“Jeta dhe ëndërrat janë fletë të të njëjtit libër. T’i lexosh me rradhë është të jetosh, t’i shfletosh simbas rastit është t’ëndërrosh”
Artur Shopenhauer
Duket se viti 2006 do të jetë vendimtar për fatet e Kosovës. Me gjasë do të ftillojë atë lëmsh të ngatërruar politik e historik që filloi të mblidhet më 24 mars 1999, kur NATO-ja, me shtysën e fortë të dyshes Klinton-Allbrajt, vendosi të fillojë bombardimet mbi Sërbinë e Millosheviçit për të frenuar barbarinë e pashembullt të ushtrive të tij mbi popullsinë shqiptare të Kosovës. Përfundimi i bombardimeve, së bashku me tërheqien e ushtarëve e milicianëve sërbë nga krahina, sollën lirinë e shumëdëshiruar të shqiptarëve kosovarë, të garantuar nga trupat e Aleancës dhe Administrata e OKB-së.
Që atëhere kaluan gjashtë vite, gjatë të cilëve, për të dytën herë që nga krijimi i Shtetit shqiptar, kosovarët mundën të administroheshin pa marrë urdhërat nga zyrtarët e Beogradit. Në rastin e parë (1941-1944) ata ishin të bashkuar me “dheun amë”, me Shqipërinë, për pavarësinë e së cilës kishin luftuar e dhënë një ndihmesë shumë të vyer. Në rastin e dytë ishin nën mbikqyrien e çlirimtarëve që, krahas ndihmës për rimëkëmbien e Vendit të shkatërruar nga lufta e futjes së tij në rrugën e zhvillimit ekonomik e shoqëror, kërkonin respektimin e një sërë rregullash e parimesh, të përmbledhura nën emrin “standarte” e që do të garantonin ecurinë e ngjarjeve në përputhje me ligjet kryesore të botës demokratike. Këto kërkesa synonin, kryesisht, në mbrojtjen dhe respektimin e pakicave sërbe të mbetura në Kosovë, të cilat në shumë raste u bënë prè e ekstremizmit të një pjese të vogël të shqiptarëve që u munduan të paguanin me të njëjtën monedhë mizoritë sërbe, të pësuara nga popullsia kosovare në pranverën 1999.
Prania e UNMIK-ut dhe forcave ushtarake të NATO-s qenë faktorë të stabilizimit të një gjëndjeje që ishte kankrenizuar e që rrezikonte të shpërthente në përmasa të pallogaritëshme fuçinë e lashtë të barutit në Ballkan. Por ky stabilizim ishte si një terapi në sallën e rianimacionit, një terapi tejet e dobishme, por që kishte nevojë për kura të gjata mbrapa deri në shërimin e plotë. Ajo ndërhyrje ushtarake e NATO-s, e para në Evropë e ndoshta edhe e fundit, ishte pika e kthesës që do të përcaktonte fillimin e zgjidhjes së problemit. Problemi ishte statusi i Kosovës, një problem që po i afrohet qindvjetorit të lindjes së tij, por që tani me gjasë ka arritur në vitin zero, pra në përcaktimin e aspektit përfundimtar të tij.
I pagëzuar më 1913 në një nga zyrat e Forein-Ofisit anglez nga ambasadorët e Fuqive të Mëdhá të asaj kohe, nën trysninë e fortë të Rusisë pansllave e të Francës filosërbe, problemi i Kosovës dhe i viseve të tjera që u ndanë forcërisht nga Shteti i brishtë i sapokrijuar shqiptar, qe gjatë gjithë shekullit të shkuar burim tragjedish të panumurta mbi ato popullsí. Ato tragjedi qenë, në gjysmën e parë të shekullit, shqetësimi kryesor i klasës politike shqiptare. Duke patur në anën e tyre të gjitha argumentat e rendit historik e të bindur se vetëm Shqipëria në kufijtë e saj etnikë mund t’i siguronte popullit të saj mundësitë e zhvillimit të gjithanshëm në lirí, ata atdhetarë nuk munguan në asnjë rast të mbronin arsyet e kërkesave të popullit të tyre.
Po të lexohen dokumentat e Dërgatës shqiptare në Konferencën e Paqes së Parisit më 1919, shihet qartë se me sa atdhedashuri, pasion politik, guxim qytetar e kompetencë profesionale janë mbrojtur të drejtat e ligjëshme të Kombit shqiptar para të mëdhenjve të botës së atëhershme. Të përpiluara nga Luigj Gurakuqi e Mustafa Kruja e të firmosura nga ish ambasadori i Portës së Lartë në Shën Petersburg, Turhan Pashë Përmeti, ato shpalosin deri në imtësí një betejë të gjatë e të vështirë, të luftuar nëpër kanceleritë e Fuqive të Mëdhá e sallën e Konferencës së Versajës. Ishte një luftë argumentash, në të cilën ata burra dilnin fitues ndaj kujtdo, por që nuk mjaftonte të “bindëtë” ata që vulosnin vendimet e që prireshin nga të tjera kritere që ishin, fatkeqësisht, interesat e tyre në kuadrin e strategjisë politike të një kontinenti që dilte nga një luftë botërore e që shqetësohej për stabilitetin e tij.
