Ambasadori amerikan në Kosovë Jeff Hovenier, tha të premten se vendet kryesore perëndimore dhe NATO-ja, nuk i mbështesin synimet për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër, që shënon vijën ndarëse ndërmjet dy komunave të Mitrovicës, asaj të veriut të banuar me shumicë serbe dhe jugut të banuar me shumicë shqiptare.
Ambasadori Hovenier i bëri këto komente pas një takimi të diplomatëve perëndimorë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara, së bashku me ambasadorin e Bashkimit Evropian, u takuam sot me kryeministrin Kurti për ta njoftuar se qeveritë tona në këshillim me NATO-n, nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim në statusin aktual të urës së Mitrovicës në këtë kohë“, tha ambasadori Hovenier.
Ura e cila kontrollohet nga forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja, është e hapur vetëm për lëvizjen e këmbësorëve por jo edhe të makinave, ndonëse sipas marrëveshjeve të arritura në kuadër të bisedimeve Kosovë-Serbi, ajo është dashur të hapet.
Nuk pati një reagim të menjëhershëm të qeverisë së Kosovës e cila muajin e kaluar tha se synon hapjen e urës, duke theksuar se një veprim i tillë nuk është i drejtuar kundër askujt.
Por mundësia e hapjes së urës është kundërshtuar nga Lista Serbe, partia kryesore e serbëve të Kosovës e themeluar dhe mbështetur nga Beogradi.
Bashkimi Evropian ka ritheksuar në disa raste se çështja e urës duhet të zgjidhet në kuadër të bisedimeve në Bruksel.
Të enjten presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, tërësisë tokësore dhe kushtetutshmërisë së vendit.
“(Presidenti serb Aleksandar) Vuçiç nuk ka çka pyetet se kur do të hapen urat për qarkullim në Republikën e Kosovës. Dialogu i vetëm që duhet të bëhet, është ai brenda Kosovës, në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë (veçanërisht me NATO-n) në mënyrë që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës për çdo qarkullim, që ka parasysh vlerësimet e sigurisë dhe interesat e qytetarëve tanë”, shkroi presidentja Osmani.