ngjarje, histori që vënë në dukje faktin se nga treva të thjeshta kanë lindur ata njerëz që kanë bërë historinë e truallit tonë ilir e arbëror. Janë midis të tjerave edhe shumë figura të njohura, të cilat kanë luajtur një rol të rëndësishëm në njohjen dhe zhvillimin e krahinës por dhe të vendit tonë si Pjetër Shmili, bashkëkohës i Imz.Mark Skurës, pjesmarrës edhe në Kuvendin e Dukagjinit në vitin 1602. Në këtë trevë, dikur pagane, në fillim u përhap besimi katolik, aty ndodhen edhe tri kisha, ajo e Shënpremtes, Shënkollit dhe Shëngjonit, madje në këtë krahinë gjënden rrënojat dhe toponimet e 12 kishave, por me pushtimin e trojeve të arbrit nga pushtuesit turq, pupullësia nisi të konvertohej në mysliman aty nga fillimi i shekullit XVIII.
Ishte David Arianiti i cili mes viteve 1001 – 1018, pati krijuar një shtet me dy qendra, njëra prej të cilave në Çermenikë, por pas dyndjes së fiseve gote e sllave, treva bie nën sundimin bizantin dhe Arianitasit mbeten feudal të vegjël.
Shmili është treva ku ka lindur dhe luftuar bashkëpunëtori i afërt i Gjergj Kastriotit, Gjergj Arianiti, i cili përmendet për betejën e zhvilluar në Byshek të Elbasanit më 1432, që shënohet në kronikat e kohës si fitorja e parë e princërve arbnorë. Duhet theksuar se populli kësaj krahine nuk i ka shuar kryengritjet për liri. Një e tillë ishte edhe ajo kundër Dalip Beut që deshi të nënshtronte krahinën e Çermenikës, madje populli i ngriti edhe këngë:”…Dalip Beu, o Dalip jevga, / Merr atë zallë e pre do tjegulla, / Mos pre tjegulla e mos pre tulla, / N’Çermenikë t’i nuk ngre kulla…”, por e ashpër qe edhe lufta kundër reformave të Tanzimatit, ku u dallua udhëheqësi i kryengritjeve, patrioti i njohur çermenikas Selman Lleshi, të cilin e kapën forcat turke pabesisht, por fshatarët patriotë dhe luftëtarë të zonës së Çermenikës msynë mbi trupat turke dhe e liruan.
Patriotët e kësaj treve kanë dhënë një kontribut të shquar edhe në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, ku veç Iljaz Pashë Dibrës – Çoku, si kryesues i Takimit, morën pjesë edhe Daut Çoku, Ali Hida. Hasan Alia, Seit Duraku etj.
Duke lexuar librin e z.Qoku, që për hirë të së vërtetës jo vetëm e kam lexuar por edhe e shfletoj herë pas here si për pasurinë e ngjarjeve pikante, për argumentimin e tyre, por edhe për vlerat arkeologjike, historike dhe kulturore, më ka ngacmuar mendimi se sa e pasur është cdo trevë shqiptare dhe se cfarë detyrash të mëdha dhe të rëndësishme kanë intelektualët, studiuesit dhe kërkuesit në këto treva, të cilat, përvecse shquhen për bukurinë natyrore dhe origjinalitetin, përbëjnë edhe një pjesë të mozaikut të ndritur të kombit tonë të lashtë.
Kontributi i padiskuteshëm i z. Qoku, ofrimi prej tij i këtij libri plot bukuri dhe informacione të cmuara, na bënë që të dalim në konkluzionin nxitës se historinë tonë do ta bëjmë dhe mund ta bëjmë kurdoherë më mirë vet ne shqiptarët.
Gjithnjë ka pasur përpjekje të tilla dhe shumë njerëz kanë shkruar për fshatin, krahinën, qytetin, rrethin apo për e ngjarje të vecanta që kanë ndodhur, por them se është koha kur, sot, Shqipëria me kaq shumë intelektualë, njerëz me kulturë dhe e hapur me botën, mund të sjellë thesare në sipërfaqe të saj, të fshehura dhe të mbuluara nga shekujt dhe pushtimet e njëpasnjëshme që kanë rënë mbi këto popull.
Mendoj se studiuesi, mësuesi, drejtuesi i njohur Agim Qoku po e bënë me dinjitet dhe kompetencë shkencore këtë detyrë ndaj atdheut dhe kombit, ndaj dhe ai, për mendimin tim, është njeri i punëve të mëdha nga duhet të marrin shembull.
Të gjithë kemi detyra ndaj vendlindjes, ato shfaqen në shumë e shumë fusha, por, njëra prej tyre është edhe vepra: “Shmili – një rrugëtim në shekuj”, e shkruar me përgjegjësi, stil, bukuri e rrjedhshmëri nga kolegu ynë i arsimit dhe i letrave shqipe, studiuesi i njohur elbasanas, z. Agim Qoku.
Përgëzime dhe urime për vepra të tjera!
Respekt te vecante per zotin Agim Qoku, i cili me dituri , dashamiresi e patriotizem zbulon gjithmone e me shume virtutet me te mira te vendit tone, dhe te treves. Duke qene nga Elbasani kam ndjekur me endje cdo emisjon ku Agimi me cfaqet. Edhe pse ja 20 vjet larg Atdheut mendjen e kamatje dhe cdo gje e mire me frymezon e me jep kenaqesi. Keshtu qe uroj me shpirt qe per te gjithe ata qe promovojne Atdheun me te mirat qe kemi eshte Atdhedashuri.
Z.Agim ju uroj shendet te plote dhe lumturi ne familjen tuaj. Ne se do hapen rruget se shpejti do te jem ne Atdhe dhe do tju kerkoj tju takoj e te bashkebisedojme.
Hysni Demeti
Germantown , Wisconsin
U.S.A