Ja si i drejtohej më 15 shkurt 1919 Dërgata shqiptare Konferencës së Paqes:
“ Le të na ipet lêjë të vêmë n’oroe, këtu dyke kaluem, se syproria e qytetnimit grek dhe slav, për të cilën fort shpesh âsht bâmun fjalë, rrin keq me salvimet systematike, me rrenimet e të djegunat e sa tjera tmerrime të shkaktueme prej Grekvet e Serbvet kundra popullsivet paqtore të Shqypniës: fakte këto të njohuna prej Fuqivet të Mëdhaja, sa nuk lânë nevojë për me u treguem këtu hollë e gjatë.
Mbas si ky Kongres s’ka mâ në shpirt formula të thata, por parime të vërteta të drejtësiës qi po kërkon gjithë bota, shpresa po përtrihet me arsye të drejtë në zêmrat e shqyptarvet.
Kërkesat qi kombi shqyptar i paraqet Kongresit, përmblidhen në tri kategori; do me thanë t’i këthehen Shtetit Shqyptar, mëvetesia e të cilit âsht e njohun e garantisun prej Konferencës së Londrës më 1913:
- Viset shqyptare qi i janë dhânë Malit të Zi me vêndimet e Kongresit të Berlinit e me ato të Konferencës së Londrës 1913;
- Viset shqyptare qi i janë dhânë Serbiës me vêndimet e Konferencës së Londrës 1913;
- Viset shqyptare qi i janë dhânë Greqiës me vêndimet e Konferencës së Londrës 1913……
Po kërkojmë me u bâmun të zott e vêndevet shqiptare që na janë këputun me
Traktatin e Berlinit e me Konferencën e Londrës; po kërkojmë mëvetësiën e tânssiën toksore të Shqipniës e respektimin e të drejtave syprane të kombit shqiptar….
Kombi shqiptardeshiron të punojë në paqë për me shvilluem pasuniët e vêndit të vet; të bâhet nji element mbarsie në sinisiën ballkanike e të marrë rradhën e tij ndër kombet e tjera të qytetnueme.
Vêndimet e padrejta të kohës së shkueme e kanë shtuem mâ tepër lakmiën e guximin kundra të dobtëve edhe kështu janë bâmun shkaku i shumë mjerimeve e vuejtjeve. Kongresi i sodshëm, dyke fshimun padrejtësiët e kalueme e dyke i dhânë secilit atê qi i përket; do te ketë hudhun themelat e njê paqe të qëndrueshme në sinisiën balkanike, ku turbullina të herëpasherëshme u kanë qitun gjithmonë të vështira e të mërzitëshme kanqellarivet të Fuqivet të Mëdhaja.
Dhe ja pjesa e fundit e Parashtrimit të kërkesave shqiptare përpara Këshillit të të Dhetvet:
“ Konferenca âsht tyke u kujdesuem për me hudhun themelat e njê paqe të qêndrueshme. Kjo paqë s’mundet me u bâmun pa u marrë para syesh të drejtat e kombsivet.
Për sa i përket Shqipniës, në qoftë se Kongresi, kundra këtij parimi, kishte me i pëlqyem cungllimet e bâme aqë fatkeqsisht më 1878 e më 1913, vêndi i ynë kurrë ndo njê herë s’ka me e gëzuem atê qetësië q’i duhet për shvillimin e tij ekonomik; ky do t’ishte edhe krijimi i krisave periodike në Greqië e në Serbië, të cilat s’janë aspak të zôjat me përtypun njê shumicë Shqiptarësh aqë madhështorë për mëvetesiën e tyne e aqë të lidhun mbas gojdhânavet kombtare. Kjo situatë âsht e atillë nature me shkaktuem turbullime të padame për të gjatë gjithë kufijvet të Shqipniës.
Padrejtësiët e plojet e bâme kundra popullsivet shqiptare qi banojnë krahinat e zaptueme nga ana e Shtetënvet të sipërêmnuem, bâjnë me pasun frigë prej fatit qi po i pret, këto popullsië, të cilat s’kanë me njohun paqë veçse në hikë ase në vdekë..
Kjo do të sjellë në kujtim fjalët e Taqitit: “Ubi solitu dinem faciunt, pacem appellant.”(Atje ku bâjnë shkretië e quejnë paqë.)
Paris, më 24 shkurt 1919
Të shkruara 86 vite më parë tingëllojnë aktuale sot e koha vërteton më së miri largpamësinë e karakterin profetik të tyre. Këto kërkesa pasohen nga të tjera dokumenta e letra drejtuar kryesisht Kryetarit të Konferencës, Kryeministrit francez Klemansò, por edhe Presidentit amerikan Uillson, në të cilat dëshmohet me argumenta historike përkatësia shqiptare e viseve të cunguara. Ato përbëjnë një visar të paçmuar për të gjithë ata që kanë për zemër idealet e Kombit, përfshirë këtu edhe ata përfaqësues të Shtetit apo politikës që janë të detyruar të ballafaqohen ende sot me të njëjtat probleme.
