Si dhe pse përjetohen zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 si një lloj “Shpate e Demokleut” nga opozita – kjo amalgamë e neotitistëve dhe olhokratëve tanë modernë?!
Qytetarët gjatë kësaj legjislature kanë krijuar bindje, se tashmë vota e tyre ka vlerë – ajo ndikon drejtpërdrejtë në vendimmarrjen politike.
1. Si u shndërrua Kosova në laborator eksperimental?
Republika e Kosovës me aktin më të lartë juridik, konsiderohet shtet i pavarur, sovran dhe i pandashëm. Për fat të keq, kjo frymë e kushtetutës nuk përputhej për kohë të gjatë me realitetin.
Kosova, duke u trajtuar edhe nga qendra të vendosjes politike si rast eksperimental, është duke u sfiduar në krijimin e së drejtës dhe zbatimin e saj, respektivisht në gjakimin për ndërtimin e shtetit të së drejtës. Kjo po ndodhë, jo pse nuk ka rend juridik, sistem juridik, por meqë normat juridike përkrah funksionimit të tyre, favorizoheshin kundruall subjekteve politike të cilat luanin një rol dominant në aspektin ekzekutiv të gjykatave. Kjo, tashmë duket qartë se nuk është e rastësishme. Në këtë kuadër, për ta argumentuar këtë tezë, ia vlen të hedhim dritë mbi historikun dhe mënyrën e ngritjes së sistemit juridik në Kosovën e pasluftës. Administrata e UNMIK-ut, duke qenë tejet e interesuar që të mbetet për kohë të gjatë në Kosovë, segmente të saj me orientim politik të hapur proserb, kishin bërë çmos që në Gjyqësorin e Kosovës të rikthehen pothuajse të gjithë lojalistët e pushtetit të Milosheviqit.
Nëse do t’i hidhni edhe sot një sy konkurseve të publikuara në atë kohë, nga të gjithë gjyqtarët që po sistemoheshin në sistemin e gjyqësorit nga poshtë -lartë, deri tek Gjykata Kushtetuese, administrata e UNMIK-ut kërkonte përvojë pune prej 3 deri në 10 vjet! [1]
Juristi i famshëm austriak, Hans Kelzen do të thoshte, shteti ka dy funksione themelore: krijimin e së drejtës dhe zbatimin e së drejtës. A mund të bëhej kjo me ish gjyqtarët e epokës së Millosheviqit?!
Nga qershori i vitit 1999, konkretisht prej atij momenti historik kur forcat serbe [ushtarake e të sigurisë] qenë detyruar ta lëshonin Kosovën, me akomodimin e shpejtë të UNMIK-ut, konform Rezolutës 1244, e tutje deri më 17 shkurt 2008, kur Kosva do të shpallte pavarësinë, ishte një periudhë e gjatë, kur dimokracitë liberale po e trajtonin Kosoëvn si një laborator eksperimental të inxhinjeringut social e politik. Pluralizmi i shpifur politik i Kosovës kështu po kalonte nga laboratori eksperimental serb i epokës së apart’heidit [1989-1999] – në atë të të ushtruarit të pluralizmit politik si një proces i shpërfillur, por sidoqoftë do të prodhojë një realitet të ri më 17 shkurt 2008.
Gjatë periudhës së administrimit të Kosovës nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), nga viti 1999 deri në shpalljen e pavarësisë në vitin 2008, kishte një kontekst të ndërlikuar politik dhe institucional që ndonjëherë rrëshqiti drejt një lloji shpërfilljeje për pluralizmin politik.
Kjo periudhë karakterizohej nga sfida të mëdha në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe në nxitjen e një spektri të plotë politik, për shkak të faktorëve si:
Dominimi i UNMIK-ut mbi vendimmarrjen: UNMIK-u kishte kompetenca të gjera ekzekutive dhe legjislative në Kosovë, duke përfshirë kontrollin mbi institucionet kryesore të vendit dhe funksionimin e tyre. Për shkak se UNMIK-u kishte mandatin e mbikëqyrjes dhe krijimit të një sistemi të ri qeverisjeje, shumë herë vendim-marrja politike dhe institucionale binte në duart e një administrate ndërkombëtare, duke kufizuar sovranitetin e plotë të aktorëve politikë kosovarë dhe mundësitë e tyre për të vepruar të pavarur.
