Prokuroria e Posaçme e Kosovës tha sot se janë arrestuar tre persona nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Prokuroria i ka identifikuar personat me iniciale dhe nuk ka dhënë hollësi për shkeljet që kanë kryer.
Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë tha se dy nga të arrestuarit janë Hafiz Gara, drejtor për Rezervat Shtetërore në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe Irfan Lipovica, drejtor në Departamentin për Integrim Evropian, i cili më parë ishte sekretar në këtë ministri. I arrestuari i tretë sipas medias lokale është afaristi Ridvan Muharremi.
Operacioni i sotëm pasoi publikimin e disa audio-regjistrimeve nga portali “Nacionale”, në të cilat dëgjohen dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, të cilët gjatë një bisede pretendojnë se vaji i kontraktuar dhe i paguar në Poloni për rezervat shtetërore të Kosovës, nuk mbërriti kurrë. Sipas regjistrimeve e njëjta gjë ka ndodhur edhe me rezervat e grurit.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë tha përmes një komunikate se mirëpret çdo hetim për rastin e blerjes së rezervës shtetërore edhe pse shprehet “e bindur që furnizimet dhe rezerva shtetërore janë në përputhje ligjet, planin dhe asnjë dëm apo dëmtim nuk ka ndodhur me to”.
Sipas ministrisë, për këtë çështje prej një kohë të gjatë e veçanërisht në muajt e fundit ka përpjekje të mëdha që të keqinformohet publiku. “Motivet dhe arsyet për këto veprime të nxitura dhe koordinuara nga palë të ndryshme të interesit duhet të jenë po ashtu pjesë e hetimit në këtë rast”, thuhet në reagim.
Ministria tha se “pret që organet e hetimit të kenë në vëmendje që krahas punës hetimore, të mos cenojnë në asnjë rrethanë sigurinë shtetërore, për sa kohë që bëhet fjalë për rezervën shtetërore të Kosovës, e klasifikuar sipas Ligjit për Rezervën Shtetërore dhe Ligjit për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar”.
Arrestimet e sotme, nxitën reagimin e opozitës e cila kërkon përgjegjësi nga zyrtarët e lartë qeveritarë.
Partia Demokratike e Kosovës tha sot se përgjegjësia politike, publike dhe penale bie mbi ministren e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë Rozeta Hajdari. Betim Gjoshi nga ky subjekt kërkoi shkarkimin nga detyra e ministres Hajdari, për t’i hapur siç tha rrugë një hetimi të lirë, të pavarur dhe të pandikuar politikisht.
“Prandaj, shkarkim dhe hetim për ministren Hajdari, nën udhëheqjen e së cilës po vërtetohet, ashtu siç kemi denoncuar disa here ne si parti, se ka ndodhur një prej skandaleve më të mëdha në vend”, tha ai.
Berat Rukiqi nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se dorëheqja e ministres Rozeta Hajdari nuk mjafton por duhet të jap përgjegjësi para organeve të rendit.
“Gjitha faktet e publikuara deri tani na bëjnë të besojmë që në aferën e rezervave shtetërore kemi përfshirje të niveleve më të larta të kësaj qeverie, po flas për nivelin më të lartë politik. Prandaj edhe hetimi duhet të mos ndalet tek zyrtarët dhe sekseri Ridvani por duhet të përfshijë të gjitha nivelet e qeverisjes. Dorëheqja e ministres nuk mjafton, e njëjta duhet të largohet nga ai vend dhe të jap përgjegjësi para organeve të rendit”, tha zoti Rukiqi.
Mielli, ilaçet, vaji, sheqeri, prodhimet higjienike, nafta etj. janë pjesë e rezervave shtetërore që mund të përdoren në rast të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme si pasojë e fatkeqësive natyrore, luftërave apo dhe në rast kizash kur këtë artikuj mungojnë në treg.