Rezultati i punës titanike të Dërgatës qe vendimi i Konferencës që të mbeteshin kufijtë e 1913, duke hedhur poshtë kërkesat e fqinjëve veriorë e jugorë për territore të tjera e duke nxjerrë të pavlefshme marrëveshjen e turpshme të Londrës së vitit 1915 për coptimin e mëtejshëm të Shqipërisë. Sot, mbas më shumë se tetë dhjetëvjeçarë nga ato ngjarje, jemi të pranishëm përsëri në thelb me të njëjtat probleme, por në një kontekst krejtësisht të ri.
Pesëdhjetë vite komunizmi e kanë mpakur në opinionin publik shqiptar përfytyresën e Kombit të bashkuar, kanë krijuar breza të tërë të rritur në padijen e të vërtetave historike. Ideali i Kombit të bashkuar, edhe se nënë pushtim më 1941- 44, u braktis turpshëm më 29 nëntor 1944 në dobi të strategjisë globale të Kremlinit e të “miqësisë” me Jugosllavinë e Titos. Ёshtë e tepërt të përsëris këtu fakte të stërnjohura të “solidaritetit” të brigadave partizane shqiptare me ushtrimin e dhunës serbe ndaj kosovarëve ”bashkëpuntorë” të okupatorit (kupto antikomunistë), apo dënimet e gjykatave shqiptare ndaj atyre që kishin guximin të mbronin hapur idenë e Kombit të bashkuar. Regjimi i Enver Hoxhës shkatërroi nga themelet shekuj ëndërrash e përpjekjesh të shqiptarëve për të patur një Atdhè të bashkuar. Dhe atëhere kur dukej se ngrinte flamurin e kombëtarizmit e bënte për të mbrojtur karriget e udhëheqësvet ose për të zbatuar strategjinë e përshkimit të ideve të tij staliniste në trevat jashtë kufijvet. Gjatë dhjetëvjeçarëve komunistë Shqipëria nuk qe vatra e ngrohtë për ata shqiptarë që braktisnin shtëpitë e tyre jashtë kufijve e kërkonin në të dheun e të parëve. Për shumë kohë marrëveshjet e fshehta të dy Qeverive bënin të dorëzoheshin ata që kalonin kufirin në një krah apo në tjetrin. A qenë të paktë ata kosovarë që përfunduan në burgjet e kampet e internimit e që u penduan për vendimet e tyre? Megjithatë, çuditërisht, Enver Hoxha u bë një idhull për komunistët kosovarë, të cilëve u deshën të tjerë dhjetëvjeçarë për të kuptuar syleshësinë e tyre dhe të vërtetën e hidhur të Shqipërisë së “Bacës Enver”.
Dhjetëvjeçari i fundit i qindvjetit të shkuar solli ndryshimet e mëdha në ish Jugosllavinë federale të Krijuar nga Traktati i Versajës më 1919 e të rikonfirmuar nga Konferenca e Paqes e Parisit më 1946. Prirjet shkëputëse të republikave të ndryshme sollën shpërbërjen e Federatës Jugosllave që, për ngulmim të Sërbisë; kaloi mbi një det gjaku, në të cilin shquhet masakra e Srebrenicës, akti më barbar e më i turpshëm që nga mbarimi i luftës së dytë botërore në Evropë. Në këtë kotekst të ri Kosova tentoi shkëputjen nga Beogradi. E bëri këtë me deklaratën e 2 korrikut 1990 të Kuvendit të Kosovës dhe me strategjinë e qëndresës pasive e krijimit të shtetit paralel së bashku me bojkotimin e jetës institucionale, politike e shoqërore të Federatës Serbi-Mal i Zi.Kjo formë lufte për pavarësinë, e drejtuar me urtësi nga Kryetari Rugova, ra në veshin e shurdhër të diplomacisë evropiane, e prirur që të ruante gjithmonë Statu-Quon dhe e detyruar të pranonte ndryshimet vetëm para tragjedish rrënqethëse. Ёshtë tashmë e njohur vonesa e saj në përceptimin e ndryshimeve të hartës gjeopolitike të kontinentit të sanksionuar në Jaltë, në shkurt 1945. Madje dhe bashkimi i Gjermanisë u krye në kundërshtim me opinionet e Miteranit, të Teçërit, të Andreotit etj., qè i trembeshin stërfuqisë së këtij Vendi. Koha tregoi se ata gaboheshin rëndë në këtë rast.
Përballë moskokëçaries së faktorit ndërkombëtar dhe mospërfilljes deri në mohim të Millosheviçit Kosova braktisi qëndresën pasive dhe filloi atë të armatosur. Kundërveprimi sërb i kaloi të gjitha caqet dhe para kësaj tragjedie, të fundit në rrjedhën e ngjarjeve të këtij lloji në ish Federatën Jugosllave, SHBA dhe Evropa, të cilat kishin menduar naivisht se i kishin zgjidhur problemet e saj me Marrëveshjen e Dejtonit, vendosën ndërhyrjen me forcë kundër Sërbisë.
