Nuk do të jetë e largët dita kur Kosova të jetë shtet anëtar i Aleancës Verio-Atlantike
Erdhi përsëri 12 Qershori, prej 1999, që e gjen Kosovën pa okupatorin barbar të cilin Kosova dhe aleatët e saj, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës e përzunë njëherë e përgjithmonë. Pas 79 ditësh fushate ajrore të NATO-s, Presidenti Clinton më 10 qershor, 1999 do të lajmëronte përmes radios kombin amerikan për tërheqjen e trupave serbe nga Kosova. Prej 24 marsit kjo fushatë do të zgjaste për njëmbëdhjetë javë, ndërkohë që Millosheviçi nuk do të ndalej të vriste shqiptarë të Kosovës dhe t’i përzinte së paku një milion njerëz nga shtëpitë e tyre. Presidenti Clinton me atë mesazh radiofonik ku do të bënte me dije fundin e konfliktit, do të lajmëronte edhe kthimin e një milionë refugjatëve shqiptarë në vatrat e tyre, të cilët filluan të riktheheshin me pikërisht më 12 qershorin 1999, kur trupat e NATO-s hynë në Kosovë, pritur nga populli i Kosovës si çlirimtarë, duke ndarë një herë e mirë të shkuarën me të tashmen e Kosovës, ku fitimtare del gjithnjë kauza e lirisë, paqes, pavarësisë, drejtësisë, nga njëra anë, mbi robërinë, pushtimin, kolonializmin, fashizmin, padrejtësinë, nga ana tjetër. Kosova dhe kombi shqiptar në tërësi, për shekuj të tërë objekt i padrejtësive më flagrante dhe më të përbindëshme, prej 12 Qershorit 1999 nuk janë më një komb i pambrojtur, janë një komb që kanë mbrojtësen, miken dhe aleaten më të fortë dhe më të paepur, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky 12 qershor e gjen Kosovën shtet të pavarur dhe sovran me mbi 110 e sa njohje zyrtare ndërkombëtare. Dhe ne, në emrin tonë dhe të voal.ch, urojmë me gjithë shpirt dhe me gjithë zemër që 12 qershori ardhtë përherë i bardhë, ardhtë përherë duarplot për Kosovën, kombin shqiptar, miqtë dhe aleatët tanë, për të gjithë adhuruesit e përkushtuar të kauzës sonë të përbashkët që do të triumfojë në mbarë botën. Nuk do të jetë e largët dita kur Kosova të jetë shtet anëtar i Aleancës Verio-Atlantike, sikur edhe shteti amë..
Komentet