Misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, u shpreh të hënën i shqetësuar me “tentim sulmin ndaj gazetarit Berat Buzhala. Është me rëndësi që njerëzit të ruajnë qetësinë në këto kohë të vështira me pandeminë Covid-19 dhe situatën aktuale politike. Gazetarët duhet të jenë në gjendje të punojnë pa frikë nga dhuna në mënyrë që të gjitha opinionet të dëgjohen”, thuhet në reagimin e misionit të OSBE-së.
Ky mision ju bashkua reagimeve që nxiti gjatë fundjavës njoftimi për një kërcënim me sulm ndaj drejtorit të Gazetës Express dhe televizionit T7, Berat Buzhala.
Policia e Kosovës i tha Zërit të Amerikës se është duke trajtuar këtë rast. “Të gjitha veprimet hetimore janë në proces sipas procedurave ligjore dhe në konsultim të plotë me prokurorin kompetent”, tha zëdhënësi i policisë Daut Hoxha.
Zoti Buzhala shkroi të shtunën mbrëma në llogarinë e tij në facebook se dy persona kishin provuar ta sulmojnë në afërsi të një barnatoreje në Prishtinë.
“Ne presence te kater pese vetave, te barnatorja Rexal ne Prishtine, dy vagabonda te Vetevendosjes deshten me me sulmu. Madje kjo ngjarje kish me shku shume ma keq, nese paraprakisht nuk do te me kishte paralajmeru nje vajze qe i kish degju tuj fole, gjate kohes kur une isha brenda. Kaq sa i perket tolerances, lirise se shprehjes dhe mendimit ndryshe. E paramendojeni, une i kam perkrahe per me ardhe ne pushtet. Suksese me kete qasje”, shkroi ai.
Por zëdhënësi i lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, reagoi në rrjetin facebook duke thënë se veprimtarët e lëvizjes Vetëvendosje nuk sulmojnë mendimin ndryshe.
“Aktivisti politik shquhet për idenë e angazhimit në mënyrë që liria e mendimit të mos mbetet vetëm aty. Normalisht pa penguar mendimin e tjetrit. Për nga natyra aktivisti nuk e sulmon dikë tjetër ndryshe, sepse tashmë ai e ka vuajtur mendimin ndryshe. Ai ka qenë thyerje e kësaj monotonie e homogjeniteti të pushtetit. Madje ai e ka vuajtur edhe mosdallimin esencial në një kohë mes pushtetit dhe disa mediave, media këto që mbronin pushtetin kinse po e mbroj e vetën e tyre për liritë e garantuara. Aktivisti i VETEVENDOSJE!s nuk e sulmon mendimin ndryshe, për ta kritikuar po. Patjetër. Po bëri ndryshe s’është më”, shkroi zoti Manxhuka.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, u shpreh i shqetësuar me njoftimin, duke e cilësuar “këtë akt të papranueshëm, AGK kërkon nga Policia e Kosovës dhe të gjithë ata që janë të thirrur për të mbrojtur dhe ruajtur rendin e ligjin, hetim të menjëhershëm që kryerësit e kësaj vepre të dalin sa më parë para drejtësisë”, thuhet në reagimin e kësaj shoqate.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, “dënoi tentim sulmin ndaj zotit Buzhala duke e quajtur të papranueshëm për shoqërinë e Kosovës. Shteti demokratik i Kosovës është ndërtuar mbi të drejtat e njeriut, ku liria e shprehjes është përcaktuese për zhvillimin e demokracisë. Ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës, liderët institucionalë dhe politikë që të distancohen prej akteve të tilla”, shkroi presidenti Thaçi.
Ushtruesi i detyrës së ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, nga radhët e lëvizjes Vetëvendosje, shprehu keqardhjen duke theksuar se “kjo është sigurisht e papranueshme dhe liria e shprehjes nuk do t’i cenohet askujt”. Duke bërë thirrje për maturi në këtë kohë emergjente, ai nënvizoi se “përballja me virusin Corona është i vetmi armik i yni. Dallimet dhe ndasitë tona politike duhet t’i argumentojmë me maturi dhe jo me ballafaqime fizike”.
Edhe udhëheqës institucionesh e partish politike e dënuan rastin duke u bërë thirrje organeve të rendit për ndriçimin e plotë të tij.
Komentet