Njëqind vajza nga Shtetet e Bashkuara, Kosova dhe vendet e rajonit, janë mbledhur në Prishtinë ku do të qëndrojnë për dy javë sa do të zgjasë kampi veror i vajzave për shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë.
Kampi i njohur si WiSci synon të nxisë pjesëmarrjen më të madhe të vajzave në këto fusha, thotë drejtoresha e tij Bailey Leuschen.
“E para është të rritet vetëdijesimi, interesimi i vajzave dhe aftësitë e tyre në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës, sepse këto janë vendet e punës të shekullit njëzet e një dhe e dyta që lidhet me këtë, është mësimi ndërkulturor. Për t’i pasur këto aftësi duhet të dish t’i përdorësh ato. Bota jonë është shumë e lidhur sot dhe fakti që kemi këtë kamp ndërkombëtar është i qëllimshëm për t’i nxitur vajzat që të mendojnë si pjesëmarrëse të tregut global të punës dhe e treta është barazia gjinore. Ky kamp ka vetëm vajza dhe përqendrohet shumë në nxitjen e vajzave që të kenë guximin të hyjnë në këto fusha duke e ditur se kanë një komunitet mbrapa vetes, kanë mentorë dhe mbështetje”, tha ajo.
Kampi mbahet për herë të nëntë këtë verë, ndërsa Kosova është për herë të parë nikoqire e tij nëpërmjet një partneriteti të gjerë në mes të korporatës “Sfidat e Mijëvjeçarit”, ambasadës amerikane në Prishtinë, Fondacionit të Kombeve të Bashkuara “GirlUp”, organizatës TOKA, si dhe Universitetit të Prishtinës dhe Kolegjit AAB.
“Kampi veror WiSci organizohet për herë të parë në Kosovë. Ne është dashur të garojmë në baza ndërkombëtare që ta kemi të drejtën e organizimit. Vitin e kaluar është organizuar në Keni, Gjeorgji, pra ne kemi pasur një proces kompetitiv dhe në fund departamenti amerikan i shtetit ka pranuar që Kosova të organizojë për herë të parë këtë kamp”, tha Petrit Selimi, bashkërendues për Kosovën në korporatën “Sfidat e Mijëvjeçarit”.
Sarah Olmstead, nga kjo korporatë tha se “Kosova, siç njerëzit me siguri e dinë, ka një nga shkallët më të ulta të pjesëmarrjes së grave në tregun e punës në rajon. Në fakt, kjo shkallë është e krahasueshme me vendet si Gaza apo Afganistan dhe me vende të tjera të ngjashme prandaj qëllimi prapa këtij organizimi është që vajzat të marrin një ide të asaj se çfarë mund të bëjnë, të angazhohen më shumë në tregun e punës dhe në fusha të ndryshme që mund t’u duket se janë jashtë mundësive të tyre”.
Pjesëmarrëset e këtij kampi vlerësuan mundësitë që u ofron ai.
“Kjo është hera e parë që unë dëgjoj për Kosovën, kur kam aplikuar për kampin e kam njohur Kosovën për herë të parë dhe më pëlqen shumë, është ndryshe nga Shtetet e Bashkuara. Unë vij nga New Jersey dhe këtu vendi më duket shumë i hapur dhe është kënaqësi të shohësh vende e kultura të reja, shpresoj që do të kem rastin të miqësohem me vajza të cilat janë të interesuara në fushat e njëjta si unë dhe të mësojmë edhe më shumë”, tha Lakita Lloyd.
“Kam qenë shumë e ngazëllyer me pjesëmarrjen time këtu sepse janë 100 vajza që vijnë nga vende të ndryshme dhe e kam mundësinë të mësoj për kultura të reja e përveç kësaj do të mund të mësoj më shumë për shkencën, teknologjinë, inxhinierinë, artin e matematikën, është shumë përvojë e mirë”, tha Rudina Gashi
Kampi WiSci kishte filluar të organizohet për herë të parë në vitin 2015 me synimin që t’i nxisë vajzat të jenë më të pranishme në fusha që kërkojnë më shumë guxim dhe t’i përgatisë ato që të jenë konkurruese në tregun e ri të punës.
Komentet