Mungesa e zgjedhjeve të rregullta dhe të besueshme: Në vitet e para pas luftës, UNMIK-u ishte përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve dhe për mbikëqyrjen e zhvillimit të institucioneve politike. Megjithëse zgjedhjet u organizuan për asambletë komunale dhe më vonë për Kuvendin e Kosovës, administrata e UNMIK-ut shpesh shihej si një faktor që ngadalësonte zhvillimin e një sistemi të vërtetë demokratik dhe pluralist, duke qenë se vendimet kyçe merreshin nga një administratë ndërkombëtare dhe jo nga përfaqësuesit e zgjedhur të popullit.
Roli i kufizuar i shoqërisë civile: Shoqëria civile në Kosovë në vitet e pasluftës ende nuk kishte fituar një fuqi të plotë për të ndikuar në vendimmarrje. UNMIK-u, duke qenë një administratë ndërkombëtare me mision të caktuar nga Kombet e Bashkuara, shpesh nuk u përgjigjej presioneve nga grupet e shoqërisë civile vendase, duke krijuar kështu një boshllëk në pjesëmarrjen qytetare.
Rrjedhimisht derisa UNMIK-u kishte si mision ndërtimin e institucioneve demokratike, shpesh ai u përball me ndeshtrasha të mëdha në lidhje me nxitjen e një sistemi të vërtetë pluralist në Kosovë. Kombinimi i rolit të fuqishëm të administratës ndërkombëtare dhe tensionet e brendshme politike që lehtësisht mud të degjeneronin në lufët civile, po të mos marshonin dhe etabloheshin fillimisht forcat e KFOR-it, bënë të vështirë zhvillimin e plotë të një sistemi politik të larmishëm dhe përfaqësues.
2. Mashtrimi kolektiv i shoqërisë
Tejzgjatja e Apart’heijdit serb bashkë me të ushtruarit e pluralizmit nën drejtimin e LDK-së, kishte krijuar predispozitat për një mashtrim kolektiv të shoqërisë,[2] duke ju larguar gjithnjë e më shumë Lirisë. U dashtë dalja në skenë e UÇK-së së vegjëlisë dhe sakrifica sublime e Timoteut modern Adem Jashari tok me familejen e tij, që historia të marrë kthesën e duhur.
Në përmasa pothuajse të njejta për ikje nga Liria, alias Republika funksionale, po ndikonte në ambientin politik kosovar edhe tejzgjatja e periudhës tranzitore nga UNMIK-u tek qeverisja vendore.
Shteti edhe pas shpalljes së pavarësisë, po trajtohej disi i shpifur, irreal, ose edhe më keq – si i huaj, nga ai miksim nomenklaturash politike, që ishin një lloj nusprodukti i dy dekadave – asaj të Apart’hejdit serb [LDK-së] dhe dekadës tjetër që shenjon qeverisja e UNMIK-ut [PDK-së].
Rrjedhimisht dekada e dytë e lirisë po shndërrohej në një shtrat të rrezikshëm prokrusti për Republikën [humbja e rreth 3000 ha në jug – dhuratë për Maqedonin e Veriut; humbja e 8200 ha në perendim – dhuratë për Malin e Zi dhe pregaditja e terrenit që në emër të “shkëmbimit të territoreve” me Serbinë], që nënkuptonte humbjen e 18 për qind të territorit së Republikës, që de fakto paraqet pjesën më jetike të saj. Krejt ky proces po shoqërohej me hapa real që do ta konceptonin dështimin e Republikës si proces të paramenduar bashkarisht me ideologët serb!
Shih për këtë, zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 i kam cilësuar si një revolucion demokratik i heshtur. Ai akt ishte më shumë se ushtrim i pluralizmit demokratik, si e njeh teoria e parlamentarizmit.
Përmes atyre zgjedhjeve, Kosova po bënte prerje epokash.
Qytetarët e Kosovës përmes atij revolucioni të heshtur, po dërgonin në histori amalgamën politike të neotitistëve dhe olhokratëve, që tashmë ishin shnëdrruar në gangrenë vrastare për trupin e brishtë të Republikës.
Në kontekstin aktual kosovar rikthimi tek termi “neotitistë”, ka për objektiv të përshkruaj politikanët ose grupet që e shohin periudhën jugosllave tutje si një kohë stabiliteti ekonomik dhe me gjasë edhe si një model për të adresuar sfidat e sotme politike dhe ekonomike.