Mbas gjashtë vite ngrirjeje të problemit, nëpërmjet pranisë së forcave të NATO-s, Bashkësia Ndërkombëtare duket se është bindur se duhet kaluar në fazën kryesore të përballimit të tij, në atë të përcaktimit të Statusit të krahinës. Mjaft arsye të rendit politik e ekonomik e shtyjnë Bashkësinë të kërkojë një sistemim të çështjes e të rajonit. Kostoja e lartë financiare e shpenzimeve të misionit është një nga arsyet kryesore që shtyjnë në atë drejtim. Protektorati i OKB-së në mes të Evropës së shekullit 21 është një formë administrimi e përkohëshme; si e tille ajo mund të zbatohet vetëm në raste të jashtzakonshme si ai i pranverës 1999, por nuk mund te ketë jetë të gjare mbasi bie ndesh me logjikën më të thjeshtë që buron nga parimi kryesor i Konventave Ndèrkombëtaree që është ai i vetvendosies së popujve. Pra bëhet e detyrueshme një zgjidhje që nuk mund të jetë në asnjë mënyrë një kthim mbrapa, në aspektin institucional të paraluftës. Këtë e kërkojnë Sërbët duke paraqitur argumentat e tyre, që në planin historik nuk kanë themele të shëndosha. Mjafton të kujtohet se, deri para luftës Ruso-Turke të 1878 e Kongresit të Berlinit, as Sërbia e as Mali i Zi që ishin shtete të pavarura, nuk kishin në territoret e tyre asnjë tokë shqiptare. Shqipëria ishte një entitet i bashkuar në katër vilajete dhe kufijtë e saj ishin përcaktuar nga një vijë që fillonte nga gjiri i Spicës (në verí të Tivarit), duke u ngjitur në verilindje e përfshirë Tuzin, Hotin, Grudën, Triepshin, Podgoricën, Pejën, Gjakovën, Mitrovicën (pjesa lindore), Prishtinën, Gjilanin, Ferizajn, Kaçanikun, një pjesë të rrethinave të Shkupit, Tetovën, Gostivarin, Kërçovën, Dibrën deri tek Mali i Thatë. Që këtu zbret nga jugë-perëndimi, në majën e Gramozit e në jugë deri në Prevezë. Brënda këtyre kufijve më 1912 banonin dy milion shqiptarë. Pakicat sërbe, bullgare, rome e turke ishin në përqindje të vogla, ndërsa popullsia shqiptare në trevat e lëna jashtë kufijve zyrtarë më 1913 arrinte deri në 80% të numurit të përgjithshëm.
Pretendimet e para sërbo-malazeze erdhën në Kongresin e Berlinit kur Rusia, fituese e luftës i kërkoi si dëmshpërblim Turqisë pjesë nga viset shqiptare në kufijtë e Malit të Zi. Dihet se si ai Kongres dhe në veçantí Kancelari Bismark e trajtuan problemin shqiptar. Simbas tij Shqipëria ishte vetëm një “shprehje gjeografike”, ndërsa e gjithë çështja ballkanike “nuk vlente sa eshtrat e një ushtari të Pomeranisë”. Kështu tokat shqiptare u kthyen në plaçkë tregu e këtu u ngjiz problemi i Kosovës, që do të lindëte pastaj më 1913. E gjithë kjo proçedurë ishte arbitrare atëhere, mbartëte diçka nga mendësia zotëruese e epokës koloniale e mbeti e tillë deri në ditët tona. Si e tillë ajo mbeti diçka e paligjëshme simbas normave të së drejtës ndërkombëtare e i u shtua numurit jo të pakët të problemeve të këtij lloji që Fuqitë e Mëdha i mbollën si kërpudha në të gjithë Lindjen evropiane.
Kjo është e vërteta historike, të cilën ne e kemi për detyrë t’a shpallim e t’a bëjmë të njohur kudo e kurdoherë. Këtë të vërtetë na e kanë mohuar me forcën e armëve e me atë të diplomacisë, por asnjëherë me atë të argumentave historike.
Sërbia, edhe mbas ngjarjeve të 1999-ës vazhdon të ngulë këmbë në përkatësinë e Kosovës Shtetit të saj. Madje e ka pagëzuar me emrin “Sërbia e vjetër” ( Stara Serbia), duke e quajtur si epiqendrën e Shtetit të lashtë sërb. Harrohet se sërbët erdhën në Ballkan rreth shekullit të shtatë, dhe aty nuk gjetën një shkretëtirë për t’a populluar, por popullsi vëndase të ngulitur që nga agimet e historisë. Për të bërë të besueshëm qëndrimin e saj përdor argumenta të vjetëruara, por që në specifikën e problemeve të çastit gjejnë përkrahës në qarqe të ndryshme. Ja disa nga pohimet e Presidentit Tadiç në një intervistë të dhënë gazetës Korriere dela sera të datës 28 prill 2005:
“ E vërteta është se pavarësia e Kosovës, edhe në versionin e shkallëzuar, premton të rihapë të gjitha plagët e vjetra ballkanike.”
