Në Shkup të Maqedonisë së Veriut të enjten ka nisur punimet samiti i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, në hapje të punimeve të samitit është përqendruar në sfidat, me të cilat është përballuar OSBE-ja pas agresionit të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës.
“Ne kemi kryesuar vitin më të vështirë për OSBE-në, duke pasur parasysh se organizata është përballur me një sërë sfidash në dritën e agresionit të pajustifikuar të Rusisë kundër Ukrainës. Por, shpresoj që do të arrijmë t’i miratojmë vendimet për të zgjedhur kryesuesin e ri dhe katër pozicionet më të rëndësishme në OSBE, si dhe buxhetin për funksionimin e organizatës”, ka thënë Kovaçevski, teksa ka vënë theksin te takimi gjatë së mërkurës me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, dhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Britanisë, David Kamerun.
“Duhet të jemi të vetëdijshëm se çdo vend në mënyrën e vet dërgon mesazhe për agresionin e pajustifikuar të Rusisë kundër një shteti sovran, në Ukrainë. Disa vende e bëjnë këtë me mungesën e tyre, dhe disa me pikëpamje të shprehura qartë”, ka thënë Kovaçevski.
Ai shtoi se agresioni rus kundër Ukrainës ka vazhduar “me intensitet të lartë dhe me pasoja të rënda dhe shkatërruese duke konfirmuar padrejtësinë e saj”.
“Çdo ditë që kalon dhe çdo jetë e humbur po dëshmon ashpërsinë e agresionit dhe aktin e shkeljes flagrante të sovranitetit dhe të kartës së Kombeve të Bashkuara, parimet dhe angazhimet e OSBE-së, por para së gjithash vlerat njerëzore. Populli i Ukrainës meriton paqe dhe lufta duhet të ndërpritet. Arritja e paqes mbetet imperativ. Kjo luftë po vazhdon të rrënojë themelet e OSBE-së”, ka deklaruar Kovaçevski.
Osmani: Rusia shkeli mbi sigurinë njerëzore dhe parimet e OSBE-së
Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në cilësinë e kryesuesit me OSBE-në, u ka bërë thirrje pjesëmarrësve në samit që të arrijnë një konsensus për Maltën si kryesuese e radhës me OSBE-në për vitin 2024.
Ai ka thënë se beson se konsensusi për Maltën, do të formalizohet të premten nga shtetet pjesëmarrëse të samitit.
Osmani ka pohuar faktin se OSBE-ja, gjatë kryesimit të Maqedonisë së Veriut, është përballur me pasojat e agresionit rus ndaj Ukrainës duke shkelur rregullat e kësaj organizate dhe sigurinë evropiane dhe njerëzore.
“Kam tri mesazhe kyçe si paraardhës. Maqedonia e Veriut mori përsipër kryesimin me OSBE-në në një kohë lufte aktive dhe një kërcënimi për sigurinë evropiane dhe paqen ndërkombëtare. Agresioni rus kundër Ukrainës shkeli rregullat e kësaj organizate dhe shkeli sigurinë evropiane dhe njerëzore, dialogun dhe shkatërroi jetën e njerëzve që duan të jetojnë të lirë dhe pa frikë nga lufta. Në vend të interesit kolektiv, synohen interesa kombëtare egoiste. Kjo krijoi një mjedis të vështirë operativ dhe kundër kësaj ne mbetëm të vendosur për të shërbyer si mbrojtës të vlerave të OSBE-së dhe shumica e shteteve anëtare shmangën defetizmin [mposhtjen] dhe paraqitën sfida për ekzistencën e OSBE-së”, tha Osmani.
Në samitin e OSBE-së po marrin pjesë diplomatë të 57 vendeve anëtare të organizatës, përfshirë shefin e diplomacisë ruse, Sergei Lavrov.
Lavrov arriti në kryeqytetin maqedonas, Shkup, në orët e para të 30 nëntorit.
Pjesëmarrja e diplomatit rus në samitin e OSBE-së paraprakisht ishte mundësuar nga Shkupi dhe Sofja që pezulluan përkohësisht sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian për fluturimet e avionëve rusë për shkak të agresionit rus kundër Ukrainës.
Por, avioni i Lavrovit u detyrua që të udhëtonte mbi Turqi dhe Greqi për të arritur në Maqedoni të Veriut pasi Bullgaria nuk lejoi avionin e Lavrovit të kalonte mbi hapësirën bullgare sepse leja e dhënë vlente vetëm për anëtarët e delegacionit të Lavrovit, në mesin e të cilëve ka edhe persona të sanksionuar nga BE-ja.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, që është nën sanksione të BE-së dhe e cila ishte në bordin e avionit, tha se prania e saj ishte arsyeja që Bullgaria refuzoi kalimin mbi hapësirën e saj.
Ajo e akuzoi Bullgarinë për “budallallëk” për shkak se refuzoi që avioni i Lavrovit të fluturonte mbi hapësirën ajrore bullgare.