Megjithatë, ata janë të vetëdijshëm se ideologjia titiste mbart një barrë historike për Kosovën, sidomos për shkak të rrugëve që u ndoqën nga shovinisëtt serb për shuarjen e asaj pak autonomie që gëzonte Kosoëva me kushtetutën e vitit 1974. Për këtë arsye, neotitizmi mund të jetë një pozicion kontravers në Kosovë, sidomos me ato shtresa që kërkojnë një identitet më të pavarur dhe larg nga trashëgimia e ish-Jugosllavisë, që ndërkohë pretendojnë ta mveshin me një lloj të nacionalizmi të shpifur urban dhe neoliberalizmi ala Donald Trump!
Ndërkaq nocioni “oligokratë” [në rastin e Kosovës të afërt me LDK/PDK-në], i referohet shpesh elitave politike dhe ekonomike që akuzohen për kontroll të tepruar mbi resurset dhe vendimet politike të vendit, duke kufizuar demokracinë e mirëfilltë dhe duke forcuar pushtetin e tyre përmes rrjeteve të interesave private. Në këtë kontekst, disa figura politike dhe subjekte të caktuara që kanë pasur ndikim të madh në qeverisjen e Kosovës në të kaluarën, kanë për qëllim të rikthehen në pushtet për të vazhduar zhvatjen e pasurive të vendit tutje dhe shnëdrrimin e Republikës në një satelit atipik të akcilës qendër vendim-marrëse, me rëndësi që ata ët jenë në pushtet!
Sipas intelektualit të njohur anglo-gjerman, Ralf Dahrendorf, demokracia përbëhet nga një “ansambël institucionesh”, që legjitimojnë ushtrimin e pushtetit politik, mundësojnë ndërrimin e pushtetit pa dhunë, kontrollin dhe balancën e ushtrimit të pushtetit, si dhe participimin e qytetarëve në ushtrimin e pushtetit. Gjatë këtyre katër viteve të qeverisë Kurti demokracia zuri fill të perceptohet si pushtet i qytetaërve, pa çka se “ansambli i institucioneve”, sidomos ai i Drejtësisë, stonoi.
Që nga teoria e Platonit mbi shtetin, ekziston edhe hipoteza se, çdo formë e sundimit mund të marrë njërën nga dy cilësitë që ndërlidhen me vizionin politik:
I. Njëra trajtë që orientohet në arritjen e mirëqenies dhe
II. Tjetra që bazohet ekskluzivisht në interesat e sundimtarëve. [Wolfgang Petritsch: 2019]
Nëse shoqëritë e shteteve demokratike thellojnë polarizimin dhe, në vend të kompromiseve dhe debatit, imponojnë vetëm vullnetin e shumicës (së aristokracisë SR), atëherë kemi të bëjmë me shënjuesin e dytë të demokracisë: atë të cilin historiani grek, Polybios (200 deri 12 vjet p. K.) e cilësonte si OLHOKRATI – sundim të fundërrinave. [3]
Olhokratët tanë kaherë janë pozicionuar tok në një tabor me kritikët e demokracisë liberale, duke i hapur rrugë promovimit të demokracisë iliberale. Përafrimi i tyre me Orbanin, Erdoganin…nuk ishte dhe nuk është i rastësishëm. Një qasje e tillë është një produkt i naivitetit dhe i cinizmit bashkë. Prandaj legjitimuesit e apart’heidit serb dhe imituesit e demokracisë në vitet ‘90, nga bota e civilizuar u panë më shumë si naivë politik, ndërkaq olhokratët shihen ashtu si janë: si cinikë e plangprishës. Por diskursi teorik në raport me këto fenomene pothuajse ka munguar ndër ne.
Sidoqoftë 14 shkurti i vitit 2021 bëri prerjen historike, duke dërguar në opozitë iliberalët dhe duke i sjell në pushtet liberalët demokratë të majtë.
Tek tashti, kur prerja e këtyre dy epokave po bëhet gjithnjë e më e qartë dhe rikthimi i pasuesve të titizmit tok me olhokratët po bëhet më e qartë se do të ishte kundërrevolucion tipik, në skenën politike e dipplomatike, por edhe në atë mediale, furishëm na shpërfaqen falangat bjellogardiste, si dikur në dhjetorin e vitit 1924, që po shoqëronin bandat e Ahmet Zogut në marshin e tij për rikthim në pushtet në Tiranë.