“Demostratat masive të ekstremistëve shqiptarë, tridhjetepesë kishat e monastiret ortodoksë të shkatërruara, mijra shtëpi të djegura, shumë sërbë të vrarë. Vetvetiu vjen pyetja nëse me pavarësinë e Kosovës do të mbetej ndonjë gjurmë krishterimi.”
Ja si bëhet levë mbi një çështje tepër delikate në opinionin publik e politik perëndimor e evropian, në atë të konflikteve mbi bazë fetare e në rrezikun e fondamentalizmit islamik. Duke i dhënë këtë ngjyrë problemit, duke i paraqitur shqiptarët e Kosovës si pararojë të islamizmit skajor në Evropë, synohet të çligjësohen kërkesat e tyre e të merret nga ana e Sërbisë poza e mbrojtësit të krishterimit nga rreziku islamik. Duken argumente të vjetëruara prej kohësh por, fatkeqësisht, në sajë të atentateve të Al Kaedës në botë, janë të afta të zenë vend në mëndjet e mjaft njerëzvet që e njohin pak ose aspak problemin. Sigurisht një ndihmesë të fuqishme japin, në këtë drejtim, ata kosovarë dritëshkurtër që bëhen prè e instikteve primordiale të hakmarrjes, apo e strategjisë djallëzore të pushtetit, duke djegur kisha e monastire, veprime tepër të dënueshme në të gjitha drejtimet në rradhë të parë nga vetë morali tradicional shqiptar.
“Duam të gjithë të kthejmë faqen, të fshijmë të kaluarën e të shohim përpara, Por kur flasim për krime do të kthehemi në Kosovë: atje zhvillohen trafiqe të qënieve njerëzore, të drogës, të armëve. Edhe ky është një aspekt që nuk duhet harruar.”
Së fundi gazetari i bën këtë pyetje: “Bashkësia ndërkombëtare druhet se nëse kërkesat e shqiptarëvet mbeten pa përgjigje, mund të ketë në Ballkan një efekt të ri domino, rikthimin e dhunës dhe urrejtjeve, jo krejtësisht të shuara. Ç’farë mendoni?”
Përgjigja e Presidentit sërb është koherente me paraardhësit e tij të shquar e më pak të shquar: “Ёshtë e mundur që kjo të ndodhë, por në atë rast do të kemi provën se ajo shoqëri nuk është mjaft e pjekur për të synuar në pavarësinë.”
Ёshtë xhevahiri më i trumbetuar i diplomacisë sërbe të qindvjetorit të shkuar ky pohim, që mundohet t’i paraqesë shqiptarët jo si një komb i bashkuar që meriton të ketë një shtet, por si një morí fisesh në luftë me njëri tjetrin e të paaftë për t’u organizuar e vetadministruar. Madje një paraardhës i shquar i Tadiçit, ish Kryeministri Vladan Gjorgjeviç, që ka shkruar librin “Shqiptarët e Fuqitë e Mëdha”, arrin deri aty sa të marrë në konsideratë thënien e dikujt se “shqiptarët janë me bisht”.
Propaganda shekullore sërbe në dëmin tonë pësoi një goditje të fortë në opinionin publik e diplomatik të Evropës nga mizoria me të cilën kundërveproi regjimi i Millosheviçit ndaj qëndresës së armatosur të UÇK- së në Kosovë. Varrezat kolektive, që herë mbas here zbulohen, apo njerëzit e zhdukur pa gjurmë rëndojnë jo vetëm mbi ndërgjegjen e Beogradit, por edhe mbi imazhin e tij. Tashmë diplomacia e tij nuk mund të mbështetet në forcën e armëvet apo të mbrojtjes së pakushtëzuar të aleatëve tradicionalë. Tani duhet të bëjë llogaritë me një realitet që, në sajë të pranisë së faktorit ndërkombëtar në Kosovë, në pjesën më të madhe të tij, përcillet në opinionin publik në përmasat e ngjyrat e tij të vërteta.
Ish Kryeministri italian Amato, Kryetar i Komisionit ndërkombëtar për Ballkanin, shprehet kështu: “ Çdo njeri i arsyeshëm në Sërbi e di se t’i lihet Kosova shumicës shqiptare është më shumë zgjdhja se sa problemi; e është edhe për vetë trajtimin e pakicave, trajtim që në kushtet aktuale është me të vërtetë i palejueshëm; ndërsa në të ardhmen mund të mbështetet, bie fjala, në një statut të veçantë të njohur për Mitrovicën e rrethet ku sërbët janë në shumicë. Nuk do të kishte valë të mëdha ikjeje drejt Sërbisë, siç thotë Presidenti Tadiç. Nuk do të kishte as pasoja destabilizuese në Vende të tjera, të cilave u trembet ai; Sërbët e Bosnjës janë të kënaqur me autonominë e tyre dhe në Maqedoni shqiptarët e maqedonasit kanë hyrë në një rrugë të dobishme të riekuilibrit të brëndshëm. Por sepse nënëshkroi Raportin e Komisionit tim, që thotë këto gjëra, figura e Goran Svilanoviçit është vënë në kryq në mure e në televizion në Beograd, ku radikalët kanë kërkuar madje arrestimin.”
