Poetja, publicistja, intelektualja e shquar në komunitetin shqiptaro amerikan, Kozeta Zylo, vjen me librin e saj të ri eseistik, reportazhe, reflektime.
Realisht ka vite qe ka ardhur, ka vite që zëri i saj përsërit e ripërsërit jehonën duke kapërcyer Atllantikun me këngën e saj, me britmën e saj, me vëzhgimin e saj.
Tanimë Kozeta nuk është më nga Mezhgorani i Tepelenës. (Në dejet e saj natyrisht janë erërat e luginave të kësaj treve, në flokët e saj është hëna e verdhë e vendlindjes, në sytë e saj është pak Vjosë e tronditur, në shqetësimin dhe lumturinë e esseistikës së saj janë burimet pellazgjike të Mezhgoranit: Era, Hëna, Dielli)
Kozeta jonë nuk më është më Kozeta jonë, Kozeta është shumë më tepër!
Dhe kjo s’është dramë, është mall, por jo dramë, është krenari që mjekon dhimbjen.
Kozeta ka marrë përmasën e intelektuales së shquar, e esseistes, e kritikes së guximshme, e entuziates si një fëmijë, për arritjet e personaliteve me origjinë shqiptare, për refleksionet ndaj fenomeneve në Shoqërinë njerëzore, për motive sa nga Shqipëria aq dhe nga Amerika…
Në vitin 1997 kapërceu oqeanin me bashkëshortin dhe dy vajzat e saj magjike…
Një pemë e shkulur për t’u mbjellë diku tjetër, në një kontinent tjetër… edhe mund të thahet, por Kozeta bleroi, gjethnoi, zgjati krahët nga Amerika në Shqipëri dhe u bë urë intelektuale.
Në Amerikë, në Nev York, me bashkëshortin e saj Qemal Zylo arritën me përpjekje e guxim të pazakontë të hapin Televzionin “Alba Life” në gjuhën shqipe si dhe tri shkolla shqipe, Staten Island, Brooklyn dhe në Manhattan. Në Manhattan u hap në tetor në vitin 2014 për herë të parë në historinë e Diasporës shqiptaro-amerikane.
Qindra personazhe flasin shqip në mikrofonin e saj, qindra personazhe mbeten të përjetshëm në shkronjën e saj…
Libri që po i paraqitet lexuesit është shumë pak, është maja e ajsbergut qe ajo i ka paraqitur lexuesit në gazetat “Dielli” e “Illyria” në Amerike si dhe në shumë gazeta të vendit mëmë…
Qindra portrete personalitetesh me origjinë shqiptare ndriçojnë e flasin në pendën e saj, zgjerojnë kontinentin e shqipfolësve të famshëm duke u bërë më shumë Shqipëri e më shumë shqiptar.
“Luli i vocërr” ku aktori Praq Rado dhe dy nxënës shqiptarë shkelqejnë në një film amerikan, citimi i vargjeve të Xhevahir Spahiut në një festë të shkollës shqipe nga nxenesit në Staten Island, Fytyra e Lirisë, kushtuar ish të burgosurit politik Pëllumb Lamaj, protesta e komunitetit shqiptaro amerikan ndaj Janullatosit, një mbrëmje humane e shqiptarëve në ndihmesë të Liljana Qoses e që të bën të tronditesh thellë e të kesh besim tek geni i shqiptarëve, reflektime në ditëlindjen e përjetëshme të Nolit, ndriçim mbi portretin e Pjetër Arbnorit të harruar qëllimisht nga klanet komuniste, esse mbi Ali Podrimjen, këngëtarin e Lirisë dhe trishtimit, valixhja e ruajtur me kujtime e nxënësve në Shqipëri etj, të mbajnë ankthshëm e të bëjnë të ndihesh me krenarinë e domosdoshme që u duhet shqiptarëve.
Qershor, 2015
Tiranë



Komentet