3. Zgjedhjet e 9 shkurt 2025 – referendum politik
Për më shumë se tri dekada kjo amalgamë e titizmit kosovar e veshur me petkun e demokracisë, e ngjizur në një lloj monstrumi politik tok me olhokratët që prodhoi puçi brenda UÇK-së më 1998, u rrit me një shpejtësi të habitshme, marramendëse dhe u shndërrua në një klasë politike çoroditëse, makute, thellësisht zhvatëse, që ka krijuar tentakulat e saj brenda sistemit politikë, në sektorin e financiarë dhe të krimit, duke u përqëndruar sidomos në sektorin e drejtësisë.
14 shkurti i vitit 2021 kishte ngjallur shpresën se Republika e Kosovës, përveç se ia kishte dalë të shkëputej nga kthetrat e asaj lukunie titste-olhokratiste, do të mund të shndërrohej në një lokomotivë për frymëmarrje të re brenda hapësirës sonë kombëtare. Këto katër vite që po lëmë pas, e provuan katërcipërisht se kjo shpresë kishte bazament real. Funksionalizimi dhe faktorizimi Republikës së Kosovës është prova më reale se Kombi ka mundësi të gjeneroj forca të reja edhe në fushën e mendimit politik dhe të pluralizmit real demokratik. Shteti i së drejtës mund të shndërrohet në ideal të këtij brezi politikanësh.
Ndërkohë atë që nuk e bëri dot Drejtësia e kapur – ndëshkimin e banditëve që zhvatën tërë atë pasuri të Republikës sidomos gjatë procesit të privatizimit,[4] duhet ta bëjë sërish qytetari përmes referendumit politik më 9 shkurt 2025.
Fenomeni i rrudhjes së partive politike tradicionale po thellohet edhe në demokraciët e etabluara në Perednim. Qytetari prandaj nuk i sheh LDK/PDK/AAK/AKR si alternativë pushteti.
LDK/PDK/AAK… vazhdojnë të funksionojnë si korporata oligarkësh që po pretendojnë të rikthehen në pushtet dhe të vrasin shpresën e disa brezave…
Ato tashmë nuk përbëjnë opozitën reale që do të duhej ta kishte korpusi politik i skenës plurale. Opozita reale në Kosovë do të fillojë të krijohet, shih për këtë, tek pas 9 shkurtit 2025.
4. Tendencat e hapura për rikthimin e Republikës në kthetrat e olhokratëve
Në një ese timen me titull sinjifikativ “Republika në kthetrat e olhokrëtve”, të shkruar në rrthana të jashtëzakonshme në vitin 2018, tek trajtoja fenomenin e grryerjes së shtetit, që ndryshe është trajtuar edhe si “vdekje e ngadalshme e demokracive”, i jam referuar, përveç tjerash, edhe dy profesorëve të universitetit të Harvardit, Steven Levinsky dhe Daniel Ziblatt. Aktualisht, demokracitë po vdesin jo nga një goditje e vetme (siç ishin grushtet e shteteve, kryengritjet apo atentatet dikur), por fare ngadalë dhe pothuajse pahetueshëm. Levinsky dhe Ziblatt sjellin një krahasim atipik të këtij fenomeni me atë që zhvillohet në fushën e futbollit: figurat autoritative, për të forcuar ndikimin e tyre në fushë, punën e parë që bëjnë, provojnë të vënë nën kontroll gjyqtarin kryesor në fushë, pastaj t’i margjinalizojnë lojtarët kryesorë të kundërshtarit dhe, së fundmi, edhe të ndryshojnë rregullat e lojës në dobi të vetes, ashtu që në fund, de fakto, nuk është e mundshme të flitet për lojë fer. [5]
Në terrenin politik e shtetëror, gjyqtarët e të gjitha niveleve të sistemit konsideroheshin nga olhokratët tanë, ashtu si edhe shërbimet e fshehta (AKIA, Shërbimi i Inteligjencës në polici, G2 në FSK), pastaj autoritetet rregullative dhe ato të ATK-së dhe, si instrumente të dobishme. Këto struktura, tashmë është si të thuash sekret publik, ishin të kapura nga SHIK-u alias PDK-ja.
Përmes mbetjeve të kësaj strukture, pushtti i ri i VV-së, që nga dita e parë e instalimit të tij, nga brenda e nga jashtë, do të lëvizeshin të gjithë zaret që ai të bie. Por, kishte diçka të brendshme, në frymën që kishte instaluar tashmë VV, që po kultivonte shpresën e funksionalizimit të Republikës. Ndërkaq në rrafshin historik, Lëvizja VV po shpjente tutje misionin historik që ka, jo vetëm në raport me të ardhmene Republikës së Kosoëvs, por edhe për kontributin në rrafshin e prosperimit dhe faktorizimit të Kombit.
