Të enjten në Kosovë u regjistrua numri më i lartë i të prekurve nga COVID-19, gjatë këtij viti.
Autoritetet shëndetësore konfirmuan se dy persona kanë humbur jetën, ndërsa janë regjistruar 1 mijë e 9 raste të reja të të prekurve nga COVID-19, në 24 orët e fundit.
Shkalla e më e lartë infektimeve është regjistruar tek personat nën 30 vjeç.
Në 12 ditët e fundit në Kosovë janë konfirmuar 4 mijë e 285 raste të reja të të prekurve nga COVID-19 dhe 10 të vdekur nga pasojat e tij.
Mikrobiologu, Lul Raka, në një bisedë për Zërin e Amerikës tha se institucionet duhet të marrin masa siç janë rritja e kontrolleve për të parandaluar përhapjen e mëtejmë të virusit.
“Ky inspektim dhe kjo mbikëqyrje duhet të fuqizohet po ashtu në vazhdën e zbatimin e mbajtjes së maskës sepse mbajtja e maskës është ende në fuqi mirëpo nuk po zbatohet sidomos në objekte të mbyllura publike dhe në transportin publik. Këto janë disa nga pikat kryesore, e pastaj masa tjera kufizuese duhet të fokusohen kryesisht te personat e pavaksinuar sepse kjo valë jo vetëm në Kosovë por edhe krejt botën është kryesisht valë e të pa vaksinuarve, pjesa më e madhe që preken janë të pavaksinuar.”, tha ai
Zoti Raka tha se në valën e re të infektimeve po preken moshat e reja e që sipas tij është një element pozitiv.
“Pjesa më e madhe të rasteve të identifikuara gati 50 për qind janë nën moshën 30 vjeçare do të thotë janë të rinj dhe pjesa më e madhe e tyre e përballojnë shumë më lehtë se sa popullata e shtyrë në moshë kjo ndoshta do të ndikoj drejtpërdrejt edhe në dinamikën e hospitalizimeve mirëpo kjo mbetet të shihet në ditët në vijim. Ne prej fillimit kemi apeluar që të intensifikohet vaksinimi sepse me një numër më të madh të vaksinuarve shumë më lehtë do ta kishim menaxhuar por ditëve në vijim do të shohim a do të kemi rritje të hospitalizimeve dhe vdekjeve që është faktori kryesor që determinon masat parandaluese edhe rritja eventuale sigurisht që konform rritjes së tillë do të ketë masa kufizuese”, th ai.
Qeveria e Kosovës paralajmëroi masa kufizuese për të parandaluar rritjen e infektimeve dhe për të nxitur vaksinimin në masë. Deri sot 183 mijë persona janë vaksinuar me dy doza.
Komentet