Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, filloi të martën këshillimet me partitë politike opozitare për siç u tha bashkërendimin e çështjeve me interes për vendin, posaçërisht rreth bisedimeve me Serbinë.
Të martën ai takoi kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ndërsa të mërkurën pret të takojë kryetarin e Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhikun. Partia Demokratike e ka refuzuar ftesën.
Në një njoftim të qeverisë pas takimit thuhet se “kryeministri Kurti e njoftoi zotin Haradinaj për takimet që pati me përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Evropian në Bruksel dhe për përgatitjet për procesin e bisedimeve të ardhshme me Serbinë”.
Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me lehtësimin e Bashkimit Evropian pritet të rinisin nga mesi i muajit qershor kur pritet të mbahet takimi i parë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha pas takimit se ka ngritur disa shqetësime të subjektit të tij rreth bisedimeve me Serbinë.
“Ajo që e hetojmë është një mungesë e prezencës së SHBA-ve në dialog mendojmë që kjo është një situatë jo e mirë për Kosovën pra e prishë balancën e interesave të Kosovës në dialog, do të ishte shumë në dobi emërimi i një emisari për dialogun nga Amerika, në këtë rast nga presidenti Biden pra ta ngarkon dikë që përfaqëson Amerikën në temën e dialogut”, tha zoti Haradinaj.
Ai tha se ka shumë paqartësi për procesin e bisedimeve dhe nivelin e përfaqësimit nga Bashkimi Evropian.
“Pra shohim se peshën kryesore në dialog e ka (Miroslav) Lajçak por që është një nivel i ultë për përfaqësimin në agjendë, pra nuk janë liderët, nuk shihet një agjendë e plotë dhe e ardhmja e dialogut që të mos kemi befasi dhe të mbesim në ato që na obligon kushtetua e vendit”, tha zoti Haradinaj.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë që takimi i qershorit me presidentin serb do të përqendrohet në diskutime për mënyrën se si do të vazhdohen bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve që sipas tij duhet të bazohen në njohje të ndërsjellë.
Sivjet janë mbushur dhjetë vjet që nga fillimi i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, një kusht për përparimin e të dyja vendeve drejt integrimeve evropiane.
Komentet