Prandaj dështoi lufta hibride e shpërfaqur fillimisht në trajtën e një “mësymje sindikaliste”.
Intensifikimi i saj, në përmasat e një marshi opozitar qoftë edhe në dritën e luftës hibride, do të intensifikohet ndërkohë në prag të zgjedhjeve në trajtën e montimit të lajmeve të rreme dhe përhapjes së panikut, dezinformimit klasik dhe shpifjeve të ulta.
Pas marshin sindikal, ndërhyrja e Serbisë përmes Listës Serbe për të krijuar kaosin politk në veri dhe legjitimuar aneksimin e kësaj pjese të Republikës, do të marrë përmasa kulmore që shestontohej si proces i kalimit të kufijve të luftës hibride drejt agresionit klasik. [Rasti i Banjës, në Albanik/Leposaviq]. Ndërkq përlogaritja e gabuar, natyrisht si pjesë e ngushëllimit pas dështimit të brendshëm, se këtë rrëzim sërish do ta bënte faktori nëdrkombëtar, siç e pat bërë në kulmin e pandemisë administrata e Donald Trump-it përmes emisarëve të tij, ishte shpërfaqja më plastike e naivitetit politik dhe injorancës që në vetvete mbruante dhe mbrunë ajo shtresë e hollë e olhokratëve tanë të depushtetizuar më 14 shkurt 2021.
5. Kur zgjedhjet shihen si “Shpatë e Demokleut”
Strukturat neotitiste dhe ato që prodhoi mendësia olhokrate në Kosovë preferojnë rendin iliberal, autokracinë para demokracisë libreale. Prandaj këto struktura zgjedhjet shpesh i perceptojnë si një “Shpatë e Demokleut”. Prandaj përmes mediave vizive dhe portaleve pretendojnë të mbjellin frikë, panik, pasiguri dhe tension politik, duke rrezikuar jo vetëm stabilitetin politik, por edhe jetën dhe lirinë e qytetarëve. Ky koncept vjen nga legjenda e Demokleut, ku shpata që rri pezull mbi kokën e të ndëshkuarëve, simbolizon rrezikun e pashmangshëm që mund të bjerë në çdo moment. Në kontekstin e shoqërive iliberale, zgjedhjet prandaj mbartin një rrezik të ngjashëm për disa arsye:
Frika nga ndryshimi i pushtetit: Në shoqëritë iliberale, ku liderët autokratikë apo grupet dominuese kanë tendencën të mbajnë pushtetin, respektivisht ta marrin atë, përmes mjeteve të paligjshme apo jodemokratike (manipulim zgjedhor, censurë, represion), çdo palë zgjedhjesh për këto kuazielita paraqesin kërcënim real. Ata e shohin procesin zgjedhor si një moment kritik që mund të sjellë fundin e tyre politik, ndoshta edhe fizik, nëse humbasin kontrollin. Kjo është veçanërisht e vërtetë në sisteme ku korrupsioni dhe abuzimet janë kaq të përhapura sa që largimi nga pushteti mund të çojë në ndjekje penale ose hakmarrje nga grupet e reja.
Përdorimi i zgjedhjeve si fasadë: Zgjedhjet në shoqëritë iliberale, në rastin tonë nga strukturat iliberale neotitiste dhe të olhokratëve,shpesh përdoren si një mjet për të legjitimuar regjimet dhe për të krijuar një iluzion të demokracisë. Edhe pse procesi zgjedhor ekziston, ai është shpesh i manipuluar me qëllim të mbajtjes së pushtetit, respektivisht marrjes së tij. Kjo ndikon që tensioni të rritet, pasi çdo devijim nga plani mund të dëmtojë seriozisht stabilitetin e regjimit, duke nxitur frikë nga rezultatet e papritura.
Pasiguria për të ardhmen: Në ambientet politike ku kanë terren veprimi dhe vendimmarrje strukturat iliberale, rezultati i zgjedhjeve është shpesh i paparashikueshëm për publikun dhe aktorët politikë. Kjo ndodh sepse këto struktura kanë predisponim të manipulojnë rezultatet e zgjedhjeve në mënyra të fshehta, dhe populli nuk ka besim se zgjedhjet do të jenë të lira apo të ndershme. Kjo krijon pasiguri të madhe në radhët e qytetarëve, të cilët e shohin procesin zgjedhor si një rrezik që mund të çojë në ndryshim të dhunshëm të pushtetit.