Pjesëmarrja e diplomatit rus në samitin e OSBE-së ka shkaktuar debate e reagime të shumta, Rusia me pjesëmarrjen në këtë samit, po përfiton dhe forcon pozitën e saj në skenën ndërkombëtare, përkundër pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.
Ukraina dhe shtetet baltike në shenjë pakënaqësie nuk kanë dërguar ministrat e Punëve të Jashtme në Këshillin Ministror.
Takime me shefin e diplomacisë ruse për momentin nuk janë paralajmëruar as nga delegacione tjera.
Darka joformale e diplomatëve një ditë para samitit
Punimet e Samitit kanë nisur jozyrtarisht të mërkurën në mbrëmje, me një darkë joformale dhe fotografi familjare, në epiqendër të së cilës ishte sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, por jo edhe ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, pasi avioni me të cilin ai fluturonte ende nuk kishte arritur në Shkup.
Kryediplomati amerikan pas darkës joformale është larguar nga Shkupi duke shmangur kështu praninë e tij në një sallë me homologun e tij rus, Lavrov.
Pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe kryesuesin e OSBE-së, Bujar Osmani, diplomati amerikan ka përgëzuar Maqedoninë e Veriut për kryesimin me sukses të OSBE-në, ndërsa ka mirëpritur edhe përzgjedhjen Maltës si kryesuesen e radhës me këtë organizatës gjatë vitit 2024.
“Ju keni bërë një punë jashtëzakonisht të mirë, keni arritur të zgjeroni misionin e OSBE-së, pavarësisht pengesave të mëdha. Më vjen mirë që Malta do të marrë stafetën. Ne kemi një partneritet strategjik që është vërtet i fokusuar në punën që bëjmë së bashku si aleatë dhe partnerë, por edhe në punën që bëjmë bashkërisht në nivel dypalësh”, tha Blinken.
Kryediplomati maqedonas Osmani e falënderoi Blinkenin për mbështetjen e jashtëzakonshme, siç tha, gjatë kryesimit të OSBE-së, ndërsa e njoftoi për “zgjidhjen e sfidave kritike ekzistenciale për kryesimin e OSBE-së në vitin 2024”.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, nuk bëri komente tjera rreth takimit të Këshillit të Ministrave të OSBE-së dhe pjesëmarrjes së ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, në të.
Por, komente mbi pjesëmarrjen e diplomatit rus bëri përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, gjithashtu pjesëmarrës në darkën joformale të Këshillit Ministror të OSBE-së.
Borrell tha se “ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, duhet të dëgjojë nga pjesëmarrësit në Këshillin Ministror të OSBE-së në Shkup se pse Rusia është e izoluar dhe e sanksionuar dhe duhet t’ia përcjellë mesazhet Kremlinit”.
Shefi i diplomacisë evropiane tha se i kupton vendet si Ukraina, Estonia, Letonia dhe Lituania, të cilat vendosën ta bojkotojnë samitin për shkak të pjesëmarrjes së Lavrovit, por edhe Shkupin për vendimin e tij për t’ia mundësuar pjesëmarrjen zyrtarit rus.
“Unë e kuptoj që disa vende pjesëmarrëse nuk ishin të kënaqura me vendimin tuaj për të marrë pjesë ministri Lavrov, e kuptoj, sepse me luftën e paligjshme të Rusisë kundër Ukrainës, ajo po minon të njëjtat parime të OSBE-së dhe po i shkel ligjet, dhe për këtë arsye po përballet me sanksione ndërkombëtare dhe izolim. Megjithatë, vendimi juaj për të lejuar pjesëmarrjen e Lavrovit është në përputhje me qëllimin tonë të përbashkët, për të mbajtur gjallë multilateralizmin”, tha Borrell.
Zyrtari i lartë evropian tha se e mirëpret marrëveshjen që Malta të jetë kryesuese e OSBE-së për vitin 2024 dhe shtoi se beson se vendimi do të konfirmohet në samitin e Shkupit.
Njëjtë, sikur sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, edhe përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, pas takimit joformal është larguar nga Shkupi për të shmangur një takim me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov.
Gjatë punimeve të samitit, përveç vendimit për kryesuesin e radhës me OSBE-në, pjesëmarrësit duhet të miratojnë edhe vendimet tjera, si buxhetin dhe të caktojnë drejtuesit në pozitat kyçe të organizatës.
Në ditën e parë të Këshillit, të enjten, është paraparë nënshkrimi i deklaratës së përbashkët për luftën kundër korrupsionit në Evropën Juglindore përmes kthimit të pronave dhe përdorimit të digjitalizimit. Ndërsa, tema e dytë ka të bëjë me ndikimin e ndryshimeve klimatike në sigurinë e njerëzve në shtetet që janë pjesë e OSBE-së.
Takimi dyditor i Këshillit Ministror të OSBE-së është ngjarja më e madhe diplomatike që është zhvilluar ndonjëherë në Maqedoninë e Veriut.
Autoritetet maqedonase kanë ndërmarrë masa të shtuara të sigurisë duke kufizuar qarkullimin në pjesët kryesore të Shkupit, ndërsa është shpallur edhe ditë pushimi në kryeqytet.