Në Kosovë, sipas Fondacionit për Fëmijë të Kombeve të Bashkuara – UNICEF, si dhe organizatave të tjera që merren me të drejtat e fëmijëve, thuhet se mbi 60 për qind e fëmijëve deri në moshën 14 vjeç, kanë deklaruar se kanë pësuar dhunë psikologjike dhe fizike nga familjarët.
Psikologët në vend thonë se rrahjet ende shihen si mjet pedagogjik në Kosovë, dhe është vështirë dalja nga ai mentalitet.
Ata thonë se pasojat e dhunës fizike të aplikuara te fëmijët, janë të shumëfishta. Fëmijët që përjetojnë dhunë, janë më të dhunshëm me fëmijët tjerë. Në Kosovë thuhet se ka dhunë edhe në shkolla , andaj sipas të gjitha gjasave, fëmija që rrahet fizikisht, tregon agresivitet më të lartë.
Laila Omar Gad, udhëheqëse e Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijë, UNICEF, ka thënë se në bazë të raporteve që ka bërë ky mekanizëm, së bashku me Agjencinë e Statistikave të Kosovës, del që në çdo të gjashtin fëmijë, ushtrohet dhunë fizike dhe psikike.
“Dhuna ndodh në familje dhe ne nuk shohim që po ndodh dhuna. Dhuna po ndodh në dyer të mbyllura dhe institucionet duhet ta thyejnë këtë heshtje dhe të trajtohet kjo çështje”.
“Dhuna ndaj fëmijëve është në nivel të lartë dhe është e padukshme, dhe po mundohemi ta ngremë vetëdijen te popullata, sepse pikërisht ata që përkujdesen për fëmijët, ata edhe shkaktojnë dhunë ndaj fëmijëve”, thotë Omar Gad.
Ndryshe, Kosova nuk ka ligj për mbrojtjen e fëmijëve. Gjatë vitit 2013, ka filluar të hartohet ky ligj , i cili vazhdon të jetë në proces. Autoritetet e rendit deklarojnë se numri i rasteve me fëmijë të abuzuar, të cilët raportohen gjatë një viti, është rreth 200 .
Donjeta Kelmendi, drejtoreshë e Koalicionit të Organizatave Joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, thotë se në Kosovë ka shumë adresa ku mund të raportohet dhuna.
“Janë disa adresa ku mund të raportohet dhuna, si në polici, Qendra për Punë Sociale, që janë organe komunale ku secila Komunë ka Qendrën për Punë Sociale, si dhe mbrojtësit e viktimave që janë në shërbim 24 orë për mbrojtjen e viktimave të çfarëdo lloji”, shpjegon ajo.
Besim Kelmendi nga Zyra e Prokurorit të Shtetit, bën të ditur, se në bazë të ligjeve që janë në fuqi në Kosovë, sidomos në bazë të Kodit të Procedurës Penale, të gjitha viktimat kanë të drejtë t’i realizojnë të drejtat e tyre që nga identifikimi, deri te përfundimi i procedurës penale.
“Këto të drejta janë të shumta dhe unë konsideroj se viktimat duhet të jenë të njoftuara më shumë për këtë mundësi që e kanë në bazë të ligjeve, duke filluar nga e drejta për t’u informuar, për çdo veprim që ndërmerr policia, prokurori apo gjyqtari, e deri tek e drejta për të vepruar gjatë procedurës penale”, bën të ditur Kelmendi.
Psikologu Fitim Uka, konsideron se rastet e dhunës janë të shpeshta.
“Konsideroj që janë të shpeshta rastet e dhunës ndaj fëmijëve dhe mund të them se në Kosovë, është shkallë. Me asnjë teori psikologjike nuk është e pranueshme dhuna te fëmijët dhe në asnjë mënyrë kjo nuk tregon rezultat, përkundrazi vetëm dëme’’, vlerëson psikologu Uka.
Gjatë një ankete të Radios Evropa e Lirë, këto kanë qenë përgjigjet e disa nxënësve që takuam në oborrin e shkollës fillore ‘’Ismail Qemali’’ në Prishtinë, kur i pyetëm nëse arsimtarët ushtrojnë çfarëdo forme të dhunës mbi ta.
“Na i lënë pesë gishtat në faqe”, “Na thonë që jemi kafshë”, “Na i shajnë familjet”, “Nuk na lënë të ankohemi”, “Një arsimtar ia i ka rënë shuplakë shokut të klasës dhe ja ka lënë 5 gishta në faqe’’…
Dhuna e mësimdhënësve
E, në Kuvendin Komunal të Prishtinës, drejtoresha e Arsimit, Arbërie Nagavci, thotë se ankesa zyrtare nuk kanë marrë asnjëherë për dhunën e mundshme të mësimdhënësve mbi nxënësit, por megjithatë nuk e mohon se ajo përdoret në shkolla.
Nagavci sqaron se së shpejti do të funksionalizohet një zyrë për çështjen e sigurisë në shkolla.
“Çështja e sigurisë në shkolla është ndër prioritetet tona. Hulumtimet që i kemi bërë, tregojnë se ka shumë për t’u punuar në këtë drejtim. Drejtoria e arsimit brenda dy javësh do të funksionalizojë zyrën për siguri në shkolla, ku do të kemi një person kontaktues dhe koordinues për të gjitha aktivitetet që do të zhvillohen në këtë drejtim dhe do të mbështesë respektimin e të drejtave të fëmijëve në shkolla”, shpjegon Nagavci.
Edhe udhëheqësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, Skënder Syla, konsideron se megjithëse janë bërë hapa pozitiv në respektimin e të drejtave të fëmijëve, ende ka punë në këtë fushë.
“Pas luftës është bërë një përparim i dukshëm në kornizën legjislative dhe ka pasur një avancim në respektimin e të drejtave të fëmijëve. Por, mendoj që ka hapësirë për përmirësim, sidomos për grupet vulnerabile, sidomos te fëmijët me aftësi të kufizuara, por edhe një aspekt që duhet kushtuar është ngritja e respektimit të të drejtave të fëmijëve të komuniteteve RAE, në çdo aspekt”, thotë Syla.
Dhuna fizike ndaj fëmijëve, është e dëmshme për zhvillimin e personalitetit të tyre dhe efektet e dhunës që prindërit ushtrojnë ndaj fëmijëve të tyre, mund të jenë afatgjate.
Hulumtimet e ndryshme dëshmojnë se fëmijët që rriten në ambiente të dhunshme familjare, kanë tendencë që të modelojnë sjellje të tilla agresive në raport me moshatarët e tyre.
Komentet