Në mëngjesin e së enjtes, Policia e Kosovës, arrestoi pesë zyrtarë të kolegjit turk “Mehmet Akif”, që vepron prej vitesh në Kosovë. Të arrestuarit janë, drejtori i përgjithshëm i kolegjit “Mehmet Akif” në Kosovë, zëvendësi i tij, që drejton një shkollë tjetër në qytetin e Gjakovës, dy arsimtarë në këtë shkollë si dhe drejtori i një shkolle tjetër në Gjilan. Që të gjithë të arrestuarit janë shtetas të Turqisë, ka bërë të ditur në një komunikatë për medie kolegji “Mehmet Akif”. Sipas tyre arsyet e arrestimit nuk dihen. Policia e Kosovës, sipas zëdhënësit Bajram Krasniqi, thotë se aksioni është në zhvillim e sipër, ndërsa, deri sa të përfundojë nuk mund të japin më shumë informacione.
Shkollat “Mehmet Akif” janë të shtrira në disa qytete të Kosovës dhe i përkasin Institucionit Arsimor turk “Gylistan”. Zyrtarë të ministrisë së Arsimit disa herë kanë deklaruar se këto institucione shkollore, veprojnë në përputhje me ligjet e Kosovës. Gylistan, në Kosovë ka edhe kopshte fëmijësh, institucione parashkollore e shkolla fillore dhe të mesme pothuaj në të gjithë Kosovën.
Mediat: Turqia i ka dërguar një listë Kosovës
Ka kohë që mediet në Prishtinë kanë shkruar se, ministri i Drejtësisë në qeverinë e Kosovës ka pranuar një listë nga Turqia me emrat e personave, të cilët kërkon nga Kosova që t’i ekstradojë në Turqi, si të dyshuar që kanë qenë pjesë e organizatës FETO, të Fetullah Gylenit, e cila nga autoritetet turke konsiderohet si organizatë terroriste. Presidenti i Turqisë, reces Tayyip Erdogan, e fajëson klerikun fetar turk, Gylen për përpjekjen për grushtshtet në Turqi, në vitin 2016. Tash për tash, akoma nuk ka njoftim nga prokuroria se për çfarë akuzohen të arrestuarit sikundër nuk dihen nëse do të ekstradohen në Turqi apo jo.
Arrestimi i sotëm i drejtuesve të shkollave turke në Kosovë që i përkasin Institucionit Arsimor turk “Gylistan”, është më i madhi i këtij lloji. Njëri nga analistët e njohur në Kosovë, Shkelzen Maliqi, shkroi në profilin e tij se “aktiviteti i institucionit arsimor turk “Gylistan”, në Kosovë është legal dhe shkollat janë regjistruar sipas ligjeve të Kosovës”. “Nëse këto shkolla në Kosovë nuk kanë qenë nën hetime se janë duke zhvilluar veprimtari të rrezikshme për shtetin e Kosovës, e as Turqia nuk ka dërguar dëshmi tjera të bindshme se ata janë “terroristë” por veçse janë “gylenistë”, nuk ka pse të deportohen! Përkundrazi, duhet t’u ofrohet azili ose mundësia që të zgjedhin në cilin shtet duan të jetojnë”, shkroi Shkelzen Maliqi.
Komentet