Të nderuar bashkëatdhetarë,motra dhe vëllazër,sot jemi tubuar këtu të festojmë sëbashku,16 vjetorin e Pavarsisë së Kosovës !
Shpërbërja e ish-Jugosllavisë deri tek Pavarësia e Kosovës.
Boshnjaku Hamdija Pozderac, Kryetar i Komisionit Kushtetues të Kuvendit të Jugosllavisë, për të mos ndryshuar parimet bazë të Kushtetutës së vitit 1974, për mos-heqjen e autonomisë, për krahinat autonome të Kosovës dhe Vojvodinës, ishte viktimë e një përplasjeje politike, i cili vdiq në prill 1988, në rrethana të dyshimta.
Kundër politikës represive të Serbisë ndaj Kosovës, në vitet 1988-89, për mos ndryshimin e Kushtetutës, u organizuan protesta masive të shqiptarëve.
Edhe greva e minatorëve Trepça më 1989, mendohet se lëkundi themelet e ish-Jugosllavisë.
Më 23 mars 1989, në Kuvendin e Kosovës, dhunshëm ndryshohet Kushtetuta e vitit 1974, suprimohet autonomia e Kosovës, shkëputet nga Federata Jugosllave, mbetet pjesë përbërëse të Serbisë.
Beogradi pushton Kosovën me mijëra policë e ushtarë serbë, duke vënë shqiptarët nën masa represive dhe aparteidi.
Më 2 korrik të vitit 1990, Kuvendi i Kosovës shpalli deklaratën kushtetuese Kosova Republikë. Më 7 shtator të vitit 1990, në Kaçanik, nxirret Kushtetuta e Republikës së Kosovës.
Më 5 korrik, Kuvendi i Serbisë, me një ligj anti-kushtetues, suspendon Kuvendin dhe ndalon punën e Qeverisë së Kosovës.
Menjëherë pas referendumit për pavarësi, më 1991 në Kosovë, Dr. Rugova zgjidhet president i Republikës së Kosovës, formon qeverinë në ekzil, kryeministër caktohet Dr.med.Bujar Bukoshi.
Rugova kishte konceptuar politikën e tij “të rezistencës aktive, por, me mjete paqësore dhe sistemin paralel, duke krijuar miqësi të madhe me Amerikën dhe Perëndimin, sepse nuk kishim pushtet”, – ka thënë presidenti Dr.Ibrahim Rugova, në fillimvitet e `90-ta. Politika paqësore e Rugovës dhe LDK-së filloi të kritikohet nga vitet 1995, nga grupe që kërkonin një rezistencë ndryshe, qoftë edhe me armë. Edhe pse nuk kishin pika të përbashkëta bashkëpunimi, qëllimi ishte i njëjtë-çlirimi i Kosovës nga Serbia dhe bërja e Kosovës shtet të pavarur e sovran-.
Në vitin 1997 u bë dalja publike, e tre pjesëtarve të uniformuar, në varrimin e një mësuesi, si parathënie e krijimit të themelimit të organizimit ushtarak.
Më 1 tetor të vitit 1997, Lëvizja Studentore organizon një protestë masive.
Më 5 mars të vitit 1998, forcat serbe sulmojnë fshatin Prekaz i Ulët, ku vrasin Adem Jasharin, me familje, figurën që për shqiptarët nënkupton komandantin e UÇK-së.
Më 15 janar të vitit 1999, kur forcat serbe ekzekutojnë 45 civilë shqiptarë në Reçak. Ish-shefi i Misionit Mbikëqyrës të OSBE-së në Kosovë, Villiam Volker, doli botërisht dhe e tha se “ajo ishte një masakër”. NATO-ja dhe evropianët organizuan Konferencën në Rambuje, afër Parisit. LDK-ja dhe UÇK-ja bashkohen në një delegacion.
