Policia e Kosovës ka bërë me dije se i ka arrestuar shtatë persona të cilët dyshohen se janë marrë me falsifikim të dokumenteve të ndryshme.
Policia ka njoftuar se shtatë personat e arrestuar në lokacione të ndryshme në Prishtinë e Ferizaj, dyshohen për vepra penale që ndërlidhen me krimin e organizuar, duke përfshirë edhe kontrabandimin me emigrantë, falsifikimin e dokumenteve e trafikimin me narkotikë.
“Gjatë realizimit të bastisjeve në dy lokacione të ndryshme, është zbuluar një laborator dhe një punëtori për prodhimin e dokumenteve ku janë gjetur qindra pasaporta dhe materiale për prodhimin e pasaportave të shteteve të ndryshme si: sllovene, finlandeze, çeke, bullgare, spanjolle dhe greke”, ka bërë të ditur policia.
Laboratori i gjetur, sipas organeve të rendit, është pajisje shumë e sofistikuar për prodhimin e dokumenteve.
Operacioni nga ana e Departamentit të Policisë Kufitare është realizuar me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Personat e ndaluar janë dërguar në mbajtje.
Komentet