Në debatin e organizuar nga Lëvizja FOL me temë diskutimi “rishikimi dhe zbatimi i Planit të Punës së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës për periudhën mars -shtator 2021″ u tha se prioritet është lufta kundër krimit dhe korrupsionit, raporton Anadolu Agency (AA).
Jeta Tela, drejtoresha e kabinetit të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e cila mori pjesë në tryezë, tha se për qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti lufta kundër krimit dhe korrupsionit janë prioritet.
“Siç dihet, për qeverinë prioritetet kryesore janë sundimi i ligjit, lufta kundër krimit dhe korrupsionit dhe zhvillimi socio-ekonomik. Sigurisht, pjesa që lidhet me krimin dhe korrupsionin është fusha që mbulohet më së shumti nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe kjo është përparësia jonë e parë”, tha Tela.
Ajo vlerësoi se në gjashtë muajt e parë të kësaj qeverie është bërë shumë më tepër sesa në periudhën e mëparshme.
“Brenda periudhës gjashtë mujore u shkatërruan diku 26 grupe kriminale, të cilat përfshinin rreth 217 persona, mes tyre shqiptarë dhe serbë, shtetas të Serbisë, shtetas të Shqipërisë dhe shtetas të Maqedonisë së Veriut, por pjesa më e madhe e tyre prej tyre janë shqiptarë të Kosovës” tha Tela.
Ajo shtoi se në mesin e këtyre grupeve ka dhjetë grupe të krimit të organizuar, tetë grupe që merren me drogë, gjashtë për krim ekonomik dhe ka gjithashtu grupe që merren me trafikimin e qenieve njerëzore, keqpërdorimin e detyrës zyrtare, luftën e migrimit ilegal dhe të tjera.
Tela theksoi se disa ditë më parë u arrestuan 10 persona që merreshin me trafikim emigrantësh dhe mbi 100 persona të tjerë që tentuan të largoheshin ilegalisht nga vendi.
Modernizimi i administratës publike është një nga synimet e kësaj ministrie, e cila, siç tha Tela, është aktualisht e stërmbushur me punëtorë sado që ata janë profesionistë.
Tela gjithashtu theksoi se pranimi i Kosovës në INTERPOL është çështje e votave politike dhe jo mungesë e përgatitjes së Policisë së Kosovës, kështu që aplikimi për pranim në këtë është shtyrë për vitin e ardhshëm.
Ajo tha se dy javë më parë, Ministria e Punëve të Brendshme nënshkroi dy marrëveshje të reja me EUROPOL-in, një për emërimin e një personi kontaktues të Kosovës në EUROPOL dhe një për shkëmbimin e informacioneve.
Komentet