Ky është një opinion mjaft objektiv, madje mjaft konstruktiv e vite dritë larg atyre të diplomacive evropiane para 1999-ës, që shpesh herë mbyllnin sytë para krimeve të përbindëshme të sërbëve e në ndonjë rast arrinin edhe t’i justifikonin. Kjo bëhej në emër të ruajtjes së Statu-quos e të “stabilitetit të rajonit”, pa kuptuar se pikërisht ajo lloj politike bënte të kundërtën e asaj që kërkohej. Ajo lloj diplomacie ishte robe e skemave të vjetra e të ngurtësuara të mendimit politik, kur quhej herezi të viheshin në diskutim vendime Fuqish të Mëdha, të marra në periudha të ndryshme e në kontekste të ndryshme historike, në më të shumtën e rasteve pa marrë parasysh vullnetet e popujve të interesuar, por vetëm interesat dhe parapëlqimet e tyre. Sikur BE dhe SHBA të kishin kuptuar në kohë thelbin e domosdoshmërisë së ndryshimeve në ish Jugosllavinë e të kishin mbështetur krijimin e shteteve me bazë etnike do të ishin kursyer mijëra jetë njerëzish e miliarda euro.
Puna dhe përfundimet e Komisionit Amato, në të cilin krahas shumë ish kryetarë qeverish ishte dhe ish Kryeministri shqiptar Ilir Meta, më duket se meritojnë vlerësim për objektivitetin me të cilin është trajtuar tërësia e problemeve dhe mirënjohje për përfundimet dhe rrugëzgjidhjen që sugjeron.
“Bisedimet mbi statusin e Kosovës – thuhet në raportin përfundimtar të “komisarëve”- duhet t’i apin shpërblime reale Beogradit, për t’a nxitur Sërbinë t’a quajë të pranueshme një Kosovë të pavarur si antare të ardhëshme të BE…
“Hapi i parë qëndron në njohjen e ndarjes de facto të Kosovës nga Sërbia…”
“Hapi i dytë ( pavarësi pa sovranitet të plotë)njeh Kosovën si një njësi të pavarur, në të cilën Bashkësia ndërkombëtare ruan pushtetin përsa i përket të drejtave të njeriut dhe pakicave kombëtare. Ligjërisht Kosova mbetet një protektorat i OKB-së, por Komisioni uron kalimin e autoritetit BE…”
“Hapi i tretë (sovranitet i udhëzuar) do të përkonte me njohjen e Kosovës si kandidate për të hyrë në BE. Në këtë rast BE do të humbiste fuqitë e saj e do të ushtronte vetëm një ndikim politik..”.
“ Hapi i katërt (sovranitet i plotë por i bashkëndarë) do të shënojë hyrjen në BE të Kosovës që do t’i kalojë atij një pjesë të sovranitetit si çdo antar tjetër i Bashkimit…”
Simbas parashikimeve të Komisionit i gjithë proçesi do të përfundonte më 2014, një datë simbolike, njëqind vjetori i luftës së parë botërore e njëkohësisht dhe i ndarjes së Kosovës nga Shqipëria.
A do t’a pranojnë sërbët si bazë nisjeje të bisedimeve, që do të fillojnë së shpejti me bekimin e Sekretarit të përgjithshëm të OKB-së Kofi Anan, këtë projekt? Më duket shumë e vështirë por jo e pamundur, nëse Bashkësia ndërkombëtare e, në veçanti, Këshilli i Sigurimit do t’a quajnë një zgjidhje t’arsyeshme e do të jenë të gjithë në një mëndje për t’a mbështetur. Por cili do të jetë shpërblimi që do të bindë sërbët për të pranuar marrëveshjen? Premtimi se dhe ata do të jenë nesër antarë të BE-së, nëse do të mjaftojë i shoqëruar me një ndihmë të fuqishme ekonomike, që nuk do të rëndonte buxhetet e Bashkësisë mbasi do të barazvlerësohej me shpenzimet e kursyera nga tërheqia e strukturave ushtarake nga rajoni. Sondazhet thonë se mbi 60% e popullsisë sërbe dëshiron hyrjen në BE.E dëshirojnë më shumë të rinjtë që nuk gjejnë perspektiva në një Vend të cilin 1999 e ktheu shumë mbrapa, duke i shkaktuar dëme që do të kenë pasojat e tyre për dhjetëvjeçarë me rradhë. Por a do të ketë forcën e kurajon klasa politike sërbe të pranojë zyrtarisht humbjen e Kosovës? Ёshtë një pikpyetje e madhe, sidomos po të mbahet parasysh se rezoluta 1244, që sanksionoi mbarimin e luftimeve më 1999, nuk e cik atë pikë dhe se vetoja e Rusisë apo Kinës në Këshillin e Sigurimit mund të bllokojë gjithshka.
