Në Kosovë, shoqatat e gazetarëve dhe Misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, dënuan një sulm me armë zjarri mbi selinë e një faqeje lajmesh në internet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Policia e Kosovës tha se shtatë plumba kanë qëlluar gjatë natës së kaluar selinë e portalit “KoSSev”, që publikon lajme në gjuhën serbe. Policia tha se nuk ka njohuri për autorët apo motivet e sulmit që kaloi ka dëme në njerëz.
Portali i themeluar në vitin 2014 aktualisht mbështetet financiarisht edhe nga ambasada amerikane në Kosovë.
Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger dhe përfaqësuesja e kësaj organizate për lirinë e medies Dunja Mijatovic, thanë se “sulmi paraqet një akt frikësimi ndaj një mediumi të pavarur”.
Ata u kanë bërë thirrje autoriteteve që ta ndriçojnë rastin sa më shpejt që është e mundshme dhe të sigurojnë kushte ku mediet mund të punojnë lirshëm në një mjedis të sigurt.
Ndërsa Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës theksoi nëpërmjet një komunikate se e dënon ashpër këtë akt dhe konsideron se çdo veprim i tillë është ndërhyrje direkte në punën e gazetarëve, gazetarinë e pavarur dhe lirinë e shprehjes.
Kjo shoqatë “u bën thirrje përfaqësuesve të institucioneve kompetente për ruajtjen e rendit dhe ligjit që të ndërmarrin të gjitha masat për sigurimin e një ambienti të favorshëm për punën e gazetarëve, garantimin e lirisë së shprehjes dhe ushtrimin e lirë të profesionit të gazetarit”.
Ndërkohë, një zyrtar i policisë në Mitrovicë, është pezulluar nga detyra për dyzet e tetë, pasi që ishte përfshirë në një incident me fotoreporter/gazetarë në stadiumin e qytetit të Mitrovicës të mërkurën.
Incidenti në të cilin ishin përfshirë fotoreporterët e gazetës “Koha Ditore” dhe portalit “Indeksonline”, ndodhi gjatë ceremonisë së varrimit të heroit kombëtar shqiptar Isa Boletini, një nga personalitetet kryesore të pavarësisë së Shqipërisë.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në një reagim tha se është e papranueshme çdo pengesë nga ana e institucioneve në ushtrimin e lirë të profesionit të gazetarit.
“Institucionet janë të thirrura të krijojnë kushte dhe siguri për gazetaret, e jo t’i pengojnë në ushtrimin e pavarur të profesionit të tyre. Çdo tentim për pengim, njëkohësisht nënkupton tendence të ndikimit mbi fjalën e lirë”, thuhet në reagim në të cilin kërkon nga Policia e Kosovës që të fillojë të mendojë për trajnime të veçanta për krijimin e sigurisë së nevojshme dhe komunikimit me gazetarë.
Gjendja e medieve dhe gazetarëve në Kosovë, vazhdon të vlerësohet e pakënaqshme. Raporti i fundit i Fredoom House, i publikuar në muajin maj, e nxori Kosovën në vendin e 100 me radhë për shkallën e lirisë së shprehjes, duke vënë në pah një rënie të shkallës së kësaj lirie.
Vetëm gjatë këtij viti, shoqatat e gazetarëve kanë raportuar 10 raste të sulmeve, kërcënimeve, frikësimeve e pengesave të tjera në punën e gazetarëve. Por edhe më tej, trajtimi i rasteve të tilla mbetet vetëm në shkallë reagimesh. za
Komentet