Në dy komuna të Republikës së Kosovës, në Podujevë dhe në Mitrovicë të Veriut, po mbahen sot zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, njoftoi në një konferencë për media se qendrat e votimeve janë hapur sipas planifikimit dhe sipas ligjit.
Ato do të jenë të hapura për votuesit nga ora 7:00 e mëngjesit deri në orën 19:00 të mbrëmjes.
“Pas raportimeve të komisioneve komunale të zgjedhjeve nga këto dy komuna, të gjitha qendrat e votimit janë hapur në kohën e planifikuar dhe të përcaktuar me ligj”, tha Elezi.
Në Komunën e Podujevës numri i votuesve është 87.381, të cilët janë të shpërndarë në 45 qendra të votimit me gjithsej 115 vendvotime.
Ndërkaq, në Komunën e Mitrovicës së Veriut numri i qytetarëve me të drejtë vote është 23.313, të cilët janë të shpërndarë në 7 qendra të votimit me gjithsej 27 vendvotime.
Në garë për të parin e Komunës së Podujevës janë tre kandidatë: Naim Fetahu nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Nexhmi Rudari nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).
Për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut garojnë katër kandidatë: Erden Atiq nga LVV, Dushan Milunoviq si kandidat i pavarur; Milan Radojeviq nga Lista Serbe dhe Florent Azemi nga PDK.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në këto dy komuna po mbahen pasi ish-kryetarët e tyre, Agim Veliu dhe Goran Rakic, u emëruan ministra në Qeverinë e Kosovës, ndërsa zgjedhjet ishin shtyrë për shkak të pandemisë me koronavirusin e ri (COVID-19).
Me vendim të Ministrisë së Punëve të Brendshme qarkullimi i qytetarëve në këto dy komuna do të lejohet deri në orën 22:00 të mbrëmjes, ndërsa nga nesër ora policore vendoset përsëri nga ora 19:00.
Komentet