Zgjidhja e problemit nuk do të jetë një gjë e detyruar me forcë, ndofta vetëm me forcën e arsyes e të vullnetit të mirë. Prandaj bisedat mes grupeve të punës shqiptarë e sërbë me ndërmjetësinë ndërkombëtare do të jenë themelore. Që të sjellin rezultatin e duhur të dy palët duhet të lenë në shtëpi qëndrimet skajore, të shkuarën, historinë.. Ato bëjnë pjesë në identitetin e dy popujve e janë të pashlyeshme, por e ardhmja nuk ndërtohet mbi bazën e tyre, duhet një kthesë e fuqishme në mendësi e veprime.
Sërbët duhet të bëhen të vetëdijshëm se privilegjet që një epokë historike u dha kanë mbaruar, se nuk mund të jenë shqiptarët rajá e tyre, se bashkëjetesa në një shtet të vetëm, nën çfarëdo forme autonomie mbas 1999 është e pamundur, se një shoqëri, prè e kundërshtive të brëndëshme, nuk mund të ketë kurrë zhvillim e paqe. Shqiptarët e Kosovës duhet të dinë të vlerësojnë çastin historik dhe mundësitë që ai u jep për të ndërtuar t’ardhmen e tyre. Duhet të dinë të japin garancitë e duhura Bashkësisë ndërkombëtare, të fitojnë besimin e saj, të dëshmojnë se pavarësia dhe futja në Evropë është jo vetëm shpërblimi i një shekulli padrejtësish mbi paraardhësit e tyre, por edhe meritë e tyre. Standartet që sot institucionet ndërkombëtare kërkojnë të realizuara prej tyre janë sinonim i qytetërimit, i kulturës së të jetuarit, i respektit për vlerat dhe parimet njerëzore, për gjithshka e dallon njeriun nga pjesa tjetër e gjallesave.
Nuk i nderojnë kosovarët demostratat kundër UNMIK-ut, nuk gjuhet me gurë ai që të ka shpëtuar jetën edhe sikur të të qortojë, edhe sikur të të japë një shpullë. Ai është si ai që t’a ka falur jetën, si prindi që, i mirë apo i keq, duhet respektuar. Nuk e nderojnë Kosovën dhe popullin e saj ata që ushtrojnë dhunë mbi banorët sërbë, apo grabisin pronat e shtëpitë e tyre. Nuk është as e drejtë e as njerëzore hakmarrja për krimet e ushtrisë mbi civilët, nuk është aspak burrnore as morale përzënia e njeriut nga vatra e tij, nga toka e shtëpia ku ka jetuar me breza. Nuk është aspak i hijshëm fakti që monastiret dhe bashkësitë fetare ortodokse jetojnë nën mbrojtjen e ushtarëve të KFOR-it, mbasi ka kosovarë që i kërcënojnë me zjarr e flakë.
Statusi i Kosovës do të jetë rezultati i bisedave mes sërbëvet e shqiptarëvet. Janë biseda tepër të rëndësishme, më të rëndësishmet që kosovarët zhvillojnë gjatë një shekulli. Ata persona, që e përfaqësojnë Kosovën në këto traktativa, kanë një barrë të rëndë mbi supet e tyre, sepse nëpërmjet gojës së tyre do të fklasë Kosova e martirizuar e së shkuarës, por edhe ajo plot shpresa e së ardhmes. Ata duhet të kenë pas vetes një popull të bashkuar e një klasë politike që, në një çast si ky, është në gjëndje të përcaktojë objektivat parësore të atdheut e të lerë mënjanë ambiciet apo mëritë që përciell politika apo lufta për pushtet. Drejtuesit e forcave politike apo të institucioneve, së bashku me Kryetarin Rugova, duhet të shqyrtojnë çdo fazë të bisedimeve e të përcaktojnë me një zë, që duhet të jetë ai i interesave madhore të popullit të Kosovës, strategjinë e traktativës deri në përfundimni e saj. Ёshtë në nderin e asaj klase politike gatishmëria e treguar për t’u ulur në tryezë së bashku, pa paragjykime, por me dëshirën për të bashkërenduar strategjitë e projektet e për të shkuar në bisedime me një zë të vetëm.
Sërbë e shqiptarë duhet të ulen në tryezë me vështrimin para në vitet që do të vijnë, me synimin që të arrijnë një marrëveshje që do t’i sigurojë fëmijëve të tyre një rajon pa mëri, urrejtje e luftëra, pa dhunë e shkelje të drejtash, një rajon ku të sundojë paqja, liria e mirëkuptimi. Kështu do të ketë përfunduar një epokë dhimbjesh e gjaku e do të fillojë një tjetër e miqësisë dhe e respektit të ndërsjelltë. Mund të duket një ëndërrim prej poeti, por duhet të jetë një realitet i bukur dhe i detyrueshëm nëse duan që një ditë jo të largët të quhen qytetarë të Evropës.
