Qeveria e Kosovës u vendosi sanksione shtatë afaristëve dhe një kompanie për lidhje me grupin ushtarak të Libanit, Hezbollah.
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, tha se sanksionet vendosen në pajtim me Rezolutën 1373 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ndaj shtatë individëve dhe një kompanie “për lidhjet e tyre me organizatën terroriste Hezbollah dhe rolin e tyre në rrjetin financiar të saj në Gadishullin Arabik”.
Ministrja Gërvalla, tha se një vendim i tillë do t’i kontribuojë partneritetit të ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tjerë të rëndësishëm, në mbrojtjen e vlerave të përbashkëta. Ndërsa kryeministri, Albin Kurti, tha se “Kosova është e angazhuar drejtpërdrejt në luftën kundër terrorizmit, radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm përmes afirmimit ligjor, qasjes strategjike dhe veprimeve ekzekutive si dhe pjesëmarrjes aktive në Koalicionin Global”.
Sanksionet nënkuptojnë ngrirjen e pasurive ndalimin e udhëtimit dhe të vënies në dispozicion të fondeve nga individët dhe entitetet në Kosovë.
Vendimi është në pajtim me sanksionet e Shteteve të Bashkuara ndaj Hezbollahut, një fraksion i fuqishëm shiit që ka deputetë në Parlamentin e Libanit.
Libani nuk e njeh pavarësinë e Kosovës e cila nuk mbështetet as nga palestinezët.
Kosova vendosi lidhje diplomatike me Izraelin në fillim të vitit 2021 pas një pajtimi të arritur në shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë, në kuadër të një takimi për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në muajin mars Kosova hapi ambasadën e saj në Jerusalem, vendi i parë evropian që e bëri këtë pas Shteteve të Bashkuara dhe Guatemalës.
Në qershor të vitit 2020, Kosova e shpalli organizatë terroriste krahun politik dhe atë ushtarak të Hezbollahut.
Kosova është pjesë e koalicionit global kundër terrorizmit, ndërsa është përqendruar për një kohë të gjatë në ndërprerjen e valës së luftëtarëve të huaj dhe pengimin e financimit të grupeve terroriste.
Komentet