Policia e Kosovës ka arrestuar 15 persona të dyshuar për krim të organizuar dhe trafikim të qenieve njerëzore ,në tri rajone, atë të Prishtinës, Pejës dhe të Mitrovicës.
Këto të dhëna u bënë të ditura sot në një konferencë të jashtëzakonshme për media që ka organizuar Policia e Kosovës.
Gjatë këtyre aksioneve sipas Policisë është arritur që të shpëtohen dy viktima të trafikimit, femra shqiptare nga Kosova, të cilat sipas tyre janë duke u trajtuar në strehimore për viktimat e trafikimit. Gjithashtu gjatë këtyre operacioneve janë konfiskuar edhe armë, para, aparate të lojërave të fatit si dhe prova tjera.
Rexhep Fetahu, drejtori Drejtorisë së Krimit të Organizuar ka shpjeguar rastet e krimit të organizuar që kanë përshirë Prishtinën dhe Pejën.
“Është ndërmarrë operacioni i mbrëmshëm që ka të bëjë me arrestimin e të dyshuarve për krim të organizuar duke organizuar piramida të lojëra të fatit. Janë arrestuar 8 të dyshuar, janë sekuestruar 2 revole, 72 aparate të lojërave të fatit, 2 aparate dhe 13105 mijë euro. “, tha ai.
Ndërsa Arben Paçarizi nga Drejtoria e Trafikimit në Polici tregoi se operacionet që kanë rezultuar me identifikimin e dy viktimave të trafikimit janë zhvilluar në Prishtinë dhe Mitrovicë. Ai tregoi se njëri nga të arrestuarit në lidhje më këto raste është i njohur për policinë.
“Rasti në Mitrovicë ka filluar para 2 muajve dhe është arritur se po kryejnë trafikim dhe dje janë arrestuar 4 persona. Rasti i dytë në Prishtinë pas hetimeve për një rast të personit të zhdukur , është rezultuar se është duke u mbajtur nga disa persona. Personi i arrestuar i njohur për polici ka pas rastin për tentim vrasje”,tha Paçarizi.
Komentet