Nga 24 marsi deri më 10 qershor, makineria ushtarake e NATO-paktit goditi caqet ushtarake dhe objektet tjera në Serbi, Mal të Zi dhe Kosovë, për ta paralizuar mundësinë e kundër-përgjigjës ushtarake serbo-sllave. Me 10 qershor, me nënshkrimin e Marrëveshjes në Kumanovë me NATO-n, Serbia pranon kapitullimin dhe detyrohet të tërheq forcat ushtarake e policore nga Kosova, bashkë me qeverinë kriminale të Millosheviqit. Miratohet Rezoluta 1244, me të cilën vendoset Misioni administrues i Kombeve të Bashkuara në Kosovë.
Kosova shpall pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008.
Vrasjet gjatë luftës
Nga organizata Fondi për të Drejtën Humanitare,gjatë luftë në Kosovë (1999). Janë vrarë ose janë zhdukur gjithsej 13,535 njerëz, kjo shifër është nxjerrë në bazë të analizës së 31,600 dokumenteve.
Shqiptarët me 10.812, serbët 2,197, kurse romët, boshnjakët, malazezët dhe joshqiptarët e tjerë përbëjnë 526 viktima gjithsej.
1.647 persona konsiderohen si të pagjetur dhe për ta ende nuk dihet asgjë. Prej tyre rreth 420 serbë. Nga marsi i vitit 2000, janë identifikuar 529 varreza masive, shumica në Kosovë, janë gjetur 4.300 trupa të pajetë. Varreza më madhe është zbuluar në Batajnicë, afër Beogradit, me 93O të vrarë. Sipas hulumtuesit Bekim Blakaj dhe krryetares së Organizates FDH, Natasha Kandiq, mungon vullneti politik, për të dhënë informacione, për vendndodhjen e varrezave masive në Serbi.
Sipas një raporti të organizatës së OKB-së për refugjatët, (UNHCR), dëshmohet se gjatë luftës 1998-99, soldateska serbo-sllave, dëboi dhunshëmose 862,979 refugjatë nga Kosova.
Numri i viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, llogaritet të jetë rreth 20 mijë vetë, sipas pohimit të ish-presidentes të Kosovës, Atifete Jahjaga, para Kongresit amerikan. Me emër e mbiemër janë identifikuar rreth 1200 viktima. Në vitin 2014, Kuvendi i Kosovës ka miratuar statusin i viktimës së dhunës seksuale, me pension mujor prej 230 euro. Qendra për rehabilitimin e viktimave të torturës, ndihmon në procesin e aplikimit të viktimave të dhunës seksuale.
Shkatërrimi i pronës gjatë luftës së Kosovës, ishte egërsi unike e një pushtuesi barbar.
Sondazhi i cituar nga UNHCR-së të nëntorit të vitit 1999, raporton se pothuajse 40 përqind e të gjitha shtëpive të banimit në Kosovë janë dëmtuar rëndë ose janë shkatërruar plotësisht. Nga një total prej 237,842 shtëpish, 45,768 u dëmtuan rëndë dhe 46,414 u shkatërruan. Shkollat dhe xhamitë u prekën në mënyrë të ngjashme. Sipas një vlerësimi të dëmeve nga Kombet e Bashkuara, nga 649 shkolla në Kosovë, ose një e pesta, janë shkatërruar.
Bashkimi Evropian, në kuadër të misionit të UNMIK-ut, pas luftës, kishte vlerësuar një kosto prej së paku 4 miliardë dollarë, për një periudhë prej tre vjetësh, për të rindërtuar Kosovën e shkatërruar nga lufta.
Bëra një ekspoze kronologjike të rrugëtimit 10-vjeçar, të popullit të Republikës së Kosovës, për çlirim e liri, për të ardhur ke pavarësia shtetërore e 17 shkurtit 2008. Dhe, tani, jemi në plotësimin e komponentit të tretë: Konsolidimin e shtetit të Kosovës dhe të demokracisë të mirëfilltë, si aspiratë dhe porosi hyjnore e Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, me shumë shokë, si vijimësi e ëndrrës fisnike të Rilindasve tanë të zëshëm, me brezat vizionarë..
Xhafer LECI
Kirchheim/Teck,17.02.2024