Komisioni i Pavarur për Media (KPM), i ka dhënë afat prej 30 ditëve televizionit Klan Kosova, që të plotësojë dokumentacionin e nevojshëm të biznesit në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK).
KPM-ja tha se dështimi për të vepruar në pajtim me rregulloren e shërbimeve mediale, brenda afatit të përcaktuar do të rezultojë me masa sanksionuese, sipas ligjit.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Qeverisë së Kosovës më 14 qershor ngriti kallëzim penal ndaj Shoqërisë Tregtare, Klan Kosova SHPK.
Kallëzimi penal u ngrit me “pretendimin se në certifikatën e biznesit, te ndërrimi i pronarëve, figuron Pejë – Serbia dhe Gjakovë – Serbia”.
ARBK-ja në bazë të akteve ligjore ka marrë vendim që të pezullojë certifikatën e biznesit televizionit Klan Kosova, deri në një vendim tjetër.
KPM-ja në mbledhjen e mbajtur të premten, ka sqaruar se rregullorja e KPM-së për dhënën e licencës për shërbime mediale, kërkon që kompania private të jetë ligjërisht e regjistruar në Kosovë.
KPM-ja tha se është njoftuar nga ARBK-ja më 14 qershor 2023, se ka pezulluar certifikatën e biznesit për Klan Kosova.
“Duke pasur parasysh se ofruesi i shërbimit medial, Klan Kosova, është licencuar nga KPM-ja mbi bazën e kësaj certifikate të biznesit, e cila vë në dilemë ligjshmërinë e këtij biznesi, rekomandon që në afat prej 30 ditëve nga pranimi i këtij vendimi të plotësojë dokumentacionin e nevojshëm për mbajtjen e licencës së transmetimit konform rregullores për ofruesit e shërbimeve mediave”, tha Jeton Mehmeti, kryetar i Komisionit të Pavarura për Media.
Çfarë parasheh Ligji?
Neni 30 i Ligjit të KPM-së thotë:
Për shkelje të kushteve të licencës, kodit të sjelljes dhe akteve të tjera juridike në pajtueshmëri me këtë ligj, KPM-ja mund t’u lëshojë të licencuarve vërejtje me shkrim ose t’u shqiptojë një apo më shumë prej këtyre sanksioneve:
- T’i urdhërojë subjektit të licencuar që t’i transmetojë publikisht detajet e natyrës dhe shkallës së shkeljes së kushteve të licencës, kodeve të sjelljes dhe akteve tjera juridike në pajtueshmëri me këtë ligj.
- Të kërkojë nga i licencuari që të transmetojë korrigjimin ose të kërkojë falje përmes transmetimit.
- T’i vendosë një gjobë në vlerë jo më pak se njëmijë euro dhe jo më shumë se njëqindmijë euro.
- Të kërkojë pezullimin e një pjese ose gjithë programin e të licencuarit për një periudhë të caktuar kohore.
- T’ia ndryshojë kushtet e licencës së transmetuesit.
- T’ia ndërpresë apo refuzojë vazhdimin e licencës së transmetimit.
Për pezullimin e licencës së biznesit të televizionit kombëtar privat, Klan Kosova, ka pasur reagime nga organizatat e mediave vendëse dhe ndërkombëtare.
Të premten, reagime kanë ardhur edhe nga ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian në Prishtinë.