Nis një letër për tek ti
Mbi lumenj e përmbi kodra,
përmbi malet pakufi,
përmbi erë e bashkë me zogjtë
nis një letër për te ty.
Le ta marrë një zog në sqep,
në u lodhtë le ta marrë era,
në pushoftë era e malit,
le ta marrë era e mallit.
Er’ e mallit, mallit tim,
e shtyn letrën breg më breg,
shiu letrën nuk e lag,
vetëtima nuk e djeg.
Në agim, në perëndim,
herë në borë e herë në shi,
fluturon me shumë nxitim
letra ime për tek ty.
Dallëndyshe mërgimtare
merre letrën time vet,
fluturo përmbi vargmale,
tek dritarja që më pret.
Udhëtim për në Kosovë
Ne bënim rrugë dhe iknim larg,
malet e Sharrit varg e varg.
Më folën shqip,u fola shqip,
zëmrat si vela nderur në zgrip.
Dhe shushurinte Drini i Zi:
-“Eh !Shqipëri, moj Shqipëri:::!”
Ne bënim rrugë dhe iknim larg,
fshatrat e Dibrës varg e varg.
Fshatrat e Sharrit varg, kurorë,
një vetëtimë ma bën me dorë.
Dhe shushurinte Drini i Bardhë:
-“Ti që po vjen , mirse ke ardhë!”
*Poezi të shkruara në Kosove, gjate ditëve
të Mitingut të Poezisë në Gjakove. Maj 1978.
Si krushqit ne s’u ngrimë
Baladë e vjetër dhe e re.
Kaq vjet me mall në zëmër
larg njëri-tjetrit rrimë.
Unë pres si Konstandin,
ti pret si Doruntinë.
Po ti do vish drejt meje
dhe unë do vij tek ti,
ti del nga toka e kuqe,
unë dal nga guri i zi.
Dhe do takohen bashkë
të gjallë dhe të vdekur,
dhe do fërkojnë sytë:
-“Sa shumë paskemi fjetur!”
Kaq vjet larg njeri-tjetrit,
s’i krushqit ne s’u ngrimë.
Unë pres si Konstandin,
ti pret si Doruntinë.
Në kufi të dy shteteve
Një nënë është ulur mbi një gur,
duart ka kryqëzuar mbi gjunj dhe qan.
Në kufi të dy shteteve rigon një shi
madhërisht i përvajshëm.
Vetëtin e bubullin
sikur çatia e qiellit kërkon të bjerë.
Te brezi i kufirit qëndron një nënë shamibardhë,
janë shumë pleq dhe fëmijë të veshur si për festë.
Në prizma lotësh
shikojnë gjininë e vet aty
dhe vetë si shtatore të gurta qullen në shi.
Dhe midis tyre s’ka as lumë,
as breza zjarri,
as mal me borë,
as pyll as det,
midis tyre rri i mallkuari
viti 1913.
Po midis tyre është shtrirja e duarve dhe zëmrave në erë,
është dashuria që i bën zëmrat balona të kuq
dhe anije me vela,
lulëkuqe të së njëjtit mal,
bajame të së njëjtës degë,
yje të së njëjtit qiell,
lot të të njëjtin sy…
E shpresë të të gjitha kohërave.
Atdheu pa popull
Kosovë. Prill 1999.
* * *
Kur ikëm
macja e vetmuar mjaullinte në oborr,
lopët dhe magjari me sy drejt qiellit.
Vetëm ulërima
vinin nga zgafellat e miteve të vdekura
ku rrinin të mbyllura vetëtimat e plagosura.
Kur ikëm
kuja e yjeve hapte plagë të ftohta
në trupin e mbrëmjes së lagur.
Zjarret që lamë pas
mallkonin klithmat e gurëve të varreve.
Në një çast
këndesi më i ri i mallit lëshoi një klithmë çjerrëse:
Po ne do të kthehemi përsëri!
Këto brigje do t’i mbushim
me zërat e gjetheve të lisave.
Jemi të gjithë
pengje të ujit dhe të kujtesës,
pengje të mallkuara
të kujtesës së vrarë.
Edhe vetëm era po të mbetet
do të jemi prapë atje.
Shpirtrat tanë janë lakuriqët e natës
që enden nëpër terr,
pa gjetur kurrë qetësi.
Molla e oborrit tim
Tashmë ti je larg
një vit dritë.
Molla e oborrit tim…
Vetëm ti nuk erdhe me ne.
S’të lanë rrënjët.
Pranë dritareve të djegura
lëkundje degët e lulëzuara.
Molla e oborrit tim,
rriteshe nën yje,
e vetmuar,
shndrisje nën diell.
Kokrrat piqeshin
në mungesën tonë.
Kur ikëm
Kur ikëm
të vdekurit i lamë oborreve.
Shtëpitë mes tymrave,
me dyer e dritare të shkallmuara.
Mani i oborrit klithte përvarshëm,
me degë shpresash të vrara.
Kur ikëm, në këpucë na u ngjit
balta e kësaj toke bujare.
Karroca, zetorë, kamiona e vaje fëmijësh…
Kalojmë nëpër një natë mitike
si në natën e Golgotasë.
Në të dalë të Prizrenit fytyra e një foshnje
( prerë fytin e hedhur pa kujdes në kanal…)
me sy të përçudnuar
si shëmbëlltyra e Jesusë.
Kosova pa popull
Ka vetëm një president të mbuluar me natë
dhe karvane muhaxhirësh në udhëtim.
Kosova ka shtëpi të djegura,
ka varre të rinj dhe të lashtë,
tani Kosova ka rrugë të bombarduara,
burime të trishta, qafëmale të frikshme
dhe qytete të braktisura.
Vetëm popull s’ka më.
Si në netët mitike toka jonë s’ka zëra,
ka vetëm kujtime.
Por ne do të kthehemi!
Do të ketë përsëri zëra fëmijësh,
do të ketë festivale e tinguj çiftelish…
net muzgjesh të manushaqja,
këmborë lopësh të gëzuara
dhe zile bagëtish.
Ne jemi populli,
që si ato gurrat e bjeshkëve
nuk shterojmë kurrë.
Refugjatë në tokën mëmë
Karvane- karvane,
nga Hoti e Morina
si krushq të panumërt të një dasme të madhe.
Në fytyra kanë shumë pikëllim dhe lotë
për shtëpitë e djegura dhe të afërmit e vrarë.
T.V-të flasin për gjëma të mëdha,
të humburit njeri-tjetrin kërkojnë mes urisë.
Bota mban vesh. Kosovës martire
zëmra i rreh me tik-takun e lirisë.
Netëve rrimë zgjuar…
Dëgjojmë avionët e NATO-s,
kthehen me këngë nga betejat fitimtare.
Ç’zhurmë të bukur bëjnë tek rendin në qiej,
Sgalemët… zogj të bukur, paralajmëtarë.
Komentet