Rreziku i destabilitetit: Nëse zgjedhjet në një shoqëri iliberale, respektivisht në ato komunitete ku strukturat iliberale pretendojnë ta marrin pushtetin, nuk pranohen nga opozita apo nga populli si legjitime, ato mund të çojnë në përplasje civile, protesta masive, ose madje edhe në dhunë të hapur. Ky është një tjetër aspekt i “Shpatës së Demokleut”, ku pasiguria për rezultatin dhe ndjekja e një procesi të pandershëm rrezikon të shkaktojë përmbysje të madhe shoqërore.
Mungesa e një kornize të fuqishme demokratike: Në shoqëritë ku institucionet janë të dobëta dhe nuk respektohen parimet e sundimit të ligjit, zgjedhjet shpesh janë përpjekje të tensionuara për kontroll dhe pushtet, në vend që të jenë shprehje e lirë e vullnetit të popullit. Kjo rrit ndjenjën e pasigurisë dhe bën që zgjedhjet të shihen si një moment kritik, ku mund të ndodhë një përmbysje e papritur e pushtetit, respektivisht marrje e pushtetit, duke u shndërruar kështu në një “Shpatë e Demokleut” mbi gjithë strukturën politike të vendit.
6. Lufta hibride ndaj Kosovës
Lufta hibride ndaj Kosovës dhe qeverisë së saj është një koncept që përshkruan përpjekjet komplekse dhe shumëdimensionale për të destabilizuar vendin, dobësuar institucionet e saj dhe ndikuar politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht. Ky lloj konflikti është shpesh i padukshëm dhe përfshin mjete të ndryshme që shkojnë përtej luftës konvencionale. Në kontekstin e Kosovës, lufta hibride po përfshinë veprime të tilla si dezinformimi, ndërhyrja politike, presioni ekonomik, përdorimi i tensioneve etnike dhe diplomacia agresive nga aktorët e brendshëm dhe të jashtëm, kryesisht të ndikuar nga Serbia dhe aleatët e saj, jo vetëm Rusia.
Një nga strategjitë e Serbisë dhe Rusisë në luftën hibride kundër Kosovës është përdorimi i mediave lokale, përfshirë portale dhe televizione, për të përhapur mesazhet e tyre. Në Tiranë dhe Prishtinë, ka portale dhe media të cilat, edhe pse jo të njohura publikisht si pjesë e një agjende serbe alias ruse, po amplifikojnë propagandën serbe/ruse përmes ribotimit të artikujve të burimeve pro-serbe/ruse ose përhapjes së narrativave që bien në linjë me interesat e Beogradit/Kremlinit.
Në këtë kuadër edhe beteja për ta dekurajuar votimin, sidomos të mërgatës sonë, është tërësisht antidemokratike. Në këtë kurth tashmë kanë rënë edhe mekanizma të bredshëm institucional [KQZ-ja], politik e medial.
Ja disa nga mënyrat se si kjo luftë hibride manifestohet aktualisht:
Dezinformimi dhe lufta mediatike: Një nga aspektet kryesore të luftës hibride është fushata e dezinformimit, e cila synon të destabilizojë situatën politike dhe sociale në Kosovë. Kjo përfshin përhapjen e lajmeve të rreme, narrativave të shtrembëruara dhe propagandës në mediat sociale dhe tradicionale, duke synuar të nxisë tensione brenda shoqërisë kosovare dhe të minojë legjitimitetin e qeverisë. Mediat e kontrolluara nga aktorë të jashtëm, si ato serbe dhe ruse, shpesh krijojnë ose amplifikojnë informacione të rreme për të krijuar një atmosferë të dyshimit dhe konfuzionit rreth vendimeve qeveritare, në përpjekje për të ulur besimin e popullit ndaj institucioneve të Kosovës.
Presioni ekonomik: Një tjetër taktikë e luftës hibride është presioni ekonomik. Për shembull, Serbia ka përdorur politika ekonomike për të mbajtur ndikim mbi serbët e Kosovës, por edhe tek një lagje e mirë e biznesit që ishte aktiv edhe gjatë dekadës së Apart’heijdit në Kosovë [1989-1999] dhe ka ndikuar në ekonomi jo vetëm në veriun e Kosovës, ku popullata serbe është më e përqëndruar. Ky presion përfshin gjithashtu mbështetjen e strukturave paralele që operonin në veri të Kosovës, të cilat kishin funksionuar deri vonë të pa cenuara nga qeveritë kosovare. Këto struktura sfidonin autoritetin e Prishtinës dhe përkeqësonin situatën e sigurisë dhe stabilitetit ekonomik në rajon. Këto struktura ekonomike që operonin në veri për kohë të gjatë, siç u dëshmua, ishin financuesit edhe të strukturave të sigurisë, që Serbia i mbante gjithandej dhe në fund edhe i aksionit ushtarak me elemente të veprimit terrorist që po planifikonte ta aneksojë veriun e Kosovës. Aksioni ushtarak në Banjë/Banjskë ishte pjesë e këtij akti.
