Qindra qytetarë kanë protestuar të martën para stacionit të policisë, para Prokurorisë dhe para Gjykatës Themelore të qytetit të Ferizajt, si revoltë ndaj vrasjes së 18-vjeçares që u dërgua në spital pa shenja jete të dielën nga dy persona, raporton Anadolu Agency (AA).
Derisa protesta po zhvillohej, policia njoftoi se edhe dyshuari kryesor, D.K. (29), i cili është edhe bashkëshorti i vajzës së ndjerë, është kapur nga policia në qytetin e Ferizajt, derisa i dyshuari tjetër A.S. (32) ishte arrestuar më herët.
Bjeshka Guri, përfaqësuese nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore e cila e ka organizuar protestën, tha se M.O. u vra në mënyrë arbitrare, ndërsa rasti tregon dështim të institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë.
“Dhuna ndaj grave në këtë shoqëri është sistematike. Thirrjet e grave për ndihmë nuk dëgjohen, nuk besohen, por dënohen dhe përçmohen. Gratë fajësohen për abuzimet, krimet e padrejtësitë ndaj tyre. Ato fajësohen edhe për vrasjet që ju ndodhin”, tha Guri.
Guri iu drejtua institucioneve me disa kërkesa konkrete: adresimin e fenomenit të vrasjes së grave ashtu siç e parasheh Konventa e Stambollit e votuar nga deputetët e Kosovës; dënim maksimal për vrasësit; siguri për gratë në të gjitha hapësirat dhe trajtim të dinjitetshëm i grave nga policia.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila mori pjesë në protestë, tha se dhuna e përmasave të tilla është alarm që duhet të mobilizojë institucionet e policisë, prokurorisë dhe gjykatave, t’i trajtojnë me prioritet e me seriozitetin maksimal rastet e dhunimit, kurse dhunuesit të vihen përballë drejtësisë.
Ajo tha se tashmë ka kërkuar llogari nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës se përse D.K. i cili ka pasur aktakuzë të ngritur për tentim-vrasje është lënë i lirë dhe nuk është mbajtur shqyrtimi gjyqësor për të nga viti 2013.
“Për mua është skandal që të kuptoj që i dyshuari kryesor të ketë aktakuzë të ngritur që nga viti 2013 dhe seanca për shqyrtimin gjyqësor të mos mbahej lidhur me këtë rast. Për këtë duhet të flas Këshilli Gjyqësor i Kosovës, duhet të na bëjnë të qartë kush ka qenë gjyqtari që ka neglizhuar një rast të tillë dhe duhet të merren veprime për një neglizhencë të tillë. Sot kemi një grua që ka humbur jetën dhe ata që nuk kanë vepruar karshi rasteve të tilla pa dyshim duhet të marrin ndëshkimin e merituar”, tha Haxhiu.
Rastin e dënoi edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili kërkoi nga organet e rendit dhe të hetuesisë që ta vënë vrasësin e dyshuar të viktimës sa më shpejtë para drejtësisë.
“Kërkoj nga organet e rendit dhe të hetuesisë që ta vënë vrasësin e dyshuar të Marigonës sa më shpejtë para drejtësisë. U bëj thirrje të gjitha nënave, bashkëshorteve, motrave e vajzave, që të lajmërojnë në polici rastet e dhunës, si edhe mosveprimin institucional për rastet e lajmëruara. Mos heshtni!”, shkroi Kurti në rrjetet sociale të hënën në mbrëmje.
– I dyshuari për vrasje e viktimës i njohur për Prokurorinë
Nëpërmjet një konference për media të hënën, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari, ka thënë se i dyshuari për vrasjen e 18-vjeçares në Ferizaj, ishte i njohur për prokurorinë dhe policinë ngase “ka pasur një numër të madh të rasteve dhe ka qenë i dyshuar edhe për vrasje”.
Ai tha se për mënyrën e vdekjes dhe për të gjitha hetimet e tjera pritet që sa më parë të dihen detajet.
Të dielën, dy persona të gjinisë mashkullore të identifikuar tashmë për policinë, të dy të arrestuar, kanë dorëzuar në Spitalin e Ferizajt një vajzë 18-vjeçare pa shenja jete.
Dhuna ndaj saj sipas Prokurorisë kishte filluar nga dita e shtunë dhe vazhdoi edhe të dielën për motive xhelozie në apartamentin e të dyshuarit D.K., megjithëse ende sipas Prokurorisë nuk dihet saktë shkaktari i vdekjes dhe po pritet autopsia.
“Ekziston dyshimi i bazuar se më 22 gusht 2021, rreth orës 15:00, në rrugën “Ramadan Rexhepi”, në Ferizaj, në banesën e të pandehurit D.K., me dashje, në mënyrë mizore për motive të ulëta e ka keqtrajtuar viktimën”, thuhet mes tjerash në arsyetimin e kërkesës për paraburgim të Prokurorisë.
Ndërkaq, sipas Gjykatës Themelore të Ferizajt, gjatë gjithë kohës në vendngjarje bashkë me D.K. ishte edhe i dyshuari tjetër me inicialet A.S. i cili edhe “ka marr pjesë në ushtrimin e dhunës fizike dhe psikike, me këtë ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në kryerjen e veprës penale, gjegjësisht vdekjen e të ndjerës, dhe më pas të njëjtën e dërgojnë dhe e lënë në spitalin e përgjithshëm në Ferizaj, pa shenja jete”.
Dhuna në familje në Kosovë mbetet ende shqetësim dhe objektiv për përmirësimin e situatës nga institucionet e sigurisë dhe drejtësisë në vend.
Vetëm gjatë vitit 2020 bazuar në të dhënat e Policisë gjashtë gra janë vrarë, katër prej të cilave cilësohen si “vrasje të rënda”. Ndërsa, gjatë vitit 2020 u raportuan mbi 1.500 raste të dhunës në familje, prej të cilave janë evidentuar mbi 1 mijë viktima vajza dhe gra.
Komentet