Ditët e fundit Ministri i Jashtëm, z. Besnik Mustafaj, duke i u përgjigjur pyetjes mbi statusin e Kosovës, përdori termin “ pavarësi e kushtëzuar” si qëndrim të Qeverisë shqiptare. Çuditërisht pati një kor reaksionesh negative që e akuzoi Qeverinë për ndryshim të politikës ndaj Kosovës. Opozita socialiste, që deri dje në pushtet nuk u shqua për asgjë n’atë drejtim, gjeti shkas për të bërë demagogji atdhetarizmi, duke pohuar nëpërmjet ish Ministrit Islami se ajo është për pavarësinë e plotë. I u bashkua këtij kori dhe LSI, megjithëse Kryetari i saj i din më mirë se të tjerët se si qèndrojnë punët. Në Kosovë gjeti rastin të kritikojë atë qëndrim edhe z. Nikoll Lesi, si Kryetar i demokristianëve shqiptarë. Secili është i lirë të shprehë pikëpamjet e tij, por më duket se një minimum realizmi në vlerësimin e problemit bëhet i detyrueshëm. Më duket se kemi të bëjmë me një tymnajë të shpërthyer më shumë për konsun të brëndshëm politik që nuk sjell asnjë dobi, se sa për një pohim , frut i një analize të pjekur.
Ministri Mustafaj termin e përdorur nuk e ka shpikur nga koka e tij, ai është një nga fazat e projektit Amato, i shpjeguar më sipër. Për të sulmuar Qeverinë është praktika më e njohur dhe më e zakonshme për çdo lloj opozite. Por për hir të sulmit në vetvete të kalohet në pohime që nuk janë në gjëndje të paraqesin asnjë alternativë bindëse për një çështje kaq të rëndësishme, pohime që ndofta, në një farë mënyre, mund të dëmtojnë një projekt të dobishëm e shpresëdhënës si plani Amato, më duket se është një shfaqje mungese përgjegjësie dhe miopie politike. Z.Islami e din mirë se çfarë mendon ish kolegu Drashkoviç për Kosovën e sa pak është i predispozuar të pranojë zgjidhjen e pavarësisë së saj. Ai e di mirë se sa qarqe të fuqishme filo sërbe ka në Evropë, madje dhe në Vendet që bombarduan Sërbinë më 1999, e që janë kundërshtërë të variantit të pavarësisë. Vetë z.Kofi Anan u shpreh se bisedimet nën ombrellën e OKB-së do të diskutojnë të dy variantet, autonominë ose pavarësinë.
Për të bërë demagogji është lehtë, për të arritur objektivin e pavarësisë së Kosovës është një ndërmarrje mjaft e vështirë. Në jetën e shteteve e të popujve dëshirat dhe ëndërrat nuk sendërtohen shpesh, madje në më të shumtën e rasteve ato mbeten tё futura në sirtare. Një shtetar i mirë apo një klasë politike në lartësinë e detyrës janë ata që dijnë të shfrytëzojnë në maksimum mundësitë që ofrohen për të arritur sa më pranë realizimit të objektivit, që duhet të jetë i qartë e i përcaktuar mirë. Në rastin e Kosovës objektivi është pavarësia, por ëndrra, dëshira jonë është diçka tjetër, akoma më e plotë, më e ndritur: “Shqipnia e shqiptarvet, në kufijtë që i ka falun Zoti, deri ku flitet gjuha e âmbël e zogjvet të shqipes”, pra Shqipëria etnike. Por edhe më naivi prej nesh e din mirë se ajo mbetet vetëm një ëndërr, jo arkaike apo moderne, por thjesht një ëndërr, jo sepse nuk është e ligjëshme si kërkesë, jo se nuk kemi të drejtë t’a sendërtojmë, por sepse i kalon shumë caqet e fuqivet tona, jemi të pafuqishëm t’a realizojmë. Atëhere do të synojmë atë që është e mundur. Pohimi i z. Mustafaj përputhet me këtë këndvështrim e mendoj se nuk meriton asnjë lloj qortimi.
Pavarësia e kushtëzuar, kur në një hapësirë kohe prej vetëm dhjetë vitesh do të sjellë nëpërmjet një proçesi paqësor pavarësinë e plotë së bashku me hyrjen në BE, më duket një opsion për t’a kapur fluturimthi. Nuk shoh asnjë alternativë tjetër reale e bindëse. Nëse kritikuesit e Ministrit Mustafaj e kanë atë le t’a bëjnë të njohur e t’a venë në provën e fakteve. Sa për demagogji më duket se nuk na ka dalë ende narkoza e komunizmit…
Ka të drejtë gjithashtu Ministri kur e quan të panevojshëm një kuvend mbarëkombëtar për të vendosur mbi Kosovën, kur nuk kemi asgjë në dorë për të vendosur. Edhe ky do të ishte një akt demagogjik e ndofta me pasoja negative. Le t’i lemë të qetë udhëheqësit kosovarë të mbarështojnë vetë këtë fazë tepër delikate të historisë shqiptare e të lusim Zotin t’u japë atyre durim e kthjelltësi mendimi e atyre që do të vendosin vullnetin e mirë në dobi të një çështjeje që gjatë një shekulli të tërë na ka kushtuar aq mund, gjak e sakrifica.
Tetor 2005
.
*Marrё nga libri “Demokratura shqiptare nё vёshtrimin e njё tё mёrguari”
Komentet