Ndërhyrjet politike dhe diplomatike: Serbia, me mbështetjen e disa aleatëve ndërkombëtarë si Rusia etj., ka ndërmarrë një fushatë agresive për të bllokuar njohjet e pavarësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Përmes diplomacisë agresive dhe lobimit, Serbia ka arritur të bindë disa vende të tërheqin njohjet e tyre për Kosovën, gjë që si akt minon përpjekjet e Kosovës për integrim në organizata ndërkombëtare – në Kombet e Bashkuara dhe BE.
Ndërhyrja në proceset politike të brendshme në Kosovë, përmes mbështetjes së partive të caktuara ose aktorëve politikë, është gjithashtu pjesë e kësaj lufte hibride.
Përdorimi i mjeteve ushtarake dhe të sigurisë: Ndërsa Kosova dhe Serbia nuk janë në konflikt të hapur, tensionet e sigurisë mbeten një element i rëndësishëm i luftës hibride. Serbia shpesh ka përdorur demonstrime të forcës ushtarake pranë kufijve të Kosovës, duke organizuar stërvitje ushtarake dhe duke shfaqur një retorikë të ashpër që nxit frikën për një konflikt të mundshëm. Kjo krijon një ndjenjë pasigurie në Kosovë dhe një klimë tensioni që ndikon në stabilitetin e brendshëm.
Ndikimi i Rusisë dhe aktorëve të tjerë të jashtëm: Rusia ka qenë një mbështetëse e fuqishme e Serbisë në përpjekjet e saj për të destabilizuar Kosovën, duke përdorur luftën hibride si pjesë të strategjisë së saj për të rritur ndikimin në Ballkanin Perëndimor. Përmes fushatave të dezinformimit dhe mbështetjes diplomatike, Rusia përpiqet të krijojë një imazh të Kosovës si një vend i paqëndrueshëm dhe të sfidojë përpjekjet e Perëndimit për të integruar Kosovën në institucionet euro-atlantike.
Instituti për Studime Europiane në kuadër të Akademisë Ruse të Shkencave (IEE RAS) është një institucion akademik rus që fokusohet në çështjet e Evropës dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, duke përfshirë rajonin e Ballkanit, përfshirë Kosovën. Ky institut, si shumë të tjerë në Rusi, është i lidhur ngushtë me agjendat gjeopolitike të Kremlinit dhe, siç dëshmohet lehtësisht, ai është i përfshirë në hartimin e politikave dhe dokumenteve që mbështesin interesat ruse në çështjen e Kosovës.
Që të dy proektet: ai për Bashkësinë e Komunave Serbe [Zajednica] dhe Ballkani i Hapur janë ideuar dhe hartuar nga ky institut.
Rusia ka qenë gjithmonë një aleate e ngushtë e Serbisë dhe ka mbështetur fuqimisht refuzimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Në këtë kontekst, Instituti për Studime Europiane dhe akademikë të tjerë të lidhur me qendrat ruse të mendimit politik, shpesh përfshihen në hartimin e strategjive që mbështesin dhe forcojnë pozicionin serb dhe rus për çështjen e Kosovës.
Instituti për Studime Europiane në kuadër të Akademisë Ruse të Shkencave luan një rol të rëndësishëm në mbështetjen e pozicionit të Rusisë dhe Serbisë ndaj Kosovës, përmes studimeve, analizave dhe dokumenteve që ndihmojnë në formësimin e strategjive diplomatike dhe propagandistike kundër njohjes ndërkombëtare të Kosovës. Ai ndihmon në legjitimimin e pozicionit rus dhe serb, duke mbështetur veprimet politike që synojnë destabilizimin e Kosovës dhe pengimin e integrimit të saj në institucionet ndërkombëtare.
