Të gjithë shtetasit rusë, përfshirë ata me pasaporta diplomatike, të cilët duan të hyjnë, kalojnë transit apo qëndrojnë në Kosovë, duhet të pajisen me vizë.
Ky vendim është marrë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, të mbajtur më 30 shtator.
“Të gjithë shtetasit e Federatës Ruse, bartës të pasaportave të rregullta, zyrtare e diplomatike, si dhe ata që kanë leje-qëndrim biometrik valid, të lëshuar nga shtetet e zonës Shengen do të obligohen të pajisen me vizë të Republikës së Kosovës për hyrje tranzit dhe qëndrim në territorin e Kosovës”, tha kryeministri, Albin Kurti.
Më herët qytetarëve rusë me pasaporta diplomatike dhe zyrtare u lejohej hyrja, transiti dhe qëndrimi deri në 15 ditë në territorin e Republikës së Kosovës, pa vizë.
Gjithashtu, liroheshin nga nevoja për tu pajisur me vizë kosovare edhe shtetasit e vendeve për të cilët Kosova aplikon regjim vizash, por të cilët kishin leje qëndrim biometrik valid të lëshuar nga njëri ndër shtetet e Zonës Shengen.
Kjo ishte e rregulluar në vendimin e Qeverisë për kushtet e hyrjes dhe regjimit të vizave për të huajt në Republikën e Kosovës, të marrë në vitin 2011.
“Ky vendim është në raport me obligimet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës dhe në koherencë me vendimin e fundit të Bashkimit Evropian për pezullim të marrëveshjes për lehtësim të vizave Shengen për shtetasit rusë dhe vazhdimin e masave kufizuese dhe ndëshkuese kundër Federatës Ruse, për shkak të agresionit ushtarak kundër Ukrainës”, tha zëvendësministrja e Jashtme, Liza Gashi.
Më 31 gusht, Bashkimi Evropian pezulloi marrëveshjen për viza me Rusinë si një “hap i parë i domosdoshëm”.
Për pasojë, rusët do ta kenë më të vështirë sigurimin e një vize dhe procesi do t’iu kushtojë më shtrenjtë.
Vendet e BE-së nuk kanë arritur të pajtohen për një ndalesë totale për vizat turistike për rusët, meqë vendet anëtare janë të ndara në këtë çështje.
Kievi i ka bërë thirrje BE-së që të ndalojë lëshimin e vizave për të gjithë rusët, përveç disidentëve politikë.
Komentet