Organizatat dhe të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë bën thirrje të dielën për përkrahje istitucionale dhe të shoqërisë në vend në mënyrë që të luftohet stigma dhe paragjykimet ndaj të mbijetuarave.
Këto thirrje ishin pjesë e shënimit të 14 prillit, Ditës së të Mbijetuarave të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Të rrisim ndërgjegjën e shoqërisë së Kosovës në raport me këtë krim i cili edhe sot kur jemi mbledhur këtu ende nuk flitet nëpër familje për shkak të stigmës dhe kulturës paragjykuese”, tha Feride Rushiti nga Qendra për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës.
Në mars të vitit 2014, parlamenti i Kosovës kishte miratuar ndryshimet ligjore për njohjen e statusit të të mbijetuarve të përdhunimeve, ndërsa ky status u njoh nga një komision qeveritar tek në fund të vitit 2017.
Në muajin shkurt të vitit 2018 autoritetet në Kosovë hapën procesin e verifikimit të statusit të personave të mbijetuar të përdhunimeve gjatë luftës në Kosovë, dhe deri më tash sipas institucioneve janë paraqitur rreth 2 mijë kërkesa ndërsa afër 1 mijë e 600 personave u është njohur statusi i viktimës.
Vasfije Krasniqi-Goodman, që ishte viktimë e përdhunimit nga forcat serbe bëri thirrje për mbështetje për gratë e përdhunuara gjatë luftës.
“14 prilli është ditë shumë e vështirë për mua, është një ditë e mërzitshme por unë nuk dua ta çuaj dita kur unë isha viktimë e dhunës seksuale por të quhet dita e forcës sepse forcën që e kam dhe që kam arrit ta thyej tabut në Kosovë dhe të filloj shoqëria e Kosovës të na sheh neve si viktima të dhunës seksuale dhe dëshiroj që të na përkrahni, jo vetëm me 14 prill por për çdo ditë edhe të jeni sa më mendjehapur se sigurisht keni viktima nëpër shtëpitë tuaja, nëpër familjet tuaja por që nuk e dini”, tha zonja Vasfije Krasniqi-Goodman.
“Ju kisha lut që të mos jetë vetëm 14 prilli dita e përkrahjes, na përkrahni çdo ditë se lufta nuk harrohet, krimet nuk harrohen por nëse ato nuk i përkujtojmë ato harrohen”, Shyhrete Tahiri, e mbijetuar e përdhunimeve nga forcat serbe.
Feride Rushiti nga Qendra për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës, bëri thirrje për drejtësi për të mbijetuarat e dhunës seksuale.
“Dëshirojë të përgëzojë për forcën dhe kurajën që kanë shumë gra, vajza e burra për me vazhdu tutje këtë fushatë, fushatën për drejtësi e cila mendoj se është momenti i fundit për me pas hapa konkret institucional në mënyrë që drejtësia të vendoset në vend për të mbijetuarit e dhunës seksuale”, tha ajo.
Organizatat e shoqërisë civile thonë se frika nga stigmatizimi ka bërë që shumica e personave të përdhunuar gjatë luftës të heshtin. Edhe më tej nuk dihet numri i saktë i viktimave të përdhunimeve por besohet se ky numër është rreth 20 mijë.