E përditshmja Korrieri më 6/6/2023 kishte publikuar një tekst me titull “LAVROV: Ka ndodhur diçka e paimagjinueshme, por askush nuk do të jetë në gjendje t’i shkatërrojë marrëdhëniet tona me Serbinë”, gjë që, siç konstatoi faqja e verifikimit të fakteve Faktoje, është dezinformatë. Kjo media serbe bën gjithashtu të ditur se, pikërisht në fillim të qershorit[2023], kur liderët e tre vendeve pjesëmarrëse dhe të ftuarit e tyre morën pjesë në një samit në Ohër, kishte përkuar me një tjetër lajm të bujshëm: vizitën e humbur të ministrit të Jashtëm rus Sergej Lavrov në Beograd.
Pasi Bullgaria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut qenë detyruar të mbyllin hapësirën e tyre ajrore për avionët rusë, Lavrovit iu desh të anulonte udhëtimin e tij në Serbi. Në përgjigjen e tij për mediat ruse, ministri i Jashtëm goditi NATO-n dhe Bashkimin Evropian, duke thënë:
“Natyrisht ata që po manovrojnë gjërat në Bruksel nuk e kanë dashur këtë, nuk kanë dashur që ne t’i shprehim mbështetje Beogradit, ndër të tjera, dhe projektit të Ballkanit të Hapur. Tashmë është e qartë për të gjithë se Brukseli, NATO dhe BE duan ta kthejnë Ballkanin në projektin e tyre të quajtur Ballkani i Mbyllur”.[6]
Sfidimi i sovranitetit përmes mosnjohjeve ndërkombëtare: Fushata serbe për të bllokuar njohjet e Kosovës në arenën ndërkombëtare është një element i rëndësishëm i luftës hibride. Përmes lobimit dhe presioneve diplomatike, Serbia dhe aleatët e saj kanë ndikuar në reduktimin e numrit të vendeve që njohin Kosovën, gjë që automatikisht minon përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe për konsolidimin e sovranitetit të saj.
Përfundim
Në shoqëritë iliberale, respektivisht në komunitetet ku veprojnë struktura politike me prirje iliberale, zgjedhjet nuk përfaqësojnë një proces të natyrshëm demokratik, por më tepër një moment tensioni dhe pasigurie për elitat dhe për popullin. Frika nga humbja e pushtetit dhe pasojat e tij, respektivisht gjakimi për marrjen e pushtetit me çdo kusht, si dhe mungesa e një sistemi të qëndrueshëm dhe të drejtë, i bën zgjedhjet ngjarje që ngjasojnë me “Shpatën e Demokleut”, ku çdo veprim apo rezultat mund të ketë pasoja të rënda dhe të paparashikueshme për shoqërinë.
Kosova megjithatë, që prej vitit 2010, ka zhvilluar zgjedhje të rregullta dhe të pranuara në përgjithësi nga partitë politike pjeësmarrëse dhe nga komuniteti ndërkombëtar, madje si të lira dhe të drejta. Këto zgjedhje kanë siguruar një nivel stabiliteti politik, dhe rotacioni i pushtetit mes partive politike është bërë në mënyrë paqësore. Kjo ka forcuar besimin e mekanizmave ndërkombëtarë që Kosova po bën përparim drejt një demokracie funksionale, duke respektuar procesin demokratik dhe pluralizmin politik.
Ndërkaq qytetarët gjatë kësaj legjislature kanë krijuar një lloj bindjeje, se tashmë vota e tyre ka vlerë – ajo ndikon drejtpërdrejtë në vendimmarrjen politike; ata e ndjejnë përkujdesjen e pushtetit të tyre, rrjedhimisht nuk janë më të tjetërsuar nga politika.
Vazhdimi i pritshëm i mandatit për qevrinë Kurti më 9 shkurti i 2025, prandaj konceptohet si Shpatë e Demokleut nga nomenklatura mikse e neotitistëve dhe olhokratëve.
Lufta hibride ndaj Kosovës dhe qeverisë së saj është një strategji e ndërlikuar dhe shumëdimensionale që përfshin mjete të ndryshme për të destabilizuar vendin dhe për të dobësuar legjitimitetin e institucioneve të saj. Kjo luftë përfshin dezinformimin, presionin ekonomik, instrumentalizimin e tensioneve etnike, ndërhyrjet politike dhe diplomatike, si dhe përpjekjet për të minuar sovranitetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Aktorët kryesorë, si Serbia dhe Rusia, janë të angazhuar në këtë luftë hibride, duke përdorur çdo mjet në dispozicion për të arritur qëllimet